SHOQËRI

Analizë

Më pak seksione dhe më shumë pengesa për votën e bullgarëve jashtë vendit

Bernard Konfortov nga Kembrixhi: Me 20 seksione në vende jashtë BE-së, votimi do të jetë katastrofë

Premte, 30 Janar 2026, 06:55

Më pak seksione dhe më shumë pengesa për votën e bullgarëve jashtë vendit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgaria është përballë një tjetër votimi të parakohshëm parlamentar, ndërsa në prag të tij deputetët po përgatisin ndryshime në Kodin Zgjedhor.Pasi në një mbledhjeje urgjente 14-orëshe të Komisionit Ligjor në Kuvend, ndryshimet u miratuan, për dy ditë radhazi parlamenti nuk arriti të mbledhë kuorum për t'i shqyrtuar. Më shumë debate në komision shkaktoi propozimi që votimi me makina të zëvendësohet me numërimin me makinë të fletëve të votimit prej letre.


FOTO: BTA

Kur parlamenti arriti të zhvillonte seancën e radhës, pas debateve të ashpra që zgjatën mbi pesë orë e gjysmë, deputetët miratuan në lexim të parë amendamentin për kufizimin e seksioneve në vendet jashtë BE-së në 20. Parlamenti hodhi poshtë propozimin për rikthimin e protokollit elektronik të votimit. Tani pritet që ndryshimet të miratohen edhe në lexim të dytë.



FOTO: BTA

Ndërkohë, vullnetarët zgjedhorë dhe organizatorët e procesit për bullgarët jashtë vendit nga Britania e Madhe, SHBA dhe Kanada reaguan ashpër ndaj një pjese tjetër të ndryshimeve, konkretisht ndaj kufizimit të numrit të seksioneve të votimit në maksimum 20, jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore, në shtetet jashtë Bashkimit Evropian.


Bernard Konfortov

FOTO: Arkiv personal

“Prej disa ditësh, të gjithë ne që jemi të angazhuar në ndonjë mënyrë me procesin zgjedhor, nuk mund të shpëtojmë nga ndjesia e déjà-vu-së. Kjo nuk na ndodh për herë të parë - komentoi për Radio Bullgarinë Bernard Konfortov – biolog molekular i dalë në pension, që jeton në Britaninë e Madhe nga viti 1991. Ai ka vëzhgime serioze mbi organizimin e votës jashtë vendit, pasi merr pjesë në proces si vullnetar zgjedhor që nga viti 2014: - Mbaj mend se në vitin 2016 disa patriotë bënë të njëjtën gjë me një nen 14, paragrafi 5, me të cilin kufizuan seksionet jashtë BE-së në 35. Në vitet e fundit, seksionet në vend janë 120, që shërbejnë midis 20 dhe 30 mijë qytetarëve që votojnë. Duke pasur parasysh se tani duan t’i reduktojnë në 20 seksione, kjo do të thotë një ulje e 6-fish, dhe logjika pas kësaj është që numri i votuesve do të ulet në të njëjtin raport. Do të dalin të votojnë disa mijëra njerëz, ndërsa të gjithë të tjerët do të privohen nga mundësia për ta bërë këtë. Arsyeja? Sa mundësi ka që dikush të shkojë deri tek një seksion që ndodhet rreth 100 kilometra larg vendit ku jeton dhe, kur arrin aty, të gjejë një radhë me mundësi minimale për t’ia dalë të arrijë deri në kutitë e votimit brenda ditës zgjedhore?”


FOTO: BTA

Sipas Konfortovit, dëshira për të reduktuar numrin e seksioneve lidhet me idenë e organizatave patriotike për të kufizuar votën në Turqi, ku sipas traditës ekziston një interes i madh i bullgarëve të shpërngulur për të marrë pjesë në zgjedhje. “Askush nuk flet për këtë, por është më se e qartë se për këtë bëhet fjalë. Gjithmonë ka qenë për këtë! Dhe në kuadër të kufizimit atje, bëhet edhe një kufizim në të gjitha vendet e tjera jashtë BE-së.” Kjo çon gjithashtu në problemet kryesore – pamundësinë për të votuar të gjithë ata që dëshirojnë dhe vështirësitë serioze të komisioneve të seksioneve për të përballuar fluksin e madh të votuesve që pritet.

FOTO: BGNES

“Unë jetoj në Anglinë Lindore, në Kembrixh. Në zonën time, sa mbaj mend nga zgjedhjet e mëparshme, kishte 12 seksione, ndërsa në vitin 2021 ishin vetëm 3. Në seksionin në Kembrixh, ku unë bëj pjesë në komision, zakonisht votojnë përafërsish nga 200 deri në 350 veta. Në zgjedhjet e prillit 2021 morën pjesë  pak më shumë se 1300 persona, dhe ishte një lloj “tmerri” që arritëm ta menaxhonim, por nuk ishte aspak e lehtë. Disa njerëz mbetën pa mundësinë të votojnë, e të mos flasim për seksionet në Londër, ku votuan mbi 1800 persona – pritja zgjaste orë të tëra. Kjo ndodhi kur ishin 35 seksione, dhe nuk është e vështirë të imagjinosh sa pranë katastrofës do të ishte procesi i votimit me vetëm 20 seksione. Duhet të kemi parasysh edhe një gjë tjetër – nga këto 20 seksione, të paktën gjysma do të jenë në Londër, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të mbulohet me rreth dhjetë seksione.”

FOTO: Facebook /Vullnetarë zgjedhorë në Mbretërinë e Bashkuar(Nikolay Petkov)


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova