Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Premte 30 Janar 2026 20:35
Premte, 30 Janar 2026, 20:35
Monumenti i Voivodës Strahill në qytetin e Vetrenit
FOTO: pa1-media.bg
Madhësia e shkronjave
Vojvoda legjendar Strahill nuk është vetëm një hero tërheqës i folklorit bullgar, por edhe një figurë reale historike. Ai jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të XVII-të dhe, sipas burimeve autoritare, lindi në fshatin Vetren – sot një qytet i vogël në krahinën e Pazardzhikut, i vendosur pranë hyrjes së kalimit malor “Portat e Trajanit”, ku në lashtësi kalonte rruga romake që lidhte Evropën Perëndimore me Kostandinopojën. Banorët e Vetrenit, për shekuj me radhë, gëzonin statusin e derventxhinjve – të krishterë në tokat nën sundimin osman, të cilët kishin detyra të veçanta për të ruajtur kalimet malore nga kusarët dhe për të siguruar kalimin e njësive të rregullta ushtarake gjatë fushatave. Të organizuar në një strukturë ushtarake, të armatosur dhe të vendosur, derventxhinjtë gëzonin privilegje të posaçme, ndërsa udhëheqësit e tyre mbanin gradën e pashait – një titull i lartë në Perandorinë Osmane, i barasvlershëm në ushtri me atë të gjeneralit ose admiralit. I lindur mes këtyre burrave trima, Strahili nuk dëshironte t’i shërbente perandorisë. Ai u ngrit kundër shtypësve, organizoi një çetë të fuqishme, sulmoi përfaqësuesit e pushtetit dhe ndëshkoi ata, që shqetësonin popullsinë bullgare. Për armiqtë ai ishte i tmerrshëm jo vetëm për veprat e tij, por edhe për pamjen e jashtme. Jo rastësisht në këngët popullore njihet si “Strahill, vojvodë i tmerrshëm” – legjendat thonë se ai ngjallte frikë vetëm me një vështrim.
"Vojvoda Strahill", piktor Nikollaj Rusev
FOTO: Arkiv
Strahili u përfshi në kryengritjen e udhëhequr nga kryengritësi bullgar Petër, i njohur me nofkën Karposh. I vendosur në krye të një çete hajdutësh në rajonin e Dospatit në fund të shekullit të XVII-të, në vitin 1689 Karposhi tashmë kishte famën e një vojvode të shquar dhe i udhëhoqi bullgarët në pjesët veriore dhe verilindore të Maqedonisë në kryengritje kundër pushtetit osman gjatë Luftës Austro-Turke. Fakti që iu bashkua Karposhit i solli Strahilit, vojvodë, autoritet të madh në sytë e austriakëve, të cilët e konsideronin përfaqësues të bullgarëve kryengritës me rangun e gjeneralit në ushtrinë austriake.
Shkrimtari i shquar i oborrit osman nga fundi i shekullit të XVII-të dhe fillimi i shekullittë XVIII-të, Siljahdar, shkruan për të me urrejtje të hapur. Sipas kronistit, Strahili “ngre flamurin” me 200 veta dhe, “së bashku me 4000 gjermanë, hungarezë dhe kaçakë”, mori pjesë në sulmin kundër Kjustendillit në vitin 1689 gjatë Luftës së Madhe Turke, duke hyrë në betejë me një ushtri të rregullt osmane shumë të madhe. Gjatë përgatitjes së sulmit osman drejt Nishit, Strahili arriti të largohej nga kështjella dhe të shpëtonte, por kur qyteti u pushtua, familja e tij u kap dhe u shit si skllevër. Pas rënies së Nishit, fati i tij nuk dihet me siguri. Legjenda thotë se ai u kap dhe u vra në Stamboll, por sipas hulumtimeve, në fillim të shekullit të XVIII-të, ai së bashku me çetën e tij u vendos në Stranxha. Emri i tij përmendet për herë të fundit në vitin 1711 gjatë një prej Luftërave Ruso-Turke, lidhur me veprime kaçake në prapavijën e ushtrisë osmane. Supozohet se Strahili ka humbur jetën në zonën e fshatit Fakia në malin Stranxha. Flamurtari i Strahilit ishte një kaçak me nofkën Atmaxhata – po aq i guximshëm sa drejtuesi i tij dhe gjithashtu i lavdëruar në këngët popullore.
Skenë nga filmi “Strahill Vojvoda”, 1938
FOTO: mubi.com
Teksti më i njohur i këngës “O Strahill, o vojvodë i tmerrshëm” është një dialog mes flamurtarit Atmaxhata dhe vetë Strahilit. Vojvoda i rrëfen flamurtarit të tij një ëndërr të rëndë, në të cilën kishte parë shumë ndjekës të armatosur deri në dhëmbë. Atmaxhata e qetëson, se mjafton pamja e Strahilit për të ngrirë çdo armik. Në fund, Strahili përballet me të vërtetë me një ushtri të shumtë armike dhe arrin të vrasë komandantin e saj.
Interpretimi më mbresëlënës i këngës për vojvodën e frikshëm Strahill është përpunimi i Stefan Mutafçievit për soliste dhe kor popullor, i regjistruar nga e madhja Valja Balkanska së bashku me këngëtaret e Ansamblit Folklorik “Rodopa” - Smolian.
Stefan Mutafçiev (1942 – 1997)
FOTO: ubc-bg.com
I lindur në vitin 1942, Stefan Mutafçiev mbaroi Akademinë e Muzikës në Sofje me specializim në kompozicion te prof. Veselin Stojanov. Krijimi i Ansamblit Shtetëror Folklorik “Trakia” në Plovdiv në vitin 1974 i jep mundësinë muzikantit të ri të shfaqë talentin e tij të padiskutueshëm, si dirigjent kori dhe autor i një pjese të madhe të këngëve dhe valleve në programin e parë të ansamblit. Deri më sot, emri i tij lidhet kryesisht me ansamblin “Trakia”, ku ai është edhe drejtuesi kryesor artistik. Në periudhën nga viti 1977 deri në vitin 1984, Mutafçiev ishte konsulent i Ansamblit “Rodopa”, dhe ndër veprat e tij më të spikatura, të lindura nga ky bashkëpunim, studiuesit pa hezitim e vendosin në vend të parë “O Strahill, o vojvodë i tmerrshëm”.
Valja Balkanska (në rreshtin e parë, në mes) me këngëtare nga Ansambli “Rodopa”
FOTO: rodopa-ensemble.com
Karriera e këngëtares Valja Balkanska – një nga emblemat e Bullgarisë – nis në moshën 18-vjeçare, me dëgjimet e para për t’u bërë pjesë e ansamblit folklorik të sapoformuar në Smoljan. Regjistrimi i saj si soliste i këngës madhështore për Strahil vojvodën daton në vitin 1979 – dy vjet pasi hiti i saj i pakrahasueshëm “Doli Deljo kaçak”, i përfshirë në Pllakën e Artë në bordin e Sondës Kozmike “Voyager 1”, nisi udhëtimin e tij kozmik.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova