Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Dielë 1 Shkurt 2026 09:00
Dielë, 1 Shkurt 2026, 09:00
Ivo Vërbanov
FOTO: musicaperpetua.com
Madhësia e shkronjave
Muzikanti i jashtëzakonshëm Ivo Vërbanov prej dekadash jeton në Londër. Ai ka lindur nëqytetin Plevën (Bullgaria Veriore) në vitin 1972. Pak para
ditëlindjes së tij të nëntë, Ivo Vërbanov u nis për në Itali së bashku me nënën e tij. Në fund të viteve ’80 dhe në
fillim të viteve ’90 të shekullit XX, ai punoi me pianisten dhe pedagogen e
famshme hungareze Ilonka Deckers në Milano.Më pas u specializua në Akademinë Mbretërore të
Muzikës (Royal Academy of Music) në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka mbajtur
recitale dhe koncerte me orkestër në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, Francë,
Spanjë, Irlandë, Gjermani, Holandë, Sllovaki, Poloni, Rusi, Turqi dhe SHBA. Pas
një ndërprerjeje të detyruar të veprimtarisë koncertore midis viteve 2009 dhe
2012 për shkak të një sëmundjeje të rëndë, Ivo Vërbanov u rikthye në skenën
londineze me paraqitje të shkëlqyera, përfshirë edhe me Orkestrën Mbretërore Filarmonike (Royal Philharmonic
Orchestra). Pianisti është fitues i çmimit “Ivan Vazov” për promovimin e
kulturës bullgare jashtë vendit.
FOTO: Facebook/ Ivo Varbanov
Në vitin 2011 ai mori edhe çmimin “Luani i Argjendtë” nga Ministria e
Punëve të Jashtme e Bullgarisë. Muzikanti ka realizime diskografike për Hyperion Records, Lorelt Records, Gega New,
Radion Kombëtare Bullgare, Orchid Classics dhe ICSM Records (një kompani e
pavarur diskografike e themeluar prej tij dhe bashkëshortes së tij – pianistes
italiane Fiammetta Tarli).
Ivo Vërbanov dhe bashkëshortja e tij Fiametta Tarli
FOTO: Tanja Dimova
Paraqitja e fundit e Vërbanovit në Sofje ishte në
Galerinë Kombëtare të Arteve. Recitali me një program jashtëzakonisht
intriguese – ciklet e fundit për piano të Panço Vlladigerovit – ishte një rast i shkëlqyer për një bisedë, në të cilën,
posaçërisht për Radio Bullgarinë, Ivo Vërbanov ndan fillimisht se si ndihet ai
vetë – bullgar, italian apo anglez.
"Unë nuk e pëlqej shumë të identifikohem me një kombësi të veçantë, sepse kjo çon në vetë‑kufizime dhe në gabime në jetë. Natyrisht, unë kam lindur këtu… lidhja ime me Bullgarinë nuk është shkëputur. Nuk do të mund të thosha se ndihem më shumë italian sesa bullgar. Megjithatë, prej shumë vitesh jetoj në Angli, ndaj ndoshta gjëja më e saktë për mua është të thuhet se kam lindur në Bullgari, dua disa gjëra në Bullgari, ashtu siç dua disa gjëra në Angli dhe disa gjëra në Itali, por nuk mund të pranoj absolutisht gjithçka që këto tre vende më ofrojnë, sepse çdo vend ka gjërat e veta të mira, por edhe ato jo aq të mira."
FOTO: Facebook/ Filarmonia e Sofjes
Repertori i tij është mbresëlënës: Hajdn, Betoven, Brams, shumë autorë të
shekullit XX… “Në fakt, kam luajtur mjaft muzikë bullgare – tregon Vërbanov. –
Gjatë pandemisë duhej të regjistroja Koncertin e Parë dhe të Tretë të Vlladigerovit me Orkestrën Simfonike të BBC-së nga Skocia
/BBC Scottish Symphony
Orchestra/. Për fat të keq, regjistrimi dështoi. Që atëherë shumë gjëra kanë
ndryshuar në strukturën e BBC-së… Kontabiliteti ka filluar të jetë më i fortë
se drejtimi artistik i orkestrave.Filluan të regjistrojnë tepër shumë muzikë komerciale – gjëra që ndoshta
nuk kanë vlerë artistike dhe rëndësi historike, por që në fakt kanë çmim dhe
vlerë tregtare… Bota e muzikës është mjaft e ndërlikuar për momentin dhe nuk e
di nëse do të mund të gjendet një zgjidhje e shumë nga problemet që ekzistojnë."
Në vitin 2003, Vërbanov hodhi themelet e një projekti për prodhimin e verës
në Bullgari. Vreshti i tij, i mbjellë në vitin 2006, ndodhet në Sakar të Jugut(Bullgaria Juglindore). Vera e parë doli në
treg në vitin 2011. Disa vite më vonë, pianisti u bë i vetmi përfaqësues
bullgar në Akademinë Ndërkombëtare të Verës në Gjenevë, ndërsa ndër klientët e
tij të njohur janë muzikantët e Depeche Mode dhe Simply Red, aktori Michael
Gambon, si edhe kompania Berry Bros. Verërat e tij nuk janë masive. Të rralla,
të shtrenjta, shumë të vlerësuara – duket se edhe në këtë fushë Ivo Vërbanov
dëshiron të jetë më i miri. A synon ai perfeksionizmin edhe këtu – ashtu si në
muzikë?
FOTO: ivovarbanov.com
"Nuk e di nëse fjala e saktë është perfeksionizëm. Ndoshta është kërkimi i asaj që më pëlqen – domethënë diçka me të cilën do të isha i kënaqur dhe me të cilën do të flija i qetë, duke ditur se e kam kryer punën time. Ndoshta me të vërtetë standardi që kam për verën është i lartë. Rruga ime në botën e verës ka filluar si konsumator. Jo si një njeri që ka toka familjare dhe ka vendosur të bëjë diçka me to, por si një entuziast që vlerëson aspektin kulturor të verës, do të thosha më shumë, sesa elementin hedonist."
Nga kjo fushë e jetës së tij ai është mjaft i kënaqur. A do të kthehej në Bullgari, duke qenë se ka edhe biznes këtu? “Kjo është një pyetje interesante – çfarë do të thotë saktësisht të kthehem? Unë, në fakt, jam shumë shpesh në Bullgari. Është fakt që praktikisht jetojmë në tre vende: Bullgari, Itali, Angli. Në këtë fazë kjo është ndoshta gjëja e duhur për ne. Unë nuk do të jetoja përgjithmonë në Londër, në Itali apo në Sofje, sepse kjo është kufizuese.”
Bullgarinë ai e lidh para së gjithash me natyrën, me historinë interesante,
me artefakte nga e kaluara e largët… dhe natyrisht me miqtë. Duke qenë se ai
preferon repertorin romantik, ndoshta është romantik? “Ndoshta po, por ndoshta
– jo. Nuk e di, sinqerisht nuk mund ta përcaktoj veten.” Po ëndërrimtar? “Po,
këtë po – patjetër!” Çfarë ëndërron për djalin e tij? “E vetmja gjë që ëndërroj
për të është të bëjë atë që dëshiron të bëjë në jetën e tij.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva