HISTORI

Artikull

Shën Martiri Trifon – predikues i hershëm i krishterë

Dielë, 1 Shkurt 2026, 06:45

Shën Trifoni

Shën Trifoni

FOTO: Facebook/Mitropolia e Vidinit

Madhësia e shkronjave

Më 1 shkurt Kisha Ortodokse kremton Shën Martirin Trifon – predikues i hershëm i krishterë, shërues, mrekullibërës, i cili e përfundoi jetën e tij si martir.

Shën Trifoni lindi rreth vitit 225 në provincën e Azisë së Vogël, Frigji, në qytetin Apamia – një zonë bujqësore që konsiderohet si një nga vendlindjet e hardhisë dhe verës. Vetëm 17 vjeç, ai fitoi famë të madhe pasi shëroi vajzën e bukur të perandorit romak Gordiani III. Si pasojë e kësaj mrekullie, shumë njerëz besuan dhe pranuan pagëzimin e krishterë.

Por pasardhësi i Gordianit – Decij Trajani – doli të ishte një armik i papajtueshëm i krishterimit. Në përpjekjen e tij për të siguruar mbështetjen e perëndive olimpike, ai i detyroi nënshtetasit e tij të dëshmonin publikisht nderimin ndaj tyre. Shumë të krishterë refuzuan dhe iu nënshtruan represioneve. Ndër të akuzuarit ishte edhe Trifoni.

Akuilini, i cili në atë kohë sundonte në Nikea, dërgoi roje për ta sjellë Trifonin, me qëllim që ta bindte të zbatonte urdhrin e perandorit. Por ai u tregua si një ndjekës i zjarrtë dhe i palëkundur i Krishtit dhe refuzoi me vendosmëri të bënte flijime para statujave të perëndive pagane dhe të perandorit. U dënua me prerje koke, por vdiq nga plagët e marra gjatë torturave.

Shën Trifoni konsiderohet mbrojtës i bujqësisë dhe i vreshtarisë. Veçanërisht e fuqishme është ndërmjetësimi i tij në luftën kundër insekteve dhe kafshëve që dëmtojnë bimët. Ai paraqitet me kryq në dorë, si të gjithë martirët; në disa prej paraqitjeve mban një drapër, si shenjë se mbron bujqit dhe vreshtarët, ose një kuti me mjete mjekësore – atribut karakteristik i shenjtorëve shërues dhe bamirësve që nuk marrin shpërblim.

Tradicionalisht, tek ne në Ditën e Trifonit bëhet shenjtërimi dhe bekimi i vreshtave, dhe priftërinjtë i luten Zotit t’i ruajë mbjelljet nga çdo sulm i dëmshëm dhe t’i dhurojë me fryt të bollshëm.

Përpiloi: Ekipi i Radio Bullgarisë në bashkëpunim të Aleksandra Karamihalevës, kryeredaktore e gazetës “Gazeta Kishtare”

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova