Artikull
Hënë 2 Shkurt 2026 15:47
Hënë, 2 Shkurt 2026, 15:47
FOTO: womeninpolarscience.org
Madhësia e shkronjave
Katër bullgare janë përfshirë në përzgjedhjen e rrjetit WiPS (Women in Polar Science) – një nismë globale që synon të lidhë dhe të inkurajojë gratë që punojnë në shkencat polare dhe t’i bëjë ato më të dukshme për shoqërinë. Këtë e njoftoi në faqen e vet në Facebook Instituti Bullgar i Antarktikut. Bashkatdhetaret tona të përzgjedhura janë Kremena Georgieva, Ralica Sëbeva, Denica Apostollova dhe Iglika Trifonova.
Kremena Georgieva
FOTO: womeninpolarscience.org
Kremena Georgieva punon si menaxhere në një kompani të madhe private në Bullgari, por paralelisht zhvillon edhe interesat e saj shkencore në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe në speleologji. “Unë jam anëtare e Ekspeditës së 33‑të Antarktike Bullgare dhe anëtare e Ekspeditës së 3‑të Bullgare të Shpellave në Indokinë. Jam një nga vetëm pesë bullgarët që kanë marrë pjesë në një studim shkencor në terren në një çarje antarktike”, tregon ajo për faqen e rrjetit. Filozofinë e saj ajo e përshkruan kështu: “Të gjitha gjërat janë të lidhura dhe veprat e vogla me të vërtetë kanë rëndësi. Njohja dhe kuptimi janë thelbësore për një ndryshim të vërtetë.”
Ralica Sëbeva
FOTO: womeninpolarscience.org
Ralica Sëbeva është asistente që ligjëron gjeologji ekonomike dhe mineralogji xeherorësh në Universitetin e Sofjes. Kërkimet e saj polare janë të përqendruara në mineralizimin e xeheroreve në ishullin Livingston, ku ajo zbuloi ar për herë të parë. “Antarktida më formoi si shkencëtare – më mësoi qëndrueshmëri, kureshtje dhe përgjegjësi ndaj planetit tonë. Synoj ta hap botën polare për studentët, shkollat dhe publikun përmes arsimit dhe aktiviteteve informuese”, ndan ajo.
Denica Apostollova
FOTO: womeninpolarscience.org
Denica Apostollova është studiuese në Universitetin e Sofjes në fushën e gjeokimisë organike. “Puna ime fokusohet në mënyrën se si përbërjet organike natyrore dhe antropogjene – veçanërisht hidrokarburet aromatike policiklike dhe biomarkerët – pasqyrojnë proceset ekologjike dhe dinamikën e ndotjes. Kërkimet e mia shtrihen edhe në rajonet polare përmes tre ekspeditave në Bazën Antarktike Bullgare”, tregon studiuesja.
Iglika Trifonova
FOTO: womeninpolarscience.org
Iglika Trifonova është menaxhere e “Komunikimeve” në Institutin Bullgar të Antarktikut. “Misioni im është të siguroj që
aktivitetet e kryera nga shkencëtarët tanë në Antarktidë të kenë ndikim të madh
shoqëror dhe të jenë të pranishme në media.” Si rezultat i punës sime, së
fundmi në Bullgari u botuan mbi dhjetë libra për Antarktidën dhe studiuesit
polarë. Jam bashkautore e “Kuzhinës Antarktike” – një libër unik dygjuhësh që
bashkon historinë kulinare të ekspeditave të para antarktike dhe përvojën e 36
kuzhinierëve nga 29 vende të botës, me më shumë se 60 receta dhe sekrete
profesionale për përgatitjen e ushqimeve në Antarktidë. “Unë studioj njerëzit
në Antarktidë dhe mënyrën se si ata krijojnë komunitete atje”, ndan me rrjetin
Iglika Trifonova.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva