Autor
Diljana Traçeva
Martë 3 Shkurt 2026 05:50
Martë, 3 Shkurt 2026, 05:50
FOTO: YouTube / KlasOfficial
Madhësia e shkronjave
Një nga grupet më të rëndësishme bullgare nga fundi i shekullit XX – “Kllas” – shënon dyzetvjetorin e vet. Muzikantët janë ndër themeluesit e “new wave” në Bullgari dhe grupi mbeti në historinë tonë muzikore edhe me mesazhet e thella që emocionojnë edhe sot.
Ngjarjet e lidhura me 40‑vjetorin e nderojnë këtë trashëgimi të pasur me ribotimin në vinil të albumeve legjendare “Zonja Emilia” dhe “Dëgjo fort”. Por Bojko Petkov, Ivan Gradinarev dhe Momçill Kolev janë këtu edhe sot si një grup aktiv koncertues – ata tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në festivalin PHILLGOOD, i cili do të zhvillohet midis 17 dhe 19 korrikut 2026 në Bazën e Varkave në Plovdiv. Atje do të ndajnë të njëjtën skenë me yjet botërorë The Cure. Përveç kësaj, muzikantët po incizojnë një album të ri, i cili pritet në fund të vitit. Në një ngjarje të padiskutueshme u shndërrua edhe realizimi i versionit të ri të njërës prej këngëve më të njohura të “Kllas” – “Më merr malli për ty”.
Rikthimi i madh i grupit “Kllas” në fakt fillon që në vitet e para të mijëvjeçarit të ri, kur ata mblidhen për të marrë pjesë në një koncert në kujtim të Dimitër Voev, frontmen i një tjetër bande bullgare emblematike të “new wave” – “Nova Generacia”. Momçill Kolev rrëfen:
Monçill Kolev
FOTO: BGNES
"Atëherë pamë se salla ishte plot vetëm me të rinj – një brez krejtësisht i ri njerëzish që këndonin këngët e “Kllas” dhe nuk na linin të zbrisnim nga skena, gjë që për ne ishte një lumturi e madhe. Kjo vazhdimësi mes brezave na gëzoi shumë dhe vendosëm sërish të ringjallim aktivitetin rreth grupit. Bëmë një koncert të madh në vitin 2013 dhe që atëherë kemi regjistruar vetëm albume. Publiku na pyeste vazhdimisht: 'Kur do të performoni live?' – dhe ja që po vjen koha për këto ngjarje në historinë e “Kllas."
Sipas Momçill Kolevit, interesimi aktual i të rinjve për estetikën dhe muzikën e viteve ’80 lidhet me romantikën dhe ndjenjat e larta që karakterizonin krijimtarinë e asaj periudhe dhe që mungojnë në kohën tonë. Për vazhdimësinë mes brezave flasin edhe anëtarët e rinj – muzikantë të rinj që i janë bashkuar grupit për performancat e tyre live: në bas‑kitare është Emill Petkov, djali i Bojko Petkovit, dhe Kallojan Ramadanov në bateri.
Këtë vit aktiviteti i grupit po rritet – përveç pjesëmarrjeve koncertore, edhe me idenë që kënga “Më merr malli për ty” të riregjistrohet krejtësisht nga e para, me një aranzhim të ri – sa më afër origjinalit, por më të gjerë, me më shumë tinguj të kitarës dhe të përshtatur me mjetet shprehëse bashkëkohore.
Deri në fund të vitit priten edhe dy klipe të tjera të këngëve të njohura të grupit “Kllas” në versione të reja, pas së cilave do të dalë edhe një album me material të ri autorial. Albumi do të jetë veçanërisht interesant, sepse do të zhvillojë ide nga formacioni fillestar i grupit – disa nga këngët janë frymëzuar nga ide të krijuara para 40 vitesh, por të përpunuara në një mënyrë të re. Kështu muzikantët e rikthejnë grupin “Kllas” te fryma që ai mbante atëherë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva