Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Mërkurë 4 Shkurt 2026 07:05
Mërkurë, 4 Shkurt 2026, 07:05
FOTO: Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
Madhësia e shkronjave
A e dini se “Abagar” është emri i librit të parë të shtypur që përmban elemente të gjuhës bullgare të re? Ai u botua në vitin 1651 në Romë nga dijetari Filip Stanisllavov, i cili më vonë u bë peshkop katolik i Nikopolit. Libri ishte menduar të mbahej si një amulet, dhe në pesë faqet e tij janë shkruar lutje dhe bekime për nevojat e katolikëve në Bullgari. Ky libër mund të konsiderohet edhe si simbol i lidhjes shpirtërore midis Bullgarisë dhe Italisë.
Këtë lidhje, gjatë vitit të tanishëm shkollor, vazhdojnë ta ndërtojnë njëmbëdhjetë shkolla bullgare të së dielës dhe degët e tyre në “vendin e çizmes”. Në Romë ndodhet edhe një nga këto qendra, e cila ka zgjedhur veprën e Filip Stanisllavovit si patron të saj.
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
Në fakt, historia e shkollës bullgare të së dielës “Abagar” nis nga qytetet pranë kryeqytetit italian – Nettuno dhe Ladispoli, të cilat ndodhen rreth 70 km nga Qyteti i Përjetshëm dhe në të cilat jeton një komunitet i madh bullgar.
Aty, në vitin 2020, hapën dyert dy degët e para të shkollës, e cila është regjistruar si pasardhëse e shkollës më të vjetër bullgare në Romë – shkolla bullgare e së dielës “Shenjtorët Kirill dhe Metodij”.
“Për shkak të interesit të madh nga prindërit, gjatë vitit tjetër shkollor hapi dyert edhe dega në Qytetin e Përjetshëm”, tregoi për Radio Bullgarinë drejtoresha Natalia Bosollova.
Ajo ndan me krenari se gjatë vitit shkollor 2025/26 nxënësit e shkollës janë 107, pra 14 më shumë se vitin e kaluar.
Natalia Bosollova
FOTO: Facebook /Natalia Bosollova
Vëzhgimet e Natalia Bosollovës konfirmojnë pohimet se gjithnjë e më shumë fëmijë “tanët” lindin jashtë vendit dhe për ta gjuha bullgare nuk është më “amtare”, por duhet ta mësojnë si gjuhë të huaj.
90% e nxënësve në tre degët e shkollës bullgare të së dielës “Abagar” kanë lindur jashtë Bullgarisë, dhe rreth 50% prej tyre rriten në familje me martesë të përzier. Shumë nga fëmijët nuk e vizitojnë vendin tonë deri në moshë të vonë, dhe kjo është arsyeja pse Natalia dhe ekipi i saj e kanë marrë si mision t’u ngjallin nxënësve dashuri për atdheun tonë – një dashuri që ata e kanë natyrshëm për Italinë, vendin ku kanë lindur. Në këtë mision, bashkëpunëtorë të paçmuar janë prindërit dhe aktivitetet jashtëshkollore në shkollën bullgare.
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
“Aktiviteti ynë jashtëshkollor ka qenë gjithmonë i orientuar drejt përfshirjes së prindërve si një komunitet. Kështu, me kalimin e viteve u krijuan edhe ekskursionet tona shkollore vjetore me pjesëmarrjen e tyre. Interesi ka qenë gjithmonë shumë i madh. Përmes tyre përpiqemi të ndërtojmë një lidhje të dukshme midis Bullgarisë dhe Italisë, të tregojmë traditat e përbashkëta, sepse ka të tilla.Prej dy vitesh е udhëheqim grupin tonë në Bullgari në kuadër të Programit Kombëtar ‘Rrugë Arsimore’ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Udhëtimet janë gjithashtu pjesë e aktivitetit tonë jashtëshkollor” – na shpjegon drejtoresha.
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
Këto udhëtime drejt rrënjëve janë pjesë e atij mësimi aq të domosdoshëm për atdhedashuri. Përjetimet ndërtojnë një imazh të plotë të Bullgarisë dhe krijojnë kujtime të paharrueshme – për këtë mund të bindeni edhe ju duke parë videon e shkurtër. Në të kemi mbledhur të gjitha fotot dhe përshtypjet që fëmijët e shkollës së të dielës “Abagar” ndanë me Radio Bullgarinë në kuadër të nismës sonë “Mësim për Bullgarinë”.
Rruga e parë në kuadër të programit “Rrugë Arsimore” shkolla “Abagar” e realizoi në korrik të vitit 2024.
“Rruga ishte vazhdim i një projekti tonë, i financuar sërish nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në të cilin paraqitëm kryeqytetet e vjetra para komunitetit bullgar dhe para mysafirëve tanë italianë në Itali. Ishte një mundësi e shkëlqyer që përmes ‘Rrugëve Arsimore’ fëmijët t’i shihnin këto qytete nga afër – vizituam Presllavin e Madh, Shumenin dhe Veliko Tërnovon’, rrëfen Natalia Bosollova.”
Në gusht të vitit 2025 një grup prej 23 fëmijësh nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën u kthyen sërish “në shtëpi”, dhe pika e tyre e parë ishte Plovdivi – një qytet i lashtë që krijon një urë drejt shqisave të fëmijëve përmes historisë dhe lidhjes së tij me Romën e lashtë dhe rrethinat e saj, prej nga vijnë edhe vetë ata.”
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
“Një nga ndalesat më mbresëlënëse ishte Teatri Antik – një nga teatrot romakë më të mirëruajtur në botë – na tregon Nikol: ‘Mësova se është ndërtuar në shekullin I pas Krishtit, në kohën e perandorit romak Trajan, dhe se ka pasur kapacitet nga 5000 deri në 7000 spektatorë. Nga teatri shfaqej një pamje mbresëlënëse drejt qytetit dhe kodrave përreth. Një panoramë që më tregoi pse Plovdivi është një nga qytetet më të bukura në Ballkan. Ata kërkonin vazhdimisht ngjashmëri dhe dallime me vendet që njohin në Romë dhe interesi i tyre ishte shumë i madh” – kujton Natalia Bosollova.
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
Pas Plovdivit, grupi u drejtua drejt bregdetit bullgar të Detit të Zi, dhe më magjepsës për fëmijët rezultuan të ishin Nesebëri i vjetër dhe kriporet pranë Burgasit.
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
“Këtë verë patëm fatin të vizitonim Nesebërin, një nga qytetet më të vjetra në Bullgari. Hymë në muzeun e Nesebërit të Vjetër së bashku me shokët e mi të klasës nga shkolla e së dielës ‘Abagar’. U shëtitëm nëpër rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku koha sikur ishte ndalur, dhe ishte vërtet shumë bukur” – rrëfen Mateo. Ndërsa Emma Karli shton përshtypjet e saj të paharrueshme:
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
“Ishte shumë interesante të shihja Aheloin, sepse me mësuesen e historisë kemi mësuar për betejën e Aheloit – ishte kureshtare ndjesia të dimë se ku ka ndodhur diçka kaq e rëndësishme. Më pëlqeu gjithashtu shumë edhe për faktin se ishte shumë afër Burgasit dhe pamë detin, i cili ishte shumë i bukur dhe shumë i qetë. Na çuan edhe në Pomorie, një qytet shumë i njohur për baltën shëruese dhe prodhimin e rrushit. Vizituam edhe Muzeun e Kripës në Pomorie, i cili është i vetmi në Evropën Lindore për prodhimin e kripës së detit. Vendosa të marr një kavanoz me kripë, sepse e dua shumë Detin e Zi dhe kështu mund ta kem si kujtim gjatë vitit, ndërsa jetoj në Romë. Ishte një udhëtim shumë argëtues dhe do ta bëja sërish.”
FOTO: Facebook /Shkolla e së dielës "Abagar" në Romë
“Bullgaria nuk është vetëm një vend në hartë – ajo është kujtesë, shpirt dhe bukuri që duhen ruajtur,” përmbledh Aleksandra. Nga fjalët e saj bindemi për kuptimin e thellë të programeve si “Rrugë Arsimore” – të arrijnë, përmes prekjes personale me bukuritë e vendit tonë, të ruajnë rrënjët bullgare te fëmijët që jetojnë në një mjedis multikulturor.
“E rëndësishme është që këta fëmijë të ruajnë dashurinë dhe traditat e Bullgarisë. Të njohin territorin e saj jo vetëm si trashëgimi kulturore, por edhe si një tërësi gjeografike – kjo ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar,” thotë Natalia Bosollova. Ndërsa urimi i saj për bashkatdhetarët, prindër të fëmijëve bullgarë nëpër botë, është të udhëtojnë sot, që nesër të mund t’u tregojnë fëmijëve kujtimet e tyre.
“Të njohin dhe të ruajnë fëmijët tanë kulturën, artin, traditat dhe zakonet folklorike të Bullgarisë!”
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva