HISTORI

Artikull

Bullgarë, shqiptarë dhe gagauzë bashkëjetojnë në harmoni në fshatin Karakurt

Enjte, 5 Shkurt 2026, 06:35

Bullgarë, shqiptarë dhe gagauzë bashkëjetojnë në harmoni në fshatin Karakurt

FOTO: Skenë nga filmi dokumentar “Fshati Karakurt (Zhovtnevoe) në Besarabi (Ukrainë)” / YouTube

Madhësia e shkronjave

Nën hijen e një peme madhështore, diku në stepat e Besarabisë, disa banorë bëjnë zallamahi mes tyre. Në oborrin e fshatit përhapet një e folur e ngrohtë dhe e butë, si një puhizë nga kohë të shkuara, kur të shpërngulurit nga trevat bullgare sollën me vete gjuhën, traditat dhe kujtimet, duke lënë trashëgim kujtesën. Ndodhemi në Karakurt, dikur Zhovtnevoe, në rajonin e Odesës, në Ukrainë.

 

“Fshati im i lindjes është unik, sepse në të jetojnë njerëz të kombësive të ndryshme – shqiptarë, bullgarë dhe gagauzë. Ata u vendosën këtu në vitin 1811. Në fillim, gagauzët banonin në rrugën “Zareçnaja”, në rrugën e dytë jetonin bullgarët, ndërsa në rrugët më të sipërme u vendosën shqiptarët. Në fillim nuk martoheshin mes tyre, por me kalimin e viteve nisën të krijonin martesa të përziera…” Me këto fjalë, Anna Zheçeva-Zubricka na zhyt në atmosferën e një vendi ku shtëpitë duken të rregullta, rrugët të pastra, dhe çdo fije bari – ashtu si edhe njerëzit – mbetet e paprekshme nën rrezet e diellit.

 

Në dokumentarin e saj, të shfaqur në sallën “Kopshti i Dimrit” të Muzeut Kombëtar Etnografik në kryeqytet, autorja rrëfen për shumëllojshmërinë e kombësive dhe bashkëjetesën paqësore mes njerëzve, si edhe për aftësinë e tyre për të komunikuar në gjuhë të ndryshme. Vetë ajo ruan kujtesën e një të kaluare që ndërthuret natyrshëm me historinë kolektive të Karakurtit.

Anna Zheçeva-Zubricka

FOTO: Diana Cankova

Më shumë se 200 vjet më parë, dy vëllezër dhe një motër nga familja Zheçev braktisën fshatin e tyre të lindjes në rrethin e qytetit Slliven (Bullgari Juglindore) – rrëfen Ana Zheçeva. – Ata ishin të rinj dhe ende të pamartuar: djemtë 18 dhe 16 vjeç, ndërsa vajza vetëm njëmbëdhjetë. Prindërit i nisën drejt një toke tjetër për t’u shpëtuar jetën dhe për të vazhduar fisin, ashtu siç shkruan Niko Stojanov në poezinë e tij legjendare:

 

I la pas Ballkanet e shtrenjta,
jo për të kërkuar jetë të lehtë,
por që bullgar të mbetej përherë
dhe fisin e vet ta ruante të shenjtë
.”

 

Në fisin tim dhe në fshatin tonë, bullgarët e linin atdheun dhe shkonin atje ku kishte toka të lira, ku u jepej mundësia të krijonin një shtëpi – të ndërtonin banesat e tyre dhe të rritnin pasardhësit.”

 

Bullgarët, shqiptarët dhe gagauzët u shpërngulën në Karakurt nga zona të ndryshme të Bullgarisë – kryesisht nga treva e Dobruxhës, si edhe nga krahinat e Sllivenit dhe të Jambollit. Në atë kohë, secili popull fliste gjuhën e vet amtare; të gjithë i përkisnin besimit të krishterë ortodoks dhe ruanin traditat e zakonet e tyre. Me kalimin e viteve, kur nisën të martoheshin mes tyre, festat, traditat dhe zakonet u ndërthurën. E për t’u kuptuar me njëri-tjetrin, mësuan gjuhët e të tjerëve dhe flasin në të gjitha ato edhe sot e kësaj dite.

FOTO: YouTube

Në filmin tim desha të tregoj se si në një familje mund të jetojnë bullgarë, gagauzë dhe shqiptarë, të komunikojnë në të tre gjuhët, të ruajnë të tre kulturat, të gëzohen njëri për tjetrin dhe të mos vënë re dallimet – vazhdon Ana Zheçeva. – Thjesht kur ulet njeriu në një tavolinë dhe tregon diçka, familja kalon nga një gjuhë në tjetrën pa u ndjerë, sepse të gjithë e kuptojnë. E njëjta gjë është edhe me fqinjët, që dalin në rrugë dhe flasin mes tyre – gjatë viteve të fundit madje edhe në ukrainisht dhe rusisht. Ky është një fenomen.”

 

Sot në Karakurt jetojnë rreth 2300 banorë. Fatkeqësisht, shumë banorë nuk janë më në fshat – e braktisën për shkak të luftës, që tashmë katër vjet shkatërron vendin e tyre. Shumë nga njerëzit, kryesisht të rinjtë, po ndërtojnë tani një jetë të re në Bullgari. Të tjerët jetojnë bashkë, duke ndarë të njëjtën tokë dhe fat të përbashkët. Ata sigurojnë jetesën kryesisht nga bujqësia, blegtoria dhe ndërtimi, ndërsa në festat të gjithë mblidhen rreth tryezës.

FOTO: besarabia.bg

Një nga simbolet e Karakurtit është ajo që quhet “Dhoma e Muzeut”, ku ekspozitat na kthejnë në të kaluarën. “Kjo dhomë është zemra dhe shpirti i fshatit tonë”, thotë Ana Zhelesçeva, drejtoreshë e Shtëpisë së Kulturës dhe një nga personazhet e filmit. Në vendin që ajo drejton, shpesh mblidhen njerëzit për të luajtur valle, pa marrë parasysh nëse janë bullgarë, shqiptarë apo gagauzë.

 

“Para 200 vjetësh, të parët tanë erdhën këtu, në këtë tokë, dhe e bënë të lulëzojë, të bukur dhe shumë të mirë – shton ajo. – E tani fëmijët tanë shkojnë në Bullgari, atje mësojnë, atje krijojnë familje të reja bullgare, dhe atje mbeten për të jetuar.”

FOTO: besarabia.bg

Në fshat funksionon edhe Qendra Kulturor-Arsimore Bullgaro-Ukrainase “Media”, themeluar nga bullgarët etnikë, pasardhës të të shpërngulurve të dikurshëm nga trojet tona. Ajo ka një rrjet shkollash të së dielës, ku punojnë gjithsej 92 mësues, të diplomuar në universitetet më të mira të Bullgarisë, Ukrainës dhe Moldavisë.


FOTO: Qendra Kulturor-Arsimore Bullgaro-Ukrainase “Media”

Të rinjtë frekuentojnë gjithashtu ansamble vallesh dhe vokale, studio krijuese artistike. Çdo vit marrin pjesë në seminare trajnimi për kualifikim në Bullgari dhe fitojnë çmime në konkurse, olimpiada dhe festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Të vegjël e të mëdhenj, sot, nuk dallohen aspak nga njëri-tjetri – multikulturor dhe shumëgjuhësh, ata jetojnë në paqe dhe harmoni, dhe me krenari tregojnë se, megjithëse janë pasardhës të tre popujve të ndryshëm, janë të bashkuar dhe njësoj të afërt në shpirt.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova