Covid-19 në Bullgari: Dita e 130

Qeveria zgjati gjendjen e jashtëzakonshme epidemike në vend deri më 31 korrik

Gjendja e jashtëzakonshme epidemike në Bullgari zgjatet deri më 31 korrik, vendosi qeveria. Zgjatja e mëparshme u votua më 26 qershor dhe skadon në mesnatë më 15 korrik. Pandemia e Covid-19 po vazhdon të kërcënojë shëndetin e shoqërisë në plan kombëtar dhe botëror. Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme epidemike e lidhur me përhapjen e Covid-19 në territorin e vendit do të forcojë aplikimin e masave të përkohshme kundërepidemike me qëllim kufizimin e përhapjes së sëmundjes dhe ruajtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, thuhet në motivet për vendimin.

Bashkimi i Mjekëve Bullgarë insiston për laboratorë urgjentë për testim për Covid-19

Bashkimi i Mjekëve Bullgarë ngul këmbë të krijohen laboratorë urgjentë për testim për Covid-19. Qëllimi është që këta laboratorë të jenë jashtë spitaleve që të mos vihen në rrezik pacientët e tjerë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në etapën e tanishme nuk ka nevojë për laboratorë të tillë.

Mundësi Nikollaj Shterev humbi luftën me kronavirusin

Ish mundësi i ekipit kombëtar Nikollaj Shterev humbi luftën me kronavirusin dhe u nda nga jeta në moshën 33 vjeçare. Para afro një muaji ai u pranua në spital për shkak të keqësimit të shëndetit si rezultat i Covid-19 dhe u vendos në frymëmarrje me aparat. Tri javët e fundit ishte në komë. Nikollaj Shterevi fitoi Turneun Ndërkombëtar “Dan Kollov” në vitin 2011 në kategorinë 125 kilogramë dhe u bë kampion shtetëror në vitin 2018. Ai është bir i trajnerit të mundjes Simeon Shterev, i cili arriti të mundë virusin.

4.79 për qind  nga PCR testet brenda 24 orëve të fundit janë pozitive

234 janë rastet e reja të koronavirusit nga 4885 teste PCR të realizuara brenda 24 orëve të fundit, tregojnë të dhënat e Portalit Unik Informativ. Më shumë janë rastet e porsaregjistruara në Sofje - 99, në Pllovid – 24 dhe Bllagoevgrad – 19. Gjatë 24 orëve të fundit u shëruan 146 veta, ndërsa 7 vdiqën. Rastet aktive janë 3699. Në repartet intensive mjekohen 27 veta. Që nga fillimi i pandemisë në Bullgari u bënë 184 560 PCR teste nga të cilat pozitive ishin 7645, ose 4.14 për qind nga të gjitha testet, tregojnë të dhënat e Sistemit Informativ Kombëtar për luftimin e Covid-19.

Përmes pikës kufitare Kullata – Promahon në drejtim të Greqisë kalohet vetëm me PCR test negativ

Që nga 15 korriku shtetasit e BE-së që udhëtojnë për në Greqi kalojnë përmes pikës kufitare midis Bullgarisë dhe Greqisë Kullata – Promahon vetëm me rezultat negativ të PCR testit aktual në gjuhën angleze. Kontrollohet origjinaliteti i rezultatit të prezantuar. Mbetet testimi në kufi sipas parimit të rastit. Udhëtarët prezantojnë QR kod që marrin pas plotësimit të formularit për lokalizimin e qëndrimit. Përmes pikave të tjera kufitare të Bullgarisë mund të kalojnë vetëm punëtorë sezonalë pas prezantimit të kontratës së punës.

Hungaria vendosi karantinë 14 ditore për ata që mbërrijnë nga Bullgaria

Nga 15 korriku Hungaria klasifikon shtetet në kategoritë “e kuqe”, “e verdhë” dhe “jeshile” në varësi të situatës me kronavirusin në secilin prej tyre. Bullgaria hyn në listën e vendeve “të verdha” shtetasit e të cilave kalojnë kontrollim mjekësor në kufi dhe karantinohen për 14 ditë.

Hiqet karantina për të gjithë që mbërrijnë nga Britania e Madhe

Që nga 16 korriku në Bullgari mund të hyjnë pa karantinë të detyrueshme 14 ditore dhe pa PCR test të gjithë që mbërrijnë nga këto shtete: Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut, Islanda, Norvegjia, Zvicra, Lihtenshtajni, Republika e San Marinos, Andorra, Monakoja, Vatikani, Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Koreja, Tajlanda, Tunizia, Uruguaji dhe Ukraina. Nuk kërkohet PCR test edhe për personat që mbërrijnë nga shtetet anëtare të BE-së dhe të Hapësirës Shengen, me përjashtim të Suedisë dhe Portugalisë. Po vazhdojmë të punojmë me qeverinë britanike për heqjen e karantinës në Mbretërinë e Bashkuar për personat që vijnë nga Bullgaria, shkroi në Facebook Ministrja e Jashtme Ekaterina Zaharieva.

Qeveria miratoi një marrëveshje me BE-në për vaksina kundër Covid-19

Bullgaria e autorizoi Brukselin në emrin e vendeve anëtare të BE-së për të lidhur marrëveshje paraprake për blerjen e vaksinave kundër Covid-19 nga prodhuesi. Iniciativa e KE-së ka qëllim të garantojë sigurimin e vaksinave të mjaftueshme për luftimin e pandemisë së Covid-19 për shtetet-anëtare. Politikat për vaksinimin e popullsisë janë në kompetencat e shteteve-anëtare, të cilat duhet ta marrin këtë vendim dhe nuk janë në varësi të marrëveshjes së lidhur. Pritet ratifikimi i marrëveshjes nga Parlamenti.

Startoi masa e rinovuar “60/40”

Nga 15 korriku fillon parashtrimi i dokumenteve nga ana e punëdhënësve për ndihmë shtetërore në kuadrin e masës së rinovuar “60/40”. Ajo u zgjat deri më 30 shtator 2020.Pritet që zgjatja e masës të ruajë të ardhurat e 300 00 vetave. Gjatë tre muajve të kaluar mbi 160 000 punonjës ruajtën vendin e tyre të punës. Mjetet e paguara në kuadrin e masës “60/40” deri tani janë mbi 75 mln euro për gjithsej 20 225 firma.

KE-ja miratoi zgjatjen e masave për ndihmat në Bullgari

Komisioni Evropian bëri të ditur se ka miratuar dy masa të propozuara nga Bullgaria në ndihmë të punësimit në kushtet e epidemisë së Covid-19. Masa e parë zgjat dhe rinovon skemën për përkrahje të pagave “60/40”. Masa zgjatet deri në fund të vitit edhe për të punësuarit në arsim dhe shëndetësi. Po ruhet buxheti i miratuar paraprakisht prej 750 mln eurosh për masën “60/40”.  Masa e dytë me buxhet prej 20 mln eurosh është për ndihmat mujore prej 150 eurosh për të emëruarit në sferat e transportit, turizmit, hotelerisë dhe të shërbimeve të restoranteve, të cilët i paguajnë vetë kontributet e sigurimeve shoqërore.


Lajmet për Covid-19 sot mbetën në vend të dytë pas shfaqjeve të pakënaqësisë së qytetarëve dhe demonstratave “pro” ose “kundër” qeverisë apo presidentit. Lajmet më të rëndësishme mbi këto tema mund të gjeni në seksionin e lajmeve

Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.


Още от MË E RËNDËSISHMJA PËR KORONAVIRUSIN