Covid-19 në Bullgari: Dita e 265

Mjekët familjarë tashmë do të lëshojnë talon për PCR test falas për Covid-19

Që nga sot mjekët familjarë do të mund të lëshojnë talon për PCR test falas për Covid-19, njoftojnë reporterët e BNR-së – “Horizont”. Kjo mund të ndodhë edhe në mënyrë elektronike. Kushti është që pacienti të ketë të paktën dy nga simptomat e mëposhtme: temperaturë, kollë, kryesisht e thatë, lodhje, humbje e shijes, vështirësi në frymëmarrje ose gulçim; mialgji; dhimbje koke; diarre; pështirosje dhe të vjella; dhimbje të fytit; ngopje me oksigjen më pak se 92% ose më pak se 88%, transmetoi BNT.

Hyjnë në fuqi masa suplementare kundërepidemike

Më 27 nëntor nga ora 23.00, orë bullgare, hyjnë në fuqi masa të reja kundërepidemike të shpallura nga Ministri i Shëndetësisë Kostadin Angellov. Ato do të jenë në fuqi deri më 21 dhjetor 2020.

Arsimi do të jetë vetëm online, mbyllen kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve, qendrat e mëdha tregtare, palestrat etj. Më shumë hollësi për masat e reja mund të lexoni KËTU.

Vaksinimi kundër Covid-19 do të jetë falas dhe sipas vullnetit të qytetarëve

Tani për tani nuk ka vaksinë kundër koronavirusit, e cila të ketë kaluar përmes të gjitha fazave të studimeve klinike. Këtë e nënvizoi gjatë kontrollit parlamentar Ministri i Shëndetësisë Kostadin Angelov, njoftoi reporterja jonë në Parlament Dobrina Karambollova. Kur vaksinat miratohen nga qeveria bullgare, ato do të aplikohen sipas dëshirës së qytetarëve dhe falas, tha Angellov. U bë e qartë se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë veprime për të përgatitur rregulla të përbashkëta kombëtare dhe udhëzime për vaksinimin e grupeve në rrezik në shoqëri.

Ulet kërkimi dhe blerja e tepërt e ilaçeve

Pothuajse të gjitha ilaçet janë në dispozicion në rrjetin e farmacive, me përjashtim të disa ilaçeve antitrombotike, tha kryetari i Shoqatës së Pronarëve të Farmacive Nikollaj Kostov për BNR. Ai sqaroi se kërkesa dhe furnizimi i ilaçeve nuk është ende i ekuilibruar, por ka një rënie të kërkesës për shkak të thirrjeve që njerëzit të mos blejnë më shumë sesa është e domosdoshme. Sipas tij, shumë bullgarë vetë i kanë vendosur vetes lockdown, duke kufizuar daljet në rrugë, kontaktet, pazaret dhe kjo ndihet në dhjetë ditët e fundit.

Rastet e reja të Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit janë 39.2% e të gjitha testeve PCR të kryera

3,568 janë rastet e reja të koronavirusit në Bullgari, sipas Portalit Unik Informativ rreth mesnatës. Rastet pozitive janë 39.2% e 9093 testeve PCR të kryera. Kështu, rastet aktive të infeksionit me koronavirus në vend u bënë 88 224.

Sofja, Plovdiv idhe Varna janë përsëri qytetet me më shumë të infektuar – përkatësisht me 712, 386 dhe 280 raste.

6655 pacientë me koronavirus janë të shtruar në spital, 430 janë në repartet intensive. 2255 pacientë u shëruan gjatë 24 orëve të fundit, 162 vdiqën.

Sipas Sistemit Kombëtar të Informacionit në vendin tonë, 5496 veta prej personeli mjekësor janë infektuar me koronavirus. 216 janë rastet e reja të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit.


Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.