Covid-19 në Bullgari: Dita e 319

Certifikata e vaksinimit nuk është diskriminuese

Për të përmbushur planin e BE për vaksinimin e 70 për qind të njerëzve në komunitet deri në pranverë, kompanitë farmaceutike duhet të përmbushin kontratat e furnizimit me vaksina dhe vendet anëtare duhet të kenë aftësinë për t’u vaksinuar gjithnjë e më shpejt. Këtë e tha për BNR eurodeputeti Andrej Kovaçev, Nënkryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane. Kovaçev mohoi kategorikisht se certifikata e vaksinimit kundër Covid-19 do të jetë diskriminim ndaj atyre që nuk duan të vaksinohen. “Nuk do të ketë kufizime ose ndalime të udhëtimit”, shtoi ai.

Shtami britanik do të përkeqësojë situatën pandemike

Para lehtësimit të pritshëm të masave kufizuese kundër pandemisë, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se një shtrëngim tjetër është i mundur nëse lloji i ri i koronavirusit nga Britania e Madhe përhapet në Bullgari.

“Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm sepse nëse ky kërcënim kthehet si në Britaninë e Madhe, sistemi shëndetësor do të vihet në provë dhe do të merren masa të reja”, tha para bTV Kryeinspektori Shëndetësor Angell Kunçev. “Ne do të kemi probleme serioze në se situata keqësohet siç në Britaninë e Madhe, por shpresa është që me ngrohjen e motit aktiviteti i këtij lloji do të ulet”, shpreson Kunçev. Në një takim me kryeministrin, ekspertët e shëndetësisë njoftuan se tashmë 1/5 e testeve tregojnë mundësinë e ekzistencës së shtamit më ngjitës.

Të infektuarit rishtas me Covid-19 janë nën 7 për qind nga 7921 teste

544 janë rastet e reja të koronavirusit në vend të zbuluara nga 7921 teste të kryera. Këtë e tregojnë të dhënat e Portalit të Unifikuar të Informacionit. Mostrat pozitive janë 6.8 për qind.

33 815 janë pacientët aktivë me Covid-19.

3223 pacientë u shtruan në spital, 318 prej tyre janë në njësitë e kujdesit intensiv.

49 njerëz vdiqën në 24 orët e fundit me koronavirus të konfirmuar. Për këtë periudhë 6243 njerëz u shëruan.

2588 njerëz janë vaksinuar në 24 orët e fundit. Me ta, numri i njerëzve të imunizuar në vend arriti 22 226. Një dozë e dytë e vaksinës u është dhënë 3168 personave.

Komisioni ligjor në Parlament shqyrtoi mundësinë e votimit të qytetarëve në karantinë

Komisioni juridik parlamentar miratoi në lexim të parë korrigjime në Ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme, të cilat u japin mundësi qytetarëve në karantinë për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas korrigjimeve votimi do të bëhet me kuti lëvizëse votimi në qendra të veçanta votimi. Do të ketë vende të posaçme për votim në spitalet me pacientë me Covid-19.

Të gjithë qytetarët me dokumente identiteti të skaduara do të mund të votojnë. Qëllimi është të shmanget grumbullimi para departamenteve të Ministrisë së Brendshme.

Votimi i parë mbi ndryshimet në rregullat e zgjedhjeve në sallën plenare është caktuar për të premten.

KE-ja miratoi skemën bullgare në përkrahje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Komisioni Evropian miratoi skemën bullgare me përmasë rreth 80 mln. euro në përkrahje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të prekura nga pandemia e koronavirusit. Ai do të bashkëfinancohet nga Fondi Evropian i Zhvillimit Rajonal dhe do të jetë në dispozicion të kompanive nga sektorë të caktuar.

Ndërmarrjet duhet të plotësojnë kërkesat e vendosura nga Bullgaria dhe veprimtaria e tyre duhet të jetë ndërprerë ose kufizuar nga masat kufizuese të qeverisë. Granti do të llogaritet në bazë të xhiros së ndërmarrjeve nga viti i kaluar dhe mund të arrijë në një maksimum prej 76 mijë eurosh, njoftoi korrespondentja jonë në Bruksel Angelina Piskova.

Depozitat rriten, kreditë ulen në krizën Covid

Edhe këtë vit, normat e interesit të kredive do të qëndrojnë në nivelet e vitit të kaluar - 4.5 deri 6.5% për kreditë konsumatore dhe rreth 2.5 deri 3.0-3.1% për kreditë hipotekare. Këtë e parashikoi para BNR Tihomir Toshev, drejtori ekzekutiv i “Qendrës së Kredive”.

Ai vuri në dukje se po rritet likuiditeti në sistemin bankar – depozitat rriten dhe tashmë janë me përmasë mbi 60 mlrd. leva (30.67 mlrd. euro). Në këtë sfond kreditë e popullsisë janë pak mbi 25 mlrd leva (12.78 mlrd. euro).

Tregu i pronësisë së paluajtshme nuk është i prekur nga kriza e koronavirusit, edhe sa u përket çmimeve, edhe sa i përket interesit ndaj kredive hipotekare, tha gjithashtu Tihomir Toshev.

Ministria e Shëndetësisë: Lokalet nuk do të hapen para datës 18 shkurt

Ministria e Shëndetësisë nuk përkrah kërkesën e lokaleve dhe restoranteve për të rifilluar punë më 1 shkurt. Këtë e deklaroi në Veliko Trnovo Ministri Kostadin Angellov, duke saktësuar se hiqen kufizimet për sportin. Ai ripohoi se që nga 4 shkurti një pjesë e nxënësve të klasave të larta do të kthehen në shkollë, por ka të ngjarë që klasat të ndahen në dy në mënyrë që të respektojnë masat anti-epidemike. Hapja e restoranteve dhe bareve, si dhe e qendrave tregtare është planifikuar për 18 shkurti.

Gjithçka më të rëndësishme për COVID-19 në shqip mund të lexoni në seksionin tonë të posaçëm për koronavirusin.

Mund të gjeni informacion aktual për koronavirusin dhe masat në Bullgari në akoma 9 gjuhë në ueb sajtin e Radio Bullgarisë.