Si kreu i kishës rimokatolike Papa Gjon Pali II pati më se 100 vizita zyrtare në tërë botën. Ai ishte papa i parë që vizitoi sinagogë, xhami dhe kishë protestante – diçka, me të cilën dërgoi mesazhe të rëndësishme për domosdoshmërinë e tolerancës mes besimeve të ndryshme dhe brenda marrëdhënieve ndërshtetërore.
Vizita e tij në Bullgari gjatë majit të vitit 2002 ishte një ngjarje me rëndësi të madhe për Bullgarinë, imazhi i së cilës u dëmtua seriozisht (posaçërisht në botën katolike) për shkak të një provokacioni gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Atëherë Bullgaria dhe bullgarët u përfshinë në një komplot të tmerrshëm – në tentativën e vrasjes së Papës Gjon Pali II më 13 maj 1981, kur në sheshin “Shën pavel” të Vatikanit ai u qëllua dhe u lëndua nga Muhmet Ali Agxha, një anëtar i organizatës nacionaliste turke “Ujqit gri”.
Për këtë arsye një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme bullgare pas vitit 1991 (pas restaurimit të marrëdhënieve politike mes Bullgarisë dhe Vatikanit) ishte vizita e Gjon Pallit të Dytë tek ne. Në vitin 2002 një komitet mbarkombëtar organizoi mbledhjen e më se 20 mijë ftesave të bullgarëve të ndryshëm të dërguara Papës. Më 12 maj 2002, në kuadrin e vizitës së ministrit të atëhershëm të jashtëm Sollomon Pasi në Vatikanë, bullgarët dëgjuan shpalljen e shumëpritur të Gjon Palit: “Vizita ime në shtetin tuaj do të qëllojë inkurajimin e besimit të vëllezërve dhe motrave katolikë dhe është një përgjigje e dëshirës së tyre për përforcimin e lidhjeve midis kishës katolike dhe Kishës Ortodokse Bullgare.”
Zyrtarisht vizita u zbatua me ftesë të Kishës Katolike në Bullgari dhe të shtetit bullgar. Më 23 maj – në vigjilen e festës së shenjtorëve Kirill dhe Metodi, papa Gjon Pali II shkeli në tokën bullgare. Në fondin e artë të Radios Kombëtare Bullgare ka incizime të përshëndetjes së tij në gjuhën bullgare gjatë mbërritjes në Sofje.
“Shenjtëria Juaj, të nderuar anëtarë të korpusit diplomatik, të nderuar përfaqësues të pushtetit shtetëror, të nderuar përfaqësues të besimeve të ndryshme, të dashur vëllezër dhe motra, me emocion të fort dhe me gëzim të thellë vij sot në Bullgari dhe ju përshëndes sinqerisht. Falënderoj Zotit Fuqiplot për këtë se e kam nderin ta plotësoj dëshirën time, të cilën e mbaj në zemrën time për shumë kohë.”
Për tri ditë me radhë – nga 23 deri më 26 maj, papa pati një program të pasur me shumë takime në Sofje dhe në Plovdiv me përfaqësues të pushtetit shtetëror, të inteligjencës dhe me mijëra shtetas të zakonshëm.
Ja se si e përshëndeti Papën Gjon Pali II shkrimtari i madh bullgar Jordan Radiçkov:
“Shenjtëria juaj, vizita juaj në Bullgari është një nder jashtëzakonisht i madh për ne. Ajo përkon me festën më të madhe e shpirtit bullgar – ditën e vëllezërve të shenjtë Kirill dhe Metodi, ditën e alfabetit dhe shkrimit sllav, të kulturës sllave. Një shenjë tjetër nderi nga ana juaj ishte gjithashtu shpallja e këtyre shenjtorëve për bashkëmbrojtës të Evropës. Ne – kombet e vogla, jemi si fëmijët e vegjël – i gëzohemi çdo një shenje të vëmendjeje nga ana e të mëdhenjve. Ne nuk njohim mendjemadhësinë dhe arrogancën sepse kurrë nuk kemi pushtuar popuj të tjerë. Më lejoni të përkulem para jush dhe t’ju them me përzemërsi „mirëserdhët” në tokën bullgare. Jemi një shtet i vogël me zemër të madh dhe në të gjithmonë ka vend për çdo një njeri të dërguar nga Zoti.”
Vizita e tij ishte e rëndësishme edhe për shkak të fjalëve të Gjon Palit të Dytë gjatë takimit të tij me presidentin e atëhershëm Georgi Përvanov: “Kurrë nuk kam besuar në ashtuquajturën “gjurmë bullgare” në skenarin për vrasjen time. Kjo ishte një insinuatë, një padrejtësi.”
Kështu Papa Gjon Pali II i shfajësoi bullgarët Sergej Antonov, Zhelju Vasilev dhe Todor Ajvazov, të akuzuar nga atentatori Ali Agxha si porositësit e vrasjes. Vasilevi dhe Ajvazovi ndodheshin në Bullgari, kur gjyqtar-hetuesi Ilario Martela urdhërori arrestimin e tyre. Sergej Antonov u arrestua në Romë, u hetua dhe iu dorëzua gjyqit italian. Pavarësisht nga zhurma e madhe mediatike provat e mbledhura nuk ishin të mjaftueshme dhe në fund të fundit procesi përfundoi me aktgjykim lirues.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova