Aktualisht disa organizata ekologjike joqeveritare në Bullgari zbatojnë projekte për mbrojtjen dhe në disa raste për kthimin në natyrë të shpendëve të rrallë grabitqarë dhe me vlerë të veçantë për Evropën. Ndër to janë: disa lloje shkabash, shqiponja perandorake dhe një lloj sokoli të vogël, i quajtur skifteri kthetrabardhë. Sipas një prej këtyre projekteve, i zbatuar nga organizata për mbrojtjen e natyrës “Ballkani i gjelbër” ishin importuar në Bullgari dhjetëra shkaba nga Spanja. Pas një qëndrimi disamujor në mbyllje për aklimatizim, në fund të tetorit tridhjetë prej shkabave ishin liruar në gjirin e natyrës të malit Stara Planina. Një projekt tjetër i organizatës “Ballkani i gjelbër” është përdorimi i maketeve artificiale për ngritjen e folesë së shkabave të zeza në Bullgari.
Shumë dekada shkaba e zezë mendohej si e zhdukur nga Bullgaria, derisa gjatë vitit 1993 në rajonin e Studen kldanec-it, në lindje të maleve Rodope, u zbulua çifti i parë, që bën fole. Ai mbeti të vetmin çift, i cili ka vendbanim të përhershëm në këtë rajon, megjithë përpjekjet e mbrojtësve të natyrës t’i mëkojnë shkabat e zeza të tjera, që rrotullohen në rajon dhe që vijnë kryesisht nga Greqia.
“Kemi një çift shkabash të zeza, i cili banon në mënyrë të përhershme në rajonin e Studen kldenec-it – ripohon Simeon Marin, udhëheqësi i projektit. – Gjithashtu kemi dhe një grup të qëndrueshëm shkabash të zeza, nga tre deri në pesë shpendë gjithmonë vijnë për t’u mëkuar. Rregullisht vërejmë 5 shpendë, që mbajnë pajisje për dallimin e tyre, dhe arrijmë në përfundimin se Rodopet Lindore tashmë janë një rajon i përhershëm për kërkim të ushqimit për ta. Patjetër ka grumbullim të 20, 30 ose 40 shpendëve, por ai është i rastit. Nuk e konsiderojmë si një arritje të madhe, sepse shkabat e zeza fluturojnë 80-100, bile 150 km. në ditë, duke kërkuar ushqim. D.m.th. ardhja e rastit e shumë shpendëve në një vend nuk është me çdo kusht tregues i suksesit. Të rëndësishëm për ne janë vetëm shpendët, të cilët qëndrojnë në mënyrë të përhershme në një rajon dhe ketë e konsiderojmë si sukses.”
© Foto: Maria Dimitrova
Projekti i organizatës “Ballkani i gjelbër” për përdorimin e maketeve artificiale për ngritjen e folesë së shkabave të zeza.
Për karremin dhe vendosjen e përhershme të shkabës së zezë dhe të shqiponjës perandorake organizata “Ballkani i gjelbër” ka ndërtuar fole në vende të përshtatshme. Rezultatet ishin mjaft të mira te shqiponja perandorake, por për momentin jo te shkaba e zezë, thotë Simeon Marin.
“Prej nëntë foleve të vendosura artificiale për shqiponjën perandorake, tri janë zënë që vitin e parë. Ky është një sukses shumë i madh – një e treta e foleve të zënë që vitin e parë. Në Hungëri është bërë një gjë e ngjashme, por atje procenti i zënies së foleve është 5-10 për qind, duke u shtruar 150 fole. Ne punojmë duke parashikuar ku të vendosim foletë. Për shkabën e zezë për momentin kemi vendosur vetëm tri fole. Ato janë në rajone vështirë të arritshme pa udhë në radius prej 2 km., që të mos shqetësohet shpendi kur fillon të klloçitë. Ecim të paktën 2 km. duke mbajtur në shpinë gjithçka të nevojshme për ngritjen e folesë artificiale. Më pas të rinjtë ngjiten në pemët më të larta, për të vendosur foletë, të cilat janë në diametër minimum prej tri metrash.”
Për momentin nuk ka shkaba që jetojnë në këto fole. Kështu lindi ideja që të përdoren maketet e shkabave të zeza për karrem. Këto i ka bërë një skulptor, i cili gjithashtu është edhe ornitolog i mirë. Tashmë metoda është përdorur me sukses në Evropë te disa shpendë ujës, por kurrë te shpendët grabitqarë.
“Ne do të ndërtojmë edhe fole të tjera artificiale, në të cilat do të vendosim maketet në poza të ndryshme – shpendët e rritur sikur janë ulur, ka një shpend të shtrirë dhe një që klloçit, po ashtu dhe një shpend i porsadalë etj. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Suksesi nuk është garantuar.”
“Ideja është që në saje të këtyre maketeve të krijojmë ndjenjën e një kolonie te shpendët grabitqarë, të cilët do të dëshironin të jetonin këtu”, shpjegon zoti Marin.
“Shkabat e zeza bëjnë fole në koloni, të cilat nuk janë dislokuar shumë afër njëra tjetrës, ndonjëherë foletë janë në largësi deri në 2 km. Kolonitë e tyre zënë një sipërfaqe shumë të madhe. P.sh. në Greqi kolonia prej afro 20 çiftesh është përhapur në disa grupe kryesore mbi sipërfaqe prej 42 mijë hektarësh. Që të vijnë të jetojnë dhe të bëjnë fole, këta shpendë nevojiten për stimuj, d.m.th. të shohin një sasi shpendësh që tashmë janë vendosur atje. P.sh. më shumë se 10-15 shpendë. Shkenca ende nuk e di se sa pikërisht duhet të jenë ata, për të tërheqin çifte të reja.”
Në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës 5 maketet e ndryshme sipas moshës, gjinisë dhe pozës të shkabave të zeza janë vendosur në terren për mëkimin e këtyre shpendëve në malet Rodope. Reaksioni është vlerësuar si pozitiv – maketet nuk i trembin shpendët. Ende nuk mund të thuhet a i tërheqin apo jo. Aktualisht ka filluar dhe vendosjen e një pjese prej maketeve mbi tri foletë artificiale për shkabat e zeza. Rezultatet i presim pranverën e ardhshme.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
По публикацията работи: Maria Dimitrova
Последвайте ни и в
Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!