Festa e shndritshme është një arsye për të gjithë krishterët për të bërë një bilanc jetësor. Sipas atit Kliment kjo ngjarje e madhe është e rëndësishme për të gjithë ne, sepse tregon me çfarë lavdi do të vishen njerëzit në kohën e Gjyqit të Fundit. “Ashtu siç Zoti pësoi metamorfozë, ashtu edhe në Mbretërinë Qiellore do të shkëlqejnë të gjithë njerëzit e ndershëm”, thotë prifti. Ditën e festës kisha e kryeqytetit “Metamorfoza e Shpëtimtarit” do të jetë e vogël që të mbajë të gjithë të krishterët që vijnë. Sipas atit Kliment Kisha edhe sot tërheq shumë njerëz, sepse me mësimin e saj ajo plotëson nevojat e larta të shpirtit njerëzor. “Vetëm Kisha tregon dhe zbulon kuptimin e jetës njerëzore. Ajo na mëson dhe na thotë pse jemi lindur dhe si duhet të jetojmë. Sipas mësimit të saj shenjtëria nuk arrihet vetëm me përpjekjet personale të njeriut, por edhe me bekimin e Zotit, i cili ekziston vetëm në Kishë. Jashtë saj njeriu nuk mund ta shpëtojë shpirtin.”
Ati Kliment e sheh shkakun për jetesën tonë të vështirë në injorimin e ligjeve të Zotit, të cilat nuk janë më pak të rëndësishme dhe të vlefshme se ato fizike. Sipas tij njeriu është krijuar sipas imazhit të Zotit dhe duhet të jetojë në paqe me Krijuesin e tij. Ati Kliment rikujton se krishterimi është mbi kohën dhe nuk vjetërson, duke ofruar mjetet shpirtërore për shpëtimin e njeriut. Ligjet e Zotit janë të rëndësishme jo vetëm për shpëtimin në përjetshmëri, por kanë rëndësi edhe në jetën tokësore. “Njerëzimi duhet t’u drejtohet këtyre vlerave të përjetshme shpirtërore, të cilat na solli Jisu Krishti. Vlerat e krishtere nuk ndryshohen dhe nuk varen nga koha. Kjo që ishte e rëndësishme për njeriun para qindra vjetëve, është e rëndësishme dhe sot. Edhe sot njeriu kërkon falje dhe vuan, kur bën ndonjë gabim. Për këtë shkak në Kishë është vendosur sakramenti i pendimit. Ai është një kurim shpirtëror, me të cilin njeriu mund të bëjë bilanc për jetën e tij. Krishterimi është religjioni i faljes” – rikujton ati Kliment Harizanov.
Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova