Më 8 shtator Kisha Ortodokse Bullgare shënon festën e madhe të krishterë – Lindjen e Hyjlindëses Mari – një prej tri festave më të mëdha të Virgjëreshës Mari. Ditëlindja e Shën Marisë së virgjër është ndër 12 festat më të mëdha të krishtera te ne. Në traditat popullore kjo festë quhet Dita e Shën Marisë. Kisha ortodokse e lavdëron nënën e Zotit si mbrojtëse të familjes së krishterë dhe të lehonave dhe fëmijëve.
Dita e lindjes së saj – Dita e Shën Marisë, respektohet jashtëzakonisht shumë nga gratë në Bullgari. Ato besojnë se Virgjëresha Mari i ndihmon në punën e rëndë, në lindjen e foshnjave dhe i mbron fëmijët nga sëmundjet e këqija. Për nder të saj në këtë ditë gratë gatuajnë një pite të madhe, ose një pite të vogël, të lyer me mjaltë. Kjo është e ashtuquajtura “Bukë e Shën Marisë së Virgjër”. Një prej copave është për begatinë. Ajo bluhet në ushqimin e kafshëve. Copa tjetër është për shtëpinë, që të mbrohet nga Virgjëresha Mari. Zonja e shtëpisë nuk duhet të bëjë punë tjetër shtëpiake gjatë kësaj dite, që të jenë shëndosh e mirë fëmijët. 8 shtatori është një festë, në të cilën zhvillohen tubimet e përvitshme në vendbanimet në Bullgari. Një sërë kishash dhe manastiresh e shënojnë këtë ditë si festë patroni.
Gjatë kësaj dite feston dhe manastiri “Lindja e Hyjlindëses Mari” afër fshatit Kabile dhe qytetit Jamboll në Bullgarinë Juglindore. Jo larg ndodhet dhe rezervati arkeologjik me të njëjtin emër. Manastiri është për femra, kurse festa e tempullit më 8 shtator tërheq shumë besimtarë me shpresën se ajazma e manastirit do t’u sjellë shëndet dhe jetë të gjatë. Legjendat rrëfejnë se gjatë antikitetit të vonshëm (gjatë shekullit të katërt dhe të pestë) Kabile ka qenë një qendër e madhe fetare. Gjatë udhëheqjes së perandorit Konstantin i Madh, në shekullin e katërt, në këtë vend u ndërtua një manastir i madh dhe që atëherë ajazma fitoi një famë të madhe për shkak të ujit të shenjtë mjekësor. Manastiri për femra ekzistonte deri në pushtimin e Bullgarisë nga turqit. Sipas legjendave më vonë turqit kanë kërkuar në këtë vend thesare të fshehura dhe pasi nuk kanë gjetur asgjë e kanë djegur manastirin dhe e kanë mbuluar me dhe burimin. Me kalimin e shekujve vendi shkretohej, por kujtimi për ujin e shenjtë mbeti i gjallë, duke u trashëguar nga brezat.
Ja se çfarë tregoi për dëgjuesit e Radio Bullgarisë abatesha e manastirit – nëna Mindora:
“Manastiri “Lindja e Hyjlindëses Mari” afër fshatit Kabile ka një histori shumëvjeçare, të lidhur me përhapjen e krishterimit në këto troje. Supozohet se në këto vende ka pasur një qendër peshkopate dhe një manastir të lashtë, por për fat të keq nuk disponojmë dorëshkrime, të cilat ta vërtetojnë këtë – na rrëfen historinë e manastirit abatesha e tij. – Legjenda tregon se turqit e kanë djegur manastirin dhe e kanë grabitur. Në vitin 1898 u inaugurua burimi çudibërës, kurse tempulli i parë u ndërtua në vitin 1923 dhe mori emrin “Lindja e Hyjlindëses Mari”. Banorët e tërë fshatit kanë marrë pjesë në punimet ndërtimore. Në vitin 1954 mitropoliti i atëhershëm i Slivenit Nikodim e ligjësoi manastirin si manastir të peshkopatës për vajza dhe emëroi abateshën e tij të parë Evdokia. Më vonë erdhën dhe murgesha të tjera. Sot kisha është meremetuar dhe ka mbishkrime të bukura murale dhe një ikonostas të jashtëzakonshëm” – na tha me krenari nëna Mindora.
Oborri i kishës është një kopsht i gjelbër, i mrekullueshëm – me shumë lule, një shatërvan dhe një kompleks hotelier për vizituesit. Ky është një vend komod për pushim dhe çlodhje, sidomos gjatë festave.
“Gjithmonë kemi vizitues, por më shumë njerëz vijnë gjatë dy festave të mëdha të Shën Marisë – Fjetja e Shën Marisë më 15 gusht dhe më 8 shtator, kur është festa e tempullit tonë – Lindja e Hyjlindëses Mari – vazhdon nëna Mindora – abatesha e manastirit. I shënojmë këto festa në një mënyrë solemne. Atëherë vjen dhe mitropoliti i Slivenit, gjyshi Joanikij, i cili shërben një liturgji të shenjtë. Ka dhe kurban për shëndet. Shumë njerëz marrin kungim gjatë kësaj dite. Kemi dhe vizitues nga jashtë. Zakonisht këta janë të afërm të bullgarëve, të cilët vijnë këtu për pagëzimin e fëmijëve, nipërve etj. Nganjëherë vijnë grupe turistësh nga qyteti Jamboll ose turistë, të cilët vizitojnë vendet e shenjta. Afër manastirit gjendet dhe bregdeti ynë jugor, kështu qe kemi shumë vizitues dhe kjo na gëzon shumë!”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva