Eмисия новини
от 12.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Rituale dhe tradita të lidhura me gjarprin dhe qyqen

Bota fantastike e folklorit tonë është plot kafshë mistikë, për të cilët mendohet se kanë veti njerëzore dhe fuqi të mbinatyrshme.
Снимка: arkiv

Në kozmogoninë e bullgarit gjarpri është simbol i tokës. Ai shtrihet në rrënjat e Pemës botërore, afër fuqive të errëta, por dhe frytdhënëse. Sipas besimit popullor gjarpërinjtë jetojnë në një shpellë shumë të madhe “në fund të botës”, ose “në botën e poshtme”. Ata dalin nga strofkat e tyre më 25 mars (Ungjillëzimi i Hyjlindëses) dhe fshihen më 15 gusht (Fjetja e Hyjlindëses Mëri). Disa muaj me radhë këta zvarranikë helmues janë një rrezik i madh për bujqit, si dhe për fëmijët e vegjël, të cilët dikur nënat i kanë vendosur në djepa të lidhur afër arrave. Ja përse dalja e gjarpërinjve nga strofkat gjatë pranverës dikur ishte lidhur me rituale të veçanta, të cilat kishin për qëllim dëbimin e tyre.

Gjatë festave më të mëdha në muajin mars gratë e pastronin shtëpinë. Pas kësaj i ndiznin plehrat dhe të gjithë anëtarët e familjes e kalonin zjarrin – për shëndet dhe për t’u ruajtur në këtë mënyrë nga zvarranikët e rrezikshëm. Sipas besimeve popullore, gjarpri do që të hajë njeriun në thembër. Kështu duke e kaluar zjarrin edhe të rinjtë, edhe të moshuarit donin që t’i tymosnin thembrat e tyre. Ata e bënin këtë më 1 mars (Dita e Gjyshes Marta), më 9 mars (Dita e 40 dëshmorëve të Sebastisë) dhe më 1 maj (Dita e Profetit Jeremia). Në disa prej këtyre datave dhe sidomos më 25 mars (Ungjillëzimi i Hyjlindëses), gratë dhe fëmijët shëtisnin nëpër oborre dhe fusha. Gjatë tërë kësaj kohe ata bënin një zhurmë të madhe, duke përplasur sende të ndryshme prej metali dhe përsërisnin pa ndërprerje: “Zhdukuni gjarpërinj dhe zhapikë, sepse Festa e Ungjillëzimit të Hyjlindëses po vjen!

Gjarpri lidhet dhe me botën e të vdekurve. Në shumë rajone të vendit tonë ekzistojnë besime të ndryshme për gjarpërinjtë – mbrojtës të shtëpisë, ose të pasurive bujqësore. Asgjësimi i tyre i sjellë palumturi familjes, prandaj sipas traditës ata nuk duhet të vriten. Sipas disa besimeve popullore koka e gjarprit të vrarë Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses disponon një fuqi të madhe magjike. Në qoftë se njeriu arrin të rritë në të disa fije borziloku dhe hudhre dhe pastaj i këput me duart e veta, ai merr aftësinë për të mjekuar sëmundje më të ndryshme.

Sipas disa përrallave popullore, gjarpërinjtë janë mbrojtës të pasurive të mëdha. Në krye të të gjithë zvarranikëve është mbreti i gjarpërinjve. Ai është i madh sa një pishë njëqind vjeçare, ka krahë dhe një kokë të madhe. Froni i tij është prej ari dhe është mbuluar me gurë të çmuar. Bujarët në këtë mbretëri janë bollat e mëdha. Mbreti ka nën gjuhën e tij një unazë magjike, e cila zbaton të gjitha dëshirat e tij. Sipas një përralle bija e mbretit të gjarpërinjve u gjend në një shtëpi, ku ishte shpërthyer zjarr. E shpëtoi një bari i varfër. I ati, si shenjë falënderimi, i tha djalit të marrë me vete çfarëdo që të dojë nga mbretëria e tij. Bariu mori unazën magjike dhe e vuri në dorë. Këtej e tutje unaza zbatonte të gjitha dëshirat e djalit.

Në pranverë për herë të parë dëgjohet qyqja. Si shumë kafshë të tjerë mitikë, ajo gjithashtu dikur ka qenë njeri. Qyqja ka qenë vajzë. Ajo kishte një vëlla, me të cilin grindeshin vazhdimisht. E lodhur nga këto grindje të pandërprera nëna e tyre i mallkoi të shndërrohen në shpendë, të cilët të kërkohen dhe të mos takohen kurrë. Vajza u kthye në qyqe, kurse djali në buf. Një legjendë tjetër rrëfen se duke shëtitur në pyll vëllai dhe motra humben dhe nuk mund të gjenden. Atëherë vajza i drejton Zotit lutjen për t’u bërë shpendë, që të fluturojë lart dhe ta gjejë vëllain e vogël. Sipas një legjende tjetër dikur qyqja ka kënduar gjatë tërë vitit – edhe dimrin, edhe verën, por ndodhi një herë që ajo e zgjoi Jisu Krishtin. U zemërua Shën Mëria dhe kështu bëri që qyqja të mos këndojë që deri në pranverë. Nga ky moment zëri i qyqes dëgjohet vetëm nga fundi i marsit deri më 24 qershor (Lindja e Joan Pagëzorit).

Lajmet, që i sillte qyqja ishin edhe të mira, edhe të këqija. Lajmi i mirë ishte se më në fund po vjen pranvera, por bashkë me të vinin dhe disa qenie të rrezikshme. Dikur njerëzit besonin se me këndimin e saj specifik qyqja i paralajmëron për ardhjen e shtojzovalleve – personazhe femërore mitike, të cilat jetonin në livadhe dhe pyje, afër burimeve dhe lumenjve. Me këngë dhe valle të bukura ato i rrëmbenin vajzat dhe djemtë në pyje. Dikur në Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses nënat nuk i lejonin vajzat për të shkuar herët në mëngjes deri në çezmë, që të mos i takojë ndonjë prej këtyre shtojzovalleve.

Për nder të qyqes këndoheshin këngë rituale dhe luheshin lojëra të posaçme. Vajzat e reja ishin në pritje të zërit të qyqes, që të mësojnë më shumë për dasmën e tyre të ardhshme. Pasi e dëgjonin këngën e shpendit për herë të parë ato duhej ta lidhnin nyjë në shaminë e tyre. Në qoftë se pas tri ditësh në këtë nyjë kishte fije pëlhure, atëherë vajza do të martohej shumë shpejt. Sipas besimit më të përhapur në qoftë se e dëgjon zërin e qyqes Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, duhet të kesh në xhep një kafshatë buke dhe një monedhë, që të jesh i ngopur dhe i pasur gjatë tërë vitit.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: arkiv

По публикацията работи: Allbena Bezovska
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна