Eмисия новини
от 18.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Itinerari Via Pontika – nëpër gjurmët e së kaluarës sonë mijëvjeçare

Banjat romake të qytetit Varna do të përfshihen në itinerarin “Via Pontika”.
Снимка: BGNES

Për shumicën e njerëzve Via Pontika është një prej itinerareve kryesore të migrimit të shpendëve midis Evropës dhe Afrikës. Rruga e shpendëve kalon edhe përmes territorit të Bullgarisë, në shpatet e malit Stranxha, si dhe përmes bregut të Detit të Zi. Mirëpo janë shumë pak ata, të cilët e dinë se në fakt Via Pontika është emri i rrugës së dikurshme romake, e cila kalonte afër Detit të Zi dhe lidhte Kostandinopojën e dikurshme (në Turqinë e sotme) me Istrosin (në Rumaninë e sotme). Në Bullgari ka shumë mbeturina të qyteteve të lashta, të tempujve të hershëm të krishterë, të banjave romake, pallateve antike dhe kështjellave të Mesjetës. Dhe tërë kjo pasuri, e cila zbulon të kaluarën tonë mijëvjeçare, tashmë mund të vizitohet nga aventurierët kureshtarë në saje të itinerarit turistik “Via Pontika”.

Për këtë qëllim në “Sllënçev Brjag” në bregdetin tonë jugor pranë Detit të Zi do të hapet një qendër e posaçme informative, e cila do të paraqesë bukuritë e Bullgarisë antike dhe të Mesjetës, kurse deri në verën në vendpushim, si dhe në bashkitë afër detit, do të vendosen dhe afishet e para, të cilat do të reklamojnë objektet tona arkeologjike. Në fakt përpunimi i itinerarit “Via Pontika” filloi që gjatë vitit 2011. Atëherë në bregdetin bullgar filluan gërmime intensive arkeologjike me përkrahjen financiare të shtetit. “Për shkak të pranisë disavjeçare të islamit në trojet tona pjesa më e madhe e kësaj trashëgimie unikale ishte asgjësuar. Kështu qe, që të rimëkëmbet dhe t’u paraqitet turistëve, kishte nevojë për shumë investime në gërmimet arkeologjike, në restaurimin dhe konservimin e monumenteve përkatëse” – na sqaroi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Bozhidar Dimitrov. Vlera e projektit është rreth 5 mln euro. Një prej ideve është inkurajimi i turizmit kulturor dhe zgjatja e stinës turistike në bregdetin tonë.

© Foto: BGNES

Gërmimet rreth Kishës “Fjetja e Shën Marisë” në pjesën e vjetër të Carevos zbuluan artefakte për një vendbanim trak nga shek. IV-III para Krishtit, që ka ekzistuat deri në mes të shekullit të parë pas Krishtit.

“Që gjatë vitit të parë, kur u restauruan një sërë monumentesh historiko-kulturore në Sozopoll, i cili ishte projekti pilot, vumë në dukje se stina vërtetë u zgjat. Shumë hotele vazhduan të punojnë edhe gjatë periudhës dimërore dhe pranverore. Shkaku është se monumentet e rëndësishme historiko-kulturore, si dhe lipsanat e gjetura të Shën Joan Paraardhësit dhe të Shën Nikolla Çudibërësit tërhoqën dhe vazhdojnë të tërheqin shumë miq edhe jashtë stinës aktive turistike. Presim që kjo të ndodhë dhe në bashkitë e tjera të përfshira në itinerar.”

“Via Pontika” është në një fazë të përparuar në bregdetin tonë jugor, ku bashkon rreth dhjetë objekte arkeologjike. Ndër to janë shtëpia e restauruar e një udhëheqësi trak në fshatin Sinemorec, ku vitin e kaluar u zbulua një thesar prej monedhash të argjendta antike, që peshon 4 kg., kështjella antike mesjetare Agatopolis nga shekulli V- XV afër qytezës turistike Ahtopol, pjesa e vjetër e Carevos, ku ka shumë kisha unikale dhe arkitekturë të ruajtur, mbeturinat e kështjellës Urdoviza afër Kitenit. Ndër rajonet më tërheqëse nëpër rrugën e Via Pontikës është qyteti Nesebër.

© Foto: BGNES

Gërmime në kështjellën Urdoviza afër Kitenit

“Nesebër është një enciklopedi e ndërtimit kishtar nëpër trojet tona – thotë Bozhidar Dimitrov. – Atje ka kisha të hershme dhe të tilla nga tërë Mesjeta, që deri në shekullin e XIX. Në Pomorie aktualisht restaurohet një prej mauzoleve më të mëdhenj romak, i cili është i vetmi i këtij lloji në Bullgari, të mos flasim për Sozopolin, ku ka shumë kisha, 12 manastire, mure kështjellash, lipsana të shenjtorëve ortodoks etj.”

Gjatë vitit 2013 do të përfshihen akoma objekte në itinerarin “Via Pontika”. Arkeologët supozojnë se ai do të zhvillohet edhe në Veri, ku janë banjat romake të qytetit Varna, kështjella e antikitetit të vonshëm Kastrici afër rezidencës qeveritare Evksinograd dhe akoma një sërë monumentesh unikale historike, të cilat rrëfejnë për lulëzimin dhe rënien e qytetërimeve të lashta nëpër trojet bullgare.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Veneta Nikollova
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени