Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Gjergana Dimitrova dhe albumin “Përmes syve të diellit”

Foto: arkiv personal Këngëtarja e njohur Gjergana Dimitrova e mban emrin e vajzës Gjergana nga një balada klasike bullgare e Petko Sllavejkovit. Në diskun e saj ajo ka incizuar nja dhjetë këngë me orkestrime origjinale. Këngëtarja depërton guximshëm në territorin “etno” të popujve të ndryshëm, por kjo nuk na befason, sepse krahas punës së vet në formacionin “Misteri i zërave bullgarë” Gjergana jep shumë koncerte dhe me Kuartet “Eva”.

Përpara afro një viti kuarteti prezantoi projektin e tij me producent Hektor Zazu, ku këngëtaret interpretojnë muzikë bashkë me mbi 50 muzikantë nga 14 shtete. “Ky ishte një stimul i madh për të gjitha ne, kurse për mua – një hap drejt albumit me vete – thotë Gjergana. – Ndoshta duhej të vinte çasti i përshtatshëm për këtë, sepse albumi im nuk është vetëm një disk me këngë të incizuara mbi të, krijimi i tij ishte një proces i gjatë. Puna vazhdoi afro katër vjet. Të gjitha këngët në të janë orkestruar nga regjisori i zërit Aleks Nushev.”

Në albumin e ri të këngëtares Gjergana Dimitrova janë përfshirë këngë nga krahina të ndryshme folklorike: “Këto janë këngë nga krahina e Pirinit, nga malet e Rodopeve, nga Bullgaria e mesme perëndimore – tregon këngëtarja. – Doemos ka edhe nga Bullgaria veriore – unë kam lindur në këtë krahinë dhe e njoh mirë muzikën e saj. Në interpretimin e melodive tradicionale kam përdorur regjistra dhe teknikë të ndryshme të të kënduarit. Desha të tregoja tërë pasurinë e zërit njerëzor.

Secila prej këngëve e ka historikun e vet. Kënga “Salihu përmes malit” është një përulje e veçantë para këngëtares Radka Kushleva. “I dua shumë këngët e saj” rrëfen Gjergana. Por në interpretimin e saj e ka gërshetuar melodinë rodopase me elemente nga kultura e aborigjenëve australianë. Kurse kënga tjetër “Dasma në karvan” është frymëzuar nga një film dokumentar, i kushtuar një dasme të kryer sipas zakonit të vjetër ku të moshuarit vet e zgjedhin dhëndrin.

Nën të gjitha orkestrimet e bëra në album është shkruar emri i Aleks Nushevit, me të cilin këngëtarja i ka bërë incizimet: “Ishim një tandem i mrekullueshëm. Punuam bashkë në studion, bënim eksperimente. Montonim... Ai i kuptonte idetë e mia dhe i realizoi në orkestrimet e tij të mrekullueshme. Një mbështetje të fortë më dha edhe bashkëshorti im Kostadin Gençev – krijues dhe udhëheqës i grupeve “Bullgara” dhe “Lumi vërshues”. Ai më inkurajonte tërë kohën dhe tani është shumë i lumtur nga rezultati. Ai është dhe ndër instrumentistët e përfshirë në projekt – i bie fyellit dhe disa veglave të tjera frymore. Marrin pjesë gjithashtu muzikanti armen Hajg Jazxhijan, Violeta Petkova që i bie qemanes, Dimitër Tishevit – fizarmonikë, Dimitër Hristov – tambura, si dhe multi-instrumentisti nga Greqia Vangjelis Karipis.”

Përgatiti në shqip: Gyulka Ilieva
По публикацията работи: Allbena Bezovska

Горещи теми

Войната в Украйна