Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Përvjetori i 120-të i lindjes së mbretit Boris III

БНР Новини
Familja mbretërore – mbreti Boris III, mbretëresha Joana, princi Simeon dhe princesha Maria-Luiza
Снимка: arkiv

Më 30 janar të vitit 1894 në Sofje, në pallatin mbretëror, lindi Boris Sakskoburggotski – një nga personalitetet e mëdha të historisë bullgare. Ai ishte biri i parëlindur i mbretit Ferdinand. Duke pasur parasysh faktin, se dinastia e Sakskoburggotëve ishte me prejardhje gjermane, ndërsa Ferdinandi ishte pushtetar bullgar, Borisi i vogël u pagëzua si nga një prifti ortodoks, ashtu edhe nga një abati prifti katolik. Nunë të tij u bënë perandori rus Nikollaj II dhe papa Lëv XIII. Që nga lindja Borisi u shpall “princ i Tërnovos”. Kështu lidhja me qytetin e lashtë Veliko Tërnovo, simbolizonte vazhdimësinë e dinastisë së re me mbretëritë e vjetra të lavdishme bullgare. Borisi e vuri kurorën mbretërore kur ishte mezi 24 vjeçar, pas abdikimit të të atit në vitin 1918.

“Kjo ishte një nga periudhat më të rënda në historinë më të re të Bullgarisë – thotë akademiku Georgi Markov. – Mbreti Boris III hipi në fron pas disfatës në Luftën e Parë Botërore, kur ushtritë e Paktit Trepalësh, Antantës, depërtuan në Ballkan. Ushtarët e disa prej trupave bullgare u rebeluan. Bullgaria qëndronte para katastrofës së radhës kombëtare. Nuk ishte e rastit, që Stefan Gruevi, shkrimtar dhe studiues i veprës së mbretit Boris, e titulloi librin biografik kushtuar tij “Kurora me gjemba”. Pikërisht një kurorë e tillë e vuri mbi kokën e vet Borisi i ri më 4 tetor të vitit 1918. Fillimi ishte jashtëzakonisht i vështirë, sepse marrja e pushtetit përputhej me qeverisjen e Bashkimit të Bujqve në krye me Aleksandër Stambolijski. Ai kishte një qëndrim negativ ndaj monarkisë. Qeverisja e vendit ishte plotësisht në duart e pushtetit ekzekutiv deri në grusht shtetin ushtarak më 9 qershor të vitit 1923. Për këtë periudhë Borisi thoshte, se “mbretëron, por nuk qeveris”. Shumë nga vendimet e kabinetit merreshin megjithë vullnetin e mbretit. Kjo ishte një kohë e tensionit të brendshëm midis Bashkimit të Bujqve dhe partive të tjera politike, një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për monarkun e ri. Megjithatë ai me sukses plotëson detyrat e veta, sepse posedonte një aftësi të parashikojë ngjarjet. Ndryshe nga i ati – Ferdinand, Boris III ishte një njeri i kompromiseve, si në politikën e jashtme, ashtu edhe në të të brendshme.”

Gjatë dekadës së mëpasshme figura e mbretit mbeti nën hije. Një grusht shtet i ri ushtarak në vitin 1934 ia siguroi pushtetin Rrethit Politik “Zveno”. U ndaluan partitë politike, ndërsa monarkut iu caktua një rol marionete. Në vitin 1935 nëpërmjet një kundër grusht shtet Boris III në të vërtetë qëndroi në krye të shtetit bullgar. Ai rivendosi Kushtetutën e Tërnovos dhe vendosi një regjim të ri të drejtimit të shtetit – sistem mazhoritar parlamentar. Për herë të parë grave iu sigurua e drejta e votimit. Në prag të Luftës së Dytë Botërore Bullgaria i gëzohej një suksesi të padiskutueshëm ekonomik dhe social. Në të vepruan institucione të qëndrueshme, prodhimi ishte me cilësi të lartë, bujqësia subvencionohej nga shteti. Për vendin, ato ishin vite të zhvillimit ashendent.

Në kulmin e konfliktit botëror mbreti Boris deklaroi haptazi parimin kryesor i politikës së atëhershme të jashtme të Bullgarisë: “Gjithnjë me Gjermaninë dhe kundër Rusisë kurrë”. Në shikim të parë kjo nuk ishte e realizueshme, por gjatë viteve të para të luftës, në sajë të aftësisë të manovrojë midis kontradiktave të Fuqive të Mëdha, mbreti arriti të realizojë këtë politikë të vet. Me ndihmën e Gjermanisë dhe të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1940 ai arriti dhe nënshkroi të ashtuquajturën Marrëveshje të Krajovës. Me këtë dokument në kufijtë e Bullgarisë u rikthyen trojet e Dobruxhës Veriore, zona nga të cilët vendi u privua pas Luftës së Parë Botërore. Tashmë populli filloi ta quajë mbretin Boris III – “Bashkues”. Mirëpo, kjo marrëveshje kishte çmimin e vet. Me hapa jashtëzakonisht të përsosur diplomatikë, Boris mbrojti neutralitetin e vendit sa më gjatë dhe disa herë devijoi këmbënguljen e Gjermanisë, që Bullgaria të përfshihet në Paktin Trepalësh. Megjithatë më 1 mars të vitit 1941 Bullgaria ishte e detyruar të hyjë në të. Prapëseprapë mbreti mbronte fortë pozitën e vet, që ushtarë bullgarë të mos dërgohen në front.

“Patjetër duhet të vlerësohet merita e mbretit Boris III, që të mos dërgohen ushtarë bullgarë në front – saktëson akad. Georgi Markov. – Bullgaria, megjithëqë ishte aleate e Gjermanisë dhe Paktit Trepalësh, nuk theu marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe nuk dërgoi ushtri në Frontin Lindor. Dhe jo vetëm këtë! Ministri i jashtëm gjerman Joahim fon Ribentrop ngulte këmbë, që Bullgaria, si Franca, Norvegjia dhe Flandra, të dërgojë një legjion vullnetarësh por mbreti nuk u pajtua. Me një shkathtësi politike ai shfrytëzoi letrën rusofile, duke deklaruar haptazi para Hitlerit, se populli bullgar është me orientim rusofil dhe nuk mund të luftojë në Frontin Lindor. Atëherë Hitleri i bëri propozim mbretit Boris të dërgojë trupa bullgare në frontin në Afrikën Veriore, por ai prapë refuzoi.”

Muajin gusht të vitit 1943, disa ditë pas një takimi jashtëzakonisht të rëndë dhe armiqësor me Hitlerin, mbreti Boris III vdiq papritmas nga pamjaftueshmëria e zemrës. Edhe më sot nuk është i qartë shkaku për vdekjen e tij. Procesi funeral i monarkut ishte madhështor. Ai i gëzohej respektit të madh në mesë të popullit, i cili e donte shumë.

Bullgaria mirënjohëse shënon përvjetorin e 120-të të lindjes së mbretit Boris III me ekspozitën “Bullgaria në shkëlqimin e pushtetarëve dhe pallateve të Mbretërisë së Tretë Bullgare”, të rregulluar në Galerinë e Lidhjes së Piktorëve Bullgarë. Një interes provokojnë arkivat e fotografive unike të familjes mbretërore, disa prej të cilët prezantohen për herë të parë. Ato u siguruan nga Agjencia Shtetërore “Arkiva”, nga familja e birit të Borisit III – Simeon Sakskoburggotski, nga muzetë në qytetet Shumen dhe Razgrad, si dhe nga Austria. Ekspozita do të prezantohet edhe në Çikago dhe në SHBA-në.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна