Sivjet pranvera na surprizoi me temperatura të larta dhe turistët po bëjnë gati valixhet për pushime verore, megjithëse sezoni turistik ende nuk është hapur. Ju ftojmë në një shëtitje në bregun verior të Detit të Zi.
Pushimoret Balçik, Albena, Varna dhe Zlatni pjasëci, të cilat gjenden në Veriun e Detit të Zi, po mbushen me turistët e parë të huaj. Këta të fundit vendosen aty para festës së Pashkëve. Disa turistë preferojnë të çlodhen në dhomën me pamje nga deti, të tjerët nguten të shkelin rërën e detit dhe të futen në ujë. Të preferuara janë po ashtu dhe qendrat spa, ku ofrohen procedura të ndryshme shëruese dhe zbukuruese – banja turke, sauna, xhakuzi, dush me vitamina, masazhe, palestra etj. Një mundësi tjetër për të kaluar pushimet e hershme verore janë dhe shëtitjet me pamje të mrekullueshme nga mali Dobruxha.
Bregu verior i Detit të Zi është mistik. Ky është një rajon me tokë pjellore ku shpërndahet era e bukës së pjekur, e byrekëve tradicionale dhe e ëmbëlsirave. Sidomos tani para festave – Ngjallja e Llazarit dhe E Diela e Dafinave, si dhe para Pashkëve, çdo kënd mahnit me traditat e veta.
Çfarë mund të thuhet akoma për malin e Dobruxhës? Ky vend mistik pasqyrohet në veprat e shkrimtarit të madh bullgar Jordan Jovkov. Bile pushimorja Albena mban emrin e njërës nga personazhet e tij. Po të zbrisni nga veriu, nga maja Sivriburun, para jush do të hapen pamje përrallore. Mos harroni të vizitoni po ashtu dhe bregun Kamen dhe rezervatin arkeologjik “Jajlata”. Aty gjendet një qytezë prej guri e cila daton nga mijëvjeçari i pestë para lindjes së Krishtit.
Patjetër duhet të shkoni deri në Fenerin e Shablës, i cili fener funksionon që nga viti 1769. 15 km larg tij gjendet Liqeni Durnakullak, sipër të cilit kalon vija ajrore ndërkombëtare e shpendëve Via Pontika. Liqeni Durankullak është shpallur zonë e mbrojtur dhe në të janë habitatet natyrore të krapit të egër. Në rajon gjendet po ashtu dhe rezervati arkeologjik “Srebërna”.
Sigurisht një vend mahnitës është Kaliakra – tokë 2 km brenda detit, ku shkëmbinjtë ngrihen 70 metra sipër ujit. Aty mund të bëni fotografi të cilat do të kujtojnë emocione të paharrueshme.
Një pushimore tjetër e cila gjithashtu tërheq shumë turistë në bregun verior të Detit të Zi është Balçik. Ky vend dallohet për nga atmosfera e tij aristokratike dhe kënaq syrin me një pamje jashtëzakonisht të bukur nga deti. Nuk është e rastit që në vitet e 20-ta të shekullit të kaluar mbretëresha rumune Maria e ka zgjedhur Balçikun rezidencë verore. Ia vlen të vizitoni Kopshtin Botanik. Aty rriten më se 60 lloje trëndafilash, mes tyre edhe trëndafili blu. Ka mbi 2500 bimë të rralla dhe ekzotike. Larmia biologjike nga mbarë bota përfshin drurë, shkurre, bimë shkëmbore e ujore, bimë alpine dhe rëre, lloje të kërcënuara me zhdukje dhe barna shërues. Disa nga bimët janë të moshës mbi 50 vjeçare. Një nga koleksionet më tërheqëse është ai i kaktuseve. Ky koleksion është i dyti për nga lloji i tij në Evropë, pas koleksionit të kaktuseve në Monako.
Në bregun verior të Detit të Zi po ashtu mund t’ia dhuroni vetes një ekskursion. Vendi më i përshtatshëm për të është manastiri shkëmbor Alaxha i cili manastir daton që nga koha e Mesjetës. Gjendet 17 km larg Varnës dhe 3 km larg pushimores Zlatni pjasëci. Po të doni të vizitoni pika historike dhe t’u bashkoheni aktiviteteve të ndryshme kulturore, atëherë vizitojeni “kryeqytetin detar” të Bullgarisë – Varna.
Përgatiti në shqip: Anna Kapitanova
Fotografi: arkiv