Përpara 180 vjetësh në qytetin Gabrovo është hapur shkolla e parë laike bullgare. Në të u zbatua metoda e mësimdhënies reciproke të pedagogëve britanikë Bell dhe Lancaster, tek e cila nxënësit më të përparuar ndihmojnë në arsimimin e më të vegjëlve. Kuptohet, ky proces realizohet nën drejtimin e mësuesit. Mësuesi i parë në këtë shkollë është rilindësi i njohur bullgar Neofit Rillski. Dhurues të shkollës janë Vasill Aprillovi, Nikollaj Pallauzovi, vëllezërit Mustakovi dhe bullgarë të tjerë të pasur, që jetojnë jashtë shtetit. Ata sigurojnë mjete financiare për arsimtarët, pas kësaj dhe bursa për nxënësit që kanë mbaruar me sukses për vazhdimin e arsimit të tyre. Por emri i Vasill Aprillovit nuk duhet të lidhet vetëm me faktin se është stërgjyshi i arsimit të ri bullgar që ka dhuruar mjete, por ai ka parashikuar dhe si do të zhvillohet ai më tutje.
“Ai dhe Nikollaj Pallauzovi janë drejtorët e shkollës nga Odesa – tregon Daniella Coneva, përgjegjëse në Muzeun Rajonal Historik në qytetin Gabrovo. – Një tregtar i suksesshëm, Aprillovi kontribuoi jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e lidhjeve tregtare me Rusinë. Nga ana tjetër, me veprimtarinë e tij letrare ai ndihmoi edhe për zhvillimin kulturor të Gabrovos dhe territoreve bullgare (në atë kohë pjesë të Perandorisë Osmane). Vepra e tij e parë është “Agimi i arsimit të ri bullgar” nga viti 1841. Po këtë vit ai boton dhe një vepër tjetër “Cilit fis sllav i përket alfabeti i Kirilit”. Një vit më vonë boton shtojcë ndaj “Agimit të arsimit të ri bullgar”. Pas kësaj vijojnë “Diploma bullgare” nga viti 1845 dhe vepra e tij e fundit “Mendime për arsimin e sotëm” në vitin1847. Do më thënë në vazhdim të 7 vjetëve ai boton 5 vepra – që janë një kontribut në zhvillimin e letërsisë bullgare dhe në popullarizimin e arsimit bullgar.”
Muzeu Rajonal Historik në Gabrovo ruan dokumente të çmueshme lidhur me Vasill Aprillovin. Nder to janë letra drejtuar motrës së tij Kera, veprat e tij letrare, sende personale të familjes së tij.
“Me gjithë se letrat drejtuar motrës Kera janë shumë personale, ato janë një dëshmi për interesat e tij për ruajtjen e traditave bullgare.P.sh. në njërën prej letrave ai e lut motrën të kërkojë dhe të mbledhë këngë popullore, i jep këshilla çfarë të jenë ato – për fejesë, për dashuri, për dasmë. Përveç kësaj e këshillon çfarë vajza dhe gra të kërkojë dhe nëse janë të varfra si të paguajë për punën e tyre. Në një letër tjetër, ai ndan idenë e vet për hapjen e shkollës për vajza. Në fakt, pas qytetit Pleven, Gabrovo është vendbanimi i dytë, ku vihet fillimi i arsimimit të vajzave në Bullgari.”
Për mbledhjen e folklorit autokton dhe burimor ai u drejtohet Neofit Rillskit dhe bashkatdhetarëve të tjerë. Ideja e tij është që të gjithë shembujt e folklorit muzikor të përfshihen në një përmbledhje. Interesi i theksuar i Aprillovit ndaj dokumenteve të tilla autoktone dhe monumenteve arkeologjike janë shkaku që ai të konsiderohet si themeluesi i drejtimit shkencor në historiografinë bullgare – shënon znj. Daniella Coneva. Ai është bullgari i parë që ka aplikuar tek ne termin “arkeologji”. Nga ana tjetër, Aprillovi popullarizon në një vepër të tij arsimin e ri, duke përmendur, se 6 vjet pas inaugurimit të shkollës së parë laike në Gaborvo, në territorin bullgar tashme ka një rrjet shkollash të tilla – në qytetet Panagjyrishte, Sopot, Karllovo, Trjavna, Kazanllëk, Svishtov. Me argumente ai e prezanton qytetin Gabrovo si qendër e kësaj kauze, duke e krahasuar me përvojën e shteteve të zhvilluara evropiane. Ai e quan qytetin “djepi kryesor i arsimit bullgar”. Jo rastësisht në vitin 1872, gjashtë vjet para Çlirimit, shkolla në Gabrovo shndërrohet në gjimnazin e parë në territorin bullgar. Sot Gjimnazi Kombëtar i Aprillovit është ndër shkollat elitare në vend. Trashëgimia e patronit të saj dhe e kaluara e saj e famshme dhe e pasur janë shkaku që në të të krijohet Muzeu Kombëtar i Arsimit.
Përgatiti në shqip: Sofia Popova
Kolazh: Vergil Mitev
Fotografi: gocenter.bg