Në muzeun “Louvre” të Parisit sot hapet ekspozita “Epopeja e mbretërve trakë – zbulime arkeologjike në Bullgari”. Në ceremoninë e hapjes do të jenë të pranishëm përfaqësues të qeverive të Bullgarisë dhe të Francës. Janë të ftuar gjithashtu Drejtorja e Përgjithshme e UNESKO-s Irina Bokova, Zëv/kryetarja e Komisionit Evropian Komisionare Kristalina Georgieva dhe këngëtarja e njohur franceze me orgjinë bullgare Silvi Vartan.
Koncepti shkencor dhe përzgjedhja e eksponateve për ekspozitën janë bërë nga 3 shkencëtarë francezë dhe 2 bullgarë. Janë paraqitur 1629 eksponate nga 17 muze bullgare, 20 eksponate nga Louvri dhe 11 nga institute të tjera kulturore, mes të cilave është Muzeu Britanik dhe Muzeu Prado. Theksi kryesor në ekspozitë është kryevepra unike e artit antik – koka prej bronzit të mbretit trak Sevt III nga fondi i Institutit Kombëtar Arkeologjik me muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave në Sofje. Ekspozita është vendosur në katër salla në sektorin “Risheljo” në afërsi të piramidës dhe do të mund të shihet nga publiku më i madh muzeor në botë në periudhën nga data 16 prill deri më 20 korrik të vitit 2015.
Ja se si njeri prej kuratorëve të ekspozitës – Aleksdander Baralis, e vlerësoi për Radio Bullgarinë rëndësinë e aktivitetit:
“Ju e kuptoni, se për Bullgarinë ky është një aktivitet unik, me interes të jashtëzakonshëm, në qoftë se i referohemi shtypit. Ka dhe një evolucion, në qoftë se do të gjykojë nga miqtë e mi, të cilët përpara 14 vjetësh nuk dinin asgjë për Bullgarinë. Tani njohin malet, bregdetin bullgar, bukuritë, kulturën e vendit tuaj. Është bërë një hap i madh, më besoni! Duke hapur dyert e Louvrit, Drejtori Jean-Luc Martinezi jep një shans unik Bullgarisë të prezantojë pasurinë e saj kulturore, një qëndrim bashkëkohor mbi historinë dhe unë besoj, se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit jashtëzakonisht të dobishëm, sepse Bullgaria ka edhe çfarë tjetër t’i tregojë botës.”
Përgatiti në shqip: Sofia Popova