Feja e krishtere mohon paganizmin. Prapëseprapë jo rrallë herë midis objekteve pagane dhe atyre të krishtere ekzistojnë lidhje shumë interesante, të cilat nuk janë të studiuara dhe të analizuara sistematikisht. Ky është qëndrimi i docentit Ljubomir Conev nga Instituti i Fizikës së Trupit të Ngurtë. Lidhur me këtë ai shpjegon:
“Nëpër fshatrat shpesh herë dëgjojmë legjenda, sipas të cilave ndonjëri ëndërron se diku ka ndonjë relikte. Dhe kur njerëzit shkojnë në këtë vend, në të vërtetë zbulojnë diçka dhe ndërtojnë ndonjë kishë të vogël – paraklis. Ndodhi të tilla janë shumë, që të jenë të rastit. Sipas meje kjo vazhdimësi ka të bëjë me kujtesën e popullsisë për vendet e shenjta nga koha më e moçme.”
Një nga shembujt për këtë fenomen është “Krëstati kamen” – guri në formë të kryqit, në afërsi të qytetit Kjustendill në kufirin me Maqedoninë. Ai përbën një kryq me lartësi dy metra i gdhendur nga një shkëmb i madh. Por kryqi u rrëzua dhe u thye pasi goditi shkëmbin që ndodhej pranë. Ljubomir Conevi e vizitoi vendin:
“Vendosa të rrethoj shkëmbin dhe zbulova sipër vrima të rrumbullakëta të formuara mirë me një hulli për derdhje. Sipas arkeologëve ato janë shenjtërore parahistorike. Mirëpo, çfarë derdhej në ato hulli – qumësht, ujë ose verë, nuk dihet sepse monumenti datohet te mijëvjeçari i dytë para erës sonë. U çudita shumë. Mendova gjatë, cila ishte kjo forcë, e cila t’u kujtojë njerëzve të mesjetës, se aty para mijëvjeçare të tëra gjithashtu kishte shenjtërore.”
Një objekt tjetër interesant është faltorja “Shenjtor Petër dhe Pavell” në fshatin Çerven Brjag në afërsi të qytetit Dupnica, tregon docenti Conev dhe vazhdon:
“Në këtë vend ka një tumul parahistorik. Nëmajën e tij qëndron i ngulur një menhir – një gur vertikal me lartësi përafërsisht 2 metra. Në epokën e krishtere maja e sipërm është formuar si kryq. Në njërën anë ka një kamere për ndezjen e qirinjve. Kryqi i gdhendur mbi menhirin është një shenje për epokën e re. Mbi tumul me megalite të tjera si dolmen për shembull, ndërtoheshin faltore. Për fat të keq ato objekte mirëmbahen në Evropën Perëndimore, ndërsa këtu personalisht unë e zbuloj vështirë” – rrëfen docenti Conev. Ai është shumë i dëshpëruar, sepse të dhënat për ato objekte zhduken me vdekjen e njerëzve të moshuar.
Lidhja midis paganizmit dhe fesë së krishtere mund të ndiqet edhe me pasurimin e figurave. I tillë është rasti me kalorësin trak, një hyjni me emrin Heros. Për të docenti Ljubomir Conev tregon:
“Figura e kalorësit trak ishte fryt i imagjinatës së fiseve ballkanike që para erës sonë. Janë të zbuluara përafërsisht 5 mijë pllaka gurore me relievin e tij. Është e dukshme, që popullsia vendore ishte e prirë që të përfytyrojë hyjninë e vet si kalorës. Kalorësi nuk është agresiv. Ai vrapon ose bën gjah. Pllaka të tilla punoheshin deri në shekullin e IV. Në shekujt IX dhe X në qendrën e respektit të përgjithshëm ishte Shën Gjergji, i cili sipas legjendave ishte ushtar. Në fillim ai rikrijohej me mburojë dhe shpatë. Këtu në Ballkan në periudhën e shekullit të IX, Shën Gjergji pikturohej i hipur mbi një kalë. Në periudhën e shekujve XV – XIX në shumë rajone të vendit pllaka me pamje të kalorësit trakë respektoheshin si ikona e Shën Gjergjit.”
Një ndodhi e tillë u regjistrua në qytetin Pllovdiv. Në fillim të shekullit XX aty u krijua një muze. Drejtori i tij Boris Djakoviç rrethoi shtëpitë në rajon duke kërkuar artefakte për muzeun. Papritmas në një faltore të vogël shtëpiake zbuloi një pllakë të vogël me pamjen e kalorësit trakë. Para saj pronarët aq gjatë ndiznin qiri, se ajo ishte tymosur. Një dëshmi interesante për lidhjen midis figurave të vjetra të Herosit dhe pamjes së Shën Gjergjit sipas docentit Conev është ikona e zbuluar në Sozopoll në fillim të shekullit XX:
“Ajo përbën një pllakë të relievtë prej druri me dy kalorës – Shën Gjergji dhe Shën Dhimitër, vendosur në një kornizë me skena nga jeta. Korniza datohet nga shekulli i XVII. Mirëpo, supozohet se kjo pllakë prej druri është më e vjetër – thekson docent Conevi. – Shën Gjergji është i rikrijuar me një shtizë dhe lufton një kafshë të egër. Prapa shpinës së tij shihet një hark dhe shigjeta. Kjo nuk haset në ikona të tjera të këtij shenjtori. Kjo vjen të sugjerojë lidhjen me kalorësin trak, i cili ishte gjahtar. Përball shenjtorit ka një pemë përreth së cilës zvarritet një gjarpër. Shën Dhimitri përpiqet të godasë gjarprin me një topuz. Subjekti me Herosin, pemën dhe gjarprin haset të paktën në gjysmën e pllakave nga koha e trakëve. Kështu që mund të mendohet, se ikonografi dinte dhe kopjonte pamjet e vjetra. Vet pllaka prej druri gjithashtu është e relievtë si ato të punuar prej guri. Në krishterimin subjekte të tilla nuk ka.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Fotografitë janë nga arkivi personal i doc. Conevit