Eмисия новини
от 15.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Shën Gjergji Trofeprurësi – Martiri i Madh i Krishterimit

БНР Новини
Снимка: arkiv

Pas Pashkëve një prej festave më të nderuara të krishtera është ajo e Shën Gjergjit. Ai ka jetuar në një periudhë të rëndë për krishterimin – në fund të shekullit III dhe në fillim të shekullit IV, kur të krishterët ishin përndjekur dhe torturuar nga perandori Dioklecian (284-305). Shën Gjergji ishte vetëm 20 vjeçar, por dispononte gjithçka, për të cilën ëndërronin në atë kohë njerëzit – gradë e lartë në ushtrinë e perandorit, anëtar i Këshillit Shtetëror, pasuri. Kur filluan persekutimet më të ashpra kundër të krishterëve ai hoqi dorë nga rangu ushtarak dhe ua shpërndau pasurinë e vet të varfërve. Me Perëndinë në zemrën e vet ai u nis në mbrojtje të fesë së krishterë, “Për hir të së vërtetës, e cila është vetë Krishti!” Shën Gjergji është njëkohësisht Martir i Krishterimit dhe Trofeprurës, sepse nëpërmjet martirizimit të tij ai u bë i pavdekshëm.

Për vuajtjen, shpëtimin dhe fitoren biseduam me Hieromurgun Kliment nga Manastiri i Zhabljanos “Shën Gjon Pagëzori”:

СнимкаShën Gjergji është një nga martirët e parë të fesë së krishterë. Vuajtjet e tij ishin shumë të ashpra. Martir i madh është ai, i cili i ka pranuar dhe përjetuar të gjitha torturat, për të cilat është lavdëruar nga Perëndia si shenjtor. I lidhur pranë një rrote rrotulluese, ai duhej të vraponte i veshur me këpucë të hekurta dhe me gozhdë të ngulura. “Vrapo, o Gjergji, që ta arrish!” – i thonte vetes ai. Dhe në këto vuajtje, të cilat sipas të krishterit të sotëm janë të papranueshme, Zoti u duk para tij dhe i tha: “Unë jam me ty. Mos u dorëzo!” Gjergji e dinte se kurora e lavdisë e priste në Mbretërinë Qiellore. Është Trofeprurës, sepse ka fituar. Në jetën shpirtërore ne e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Ai erdhi në tokë, që të na sjellë ligje të reja, një mbretëri të re, domethënë një jetë të re, një mënyrë të re të të menduarit. Njerëzit e fshikulluan, e kryqëzuan, ai vdiq, e varrosën. Çdonjëri, i cili është dëshmitar i një torture të tillë, mund të thotë se torturuesi është ai i cili fiton, ndërsa i torturuari është humbësi. Zoti i përjetoi të gjitha vuajtjet, që të fitojë dhe ai fitoi pasi u ngjall në qiell. Kështu edhe Shën Gjergji, edhe martirët janë trofeprurës. Ata fitojnë jo këtu në tokë, por në Mbretërinë Qiellore. Atje i kurorëzojnë pas vuajtjeve të tyre në tokë.

Sipas legjendës për jetën e Shën Gjergjit ai u vra më 23 prill, bashkë me të shoqen e Perandorit Dioklecian – Aleksandra, e cila gjithashtu besonte në Krisht. Në një artikull që nga viti 2007 doc. dr. Hristo Temellski shënon se deri në vitin 1916 Shën Gjergji është nderuar më 23 prill, por pas vendosjes së Kalendarit Gregorian datat ndryshuan. Kjo ndryshoi edhe festat e palëvizshme të krishtera, datat e të cilave lëvizën disa ditë përpara, si dhe Dita e Shën Gjergjit. Në vitin 1967 Sinodi i Shenjtë mori vendim që festat e palëvizshme të shënohen në datat e shpallura në librat e shërbimeve fetare. Në periudhën 1969-1976 data e nderimit të Shën Gjergjit ishte 23 prilli, kurse në kalendarin e vitit 1977 festa u shënua më 6 maj me vendim të partisë në pushtet. Ja se si e shpjegoi këtë ndryshim hieromurgu Kliment:

Priftërinjtë e përgatitin shërbimin për Shën Gjergjin sipas librit të shërbimeve fetare për muajin prill. Nuk mund t’i caktojmë përsëri ditët e vendosura të nderimit të shenjtorëve. Ndërhyrja e njeriut e ndërpret lidhjen midis kishës qiellore dhe asaj tokësore. Ajo në tokë mund të kremtojë ndonjë festë, por a mund ta shënojë festën ajo qiellore?

Foto: BGNES

Çfarë na mëson jeta e Shën Gjergjit, i cili hoqi dorë nga gjithçka në emrin e besimit?

Të flijojmë veten, të sakrifikohemi. Pavarësisht nga përndjekjet, ai pa pasur frikë deklaroi përkatësinë e vet të krishterë. Ai nuk ra dakord të përulet dhe t’u bëjë fli idhujve. Ai flijohej vetëm në emrin e Perëndisë. Edhe në Ungjill është thënë se nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve. Ai na jep shembulli se pavarësisht nga rrethanat njeriu duhet të jetojë sipas besimit brenda shpirtit të vet.

Në çfarë mjedisi jeton i krishteri i sotëm – të fitimtarëve, ose të humbësve?

Kjo varet nga vetë ai. Në qoftë se njeriu i respekton Ligjet e Zotit dhe atë që është shkruar në shpirtin e tij (sepse çdonjëri e di se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe) në qoftë se ai bën gjëra të mira, atëherë ai është torfeprurës, domethënë ai lufton kundër së keqes, që të mos e pushton kjo e keqe. Atëherë ai ngjan me Shën Gjergjin.

A ka nevojë bota për Trofeprurës në emrin e së drejtës dhe të së vërtetës?

Trofeprurësi i parë, i cili e valëviti këtë flamur, është Jisu Krishti. Zoti, duke qenë Krijuesi i Universit, i njerëzve, e barazoi Birin e vet me krijesën e vet, që t’i sjellë asaj lirinë e pritur. Zoti na dha një shembull: që ta arrijmë përsosmërinë, ne duhet të luftojmë. Jemi krijuar prej dy natyrash – hyjnore dhe njerëzore, që është Imazhi i Zotit brenda nesh. Dhe në saje të këtij luftimi të brendshëm duhet të marrim vendim se çfarë të zgjedhim. Jeta e njeriut është e shkurtër. Pas saj është përjetësia. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër ne duhet të vendosim se çfarë të jetë fati ynë i përjetshëm.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна