Update Required To play the media you will need to either update your browser to a recent version or update your Flash plugin.
Ngjyrat e panumërueshme të luleve, format e çuditshme të majave malore, zogjtë gojëmbla – të gjitha këto do t’i gjejmë në qilimat tradicionalë bullgarë. Të rrethuar nga bukuria dhe shumëllojshmëria, nga natyra e pasur, e cila e ndryshon pamjen çdo stinë, bullgarët prej shekujsh gërshetojnë ndjenjat e tyre estetike në pëlhurat për përdorim të përditshëm.
Sipas hulumtuesve, rrënjat e punimit të qilimave duhet t’i kërkojmë në Azinë Qendrore. Dëshmitë e para për këtë datojnë nga mijëvjeçarë të tërë dhe janë lidhur me kulturën e fiseve nomade që jetonin në këto troje. Ato i përdornin qilimat për të mbuluar dyshemenë ose shatrat. Prej qilimash ishin dhe muret e brendshme të banesave të tyre, shalat e kuajve, djepat, në të cilin i rritnin fëmijët. Në ngjyrat e qilimave ruhen përfytyrimet e tyre për botën, besimet dhe traditat. Nga Azia Qendrore fiset nomade lëviznin në të gjitha drejtimet e kontinentit, duke transferuar teknologjinë autentike të punimit të qilimave.
Në Bullgari punimi i qilimave është ndër zanatet më të lashta artistike. Zakonisht praktikohet nga gratë. Materialet, nga të cilat punohen qilimat tradicionalë bullgarë janë leshi dhe pambuku. Ngjyrosja e tyre bëhej me bojëra të natyrshme – barna ose kore të drurëve. Teknika e përgatitjes dhe punimit transmetohej brez pas brezi. Në familje vajzat mësonin si të ngjyrosin leshin, si të punojnë në tezgjah.
Nga pikëpamja historike pëlhurat kanë një jetë shumë të shkurtër – mezi disa shekuj, ja përse nuk mund të dimë me siguri se si dukeshin qilimat e bullgarëve gjatë Mesjetës. Por mund të supozojmë se ata nuk ndryshonin shumë nga shembujt që janë ruajtur në muze të ndryshme, të cilat prezantojnë epokën e Rilindjes. Gjejmë dëshmi dhe në shënimet e udhëtarëve. Feliks Kanic – arkeolog, etnograf, historian dhe piktor austro-hungarez, e ka vizituar vendin tonë shumë herë, për herë të parë në mes të shekullit XIX. Ja se çfarë shkroi ai: “Gjeta në Bullgari një industri shtëpiake shumë të zhvilluar. Në shumë qytete dhe fshatra bullgare punohen breza, thika, stoli prej metali, enë prej deltine, qilima. Më shumë më pëlqejnë qilimat. Ngjyrat dhe ornamentet janë renditur me mjeshtëri të madhe.”
Me ndërlikimin e ornamenteve dhe pasurimin e gamës së ngjyrave, punimi i qilimave gradualisht u nda nga prodhimet shtëpiake dhe u bë një zanat artistik. Ka dëshmi për mjeshtre të dëgjuara, te të cilave bullgarët më të pasur porositnin qilima. Njihen disa stile bullgare unike në punimin e qilimave. Dy prej tyre mbajnë emrat e vendbanimeve, në të cilat janë lindur – Kotel dhe Çiprovci. Historia e qilimave të Çiprovcit është plot legjenda, por edhe me ngjarje reale. Gjatë shekullit XVII në Çiprovci tashmë kishte ornamente të caktuara, të cilat do t’i shohim deri më sot në qilimat e mjeshtërve bashkëkohorë të kësaj krahine. Një nga ornamentet karakteristike quhet “karakaçka” që do të thotë “nuse me sy të zinj”. Konsiderohet se “karakaçka” është një imazh simbolik i perëndeshës së pjellorisë. Ky lloj qilimash janë dyngjyrësh – e kuqe dhe e zezë ose e kuqe dhe e bardhë. Në regjistrat e mjeshtërve të vjetër është shkruar se ushtria turke blinte 8000 qilima në vit.
Një qytet tjetër i dëgjuar me shkollën e tij të punimit të qilimave është Kotel. Gjatë vitit 1933 atje u themelua një kooperativë për prodhim të pëlhurave tradicionale, kurse më vonë – shkollë për zanate artistike. Pavarësisht nga veçoritë regjionale, në qilimat bullgarë do të gjejmë shumë elemente të përbashkëta me kuptim special. Më i përhapuri quhet “makaz” – një simbol i lashtë, i përbërë nga dy trekëndësh. Ata simbolizojnë gruan dhe burrin, por gjithashtu harmoninë dhe balancën. Dikur e pikturonin jo vetëm në qilima. Kur burrat niseshin në rrugë, nënat dhe gratë e tyre endnin për ta qilima të vegjël me këtë shenjë – që t’i ruanin nga pengesat dhe armiqtë.