Eмисия новини
от часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

George Kaish: Moldavia është atdheu im, Bullgaria është atdheu im historik

George Kaish në Radion Kombëtare Bullgare
Снимка: аrkiv personal

Ai është vetëm 19 vjeç, por tashmë ka pasur një sukses serioz si drejtues i një talk show në radion Albena të Moldavisë. George Kaish është student në Bullgari për 6 muaj - ai studion për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore.

Së shpejti do të mund të dëgjoni video-kastin e tij pilot në Radio Bullgarinë në gjuhën ruse - diçka që bëhet për herë të parë në gjuhë të huaj në Radion Kombëtare Bullgare (BNR). Tërë seria titullohet „Время беседы“ ("Koha për të folur"). Në të, George do të na njohë me historitë e të rinjve që kanë zgjedhur të studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Bullgari dhe do të na takojë me bullgarë besarabë nga qyteti i Taraklias. Vetë George është prej andej. Ai e do vendlindjen e tij, por nuk e fsheh dëshirën për të qëndruar më gjatë në Bullgari.

“Më pëlqen shumë Bullgaria”, thotë ai. - Ëndrra ime ishte të bëja studime këtu. Sofja është një qytet shumë i bukur, komod dhe i këndshëm. Unë i admiroj bullgarët dhe Bullgarinë. Shumë të rinj zgjedhin rrugën time. Që në moshë të re dëgjojmë për atdheun tonë historik, mësojmë për të dhe duam ta shohim, duam të jetojmë këtu. Kjo është Evropa, kjo është një mundësi shumë e madhe. E falënderoj shtetin bullgar që u dha mundësinë bullgarëve besarabë nga Moldavia dhe Ukraina të studiojnë falas.”

E pyesim Georgen si e ndien jetën në Bullgari, a ka ndonjë gjë që nuk i pëlqen?

Më duket se ne jemi krejt të ndryshëm - bullgarët besarabë dhe bullgarët këtu. Në fillim ishte pak e vështirë, por tashmë fillova të adaptohem. Kam miq që më ndihmojnë shumë. Mund të them se bullgarët janë një popull miqësor dhe i këndshëm. Nuk më pëlqen se disa instanca funksionojnë shumë ngadalë dhe duhet të kujdesesh vetë për veten tënde. Kur shkova në Ministrinë e Brendshme, askush nuk më tha se ku dhe çfarë të bëja. Më duhej të orientohesha vetë. Tashmë filloi procedura e marrjes së shtetësisë bullgare. Besoj se gjithçka do të jetë në rregull dhe do të marr nënshtetësinë, se do të filloj të punoj në Radion Kombëtare Bullgare dhe do të bëj një karrierë të madhe këtu në Bullgari, e më pas - në Evropë dhe në botë."

Në lidhje me video-kastin që nis për Radio Bullgarinë, George thotë:

“Që si fëmijë kisha dëshirë të madhe për të bërë studime në Bullgari, në Sofje. Por ëndrra ime më e madhe ishte të bëhesha një yll mediatik”, thotë ai me buzëqeshje. - Puna për BNR është shumë e vlefshme për mua. U përpoqa shumë dhe nuk kurseva asnjë përpjekje. Unë besoj se njerëzit do të ndajnë mendimet e mia dhe do të vlerësojnë atë që kam bërë.”

Në Moldavi, familja e Georgi Kaish drejton një biznes privat. Pyetjes nëse do të kthehet atje pas përfundimit të studimeve në Bullgari, i riu iu përgjigj kështu:

“Moldavia është atdheu im, ndërsa Bullgaria është atdheu im historik. Unë jam djali më i vogël i familjes dhe babai, sipas traditës, dëshiron që të kthehem dhe ta vazhdoj fisin tonë. Por unë i them se dua të jetoj në Bullgari. Ndoshta një ditë do t'i blej një shtëpi buzë detit dhe ai do të pranojë të jetojë këtu, në atdheun tonë historik.”

Në Sofje, George jeton në një konvikt studentësh me dy shokë dhome nga Ukraina. Disi, natyrshëm, biseda na çon te lufta dhe dimensionet e saj…

“Lufta është një gjë shumë e frikshme. Çdo ditë ne flasim për këtë me miqtë e mi ukrainas. Dhe ne nuk e kuptojmë se si është e mundur të ketë luftë në shekullin e 21-të. Shokët e dhomës më tregojnë se sa e vështirë është të jetosh në Ukrainë për momentin, ata nuk mund të kontaktojnë prindërit e tyre me telefon. Në të njëjtën kohë, mendoj për familjen time. Republika e Moldavisë është pranë Ukrainës dhe ne kemi gjithashtu një territor të rrezikshëm - Pridnestrovie. Prandaj kemi shumë frikë. Vëllezërit sllavë po luftojnë dhe nuk e dinë pse. Është e frikshme."

Së shpejti do të mund ta shihni George Kaish në video-projektin e ri të Radio Bullgarisë - „Время беседы“ ("Koha për të folur"), në rusisht, me titra në bullgarisht. Videoja do të jetë e disponueshme në faqen e internetit të Radio Bullgarisë dhe në kanalin YouTube të Radios Kombëtare Bullgare.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Arkivi personal i George Kaish

Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна