Eмисия новини
от 09.00 часа
Размер на шрифта
Българско национално радио © 2024 Всички права са запазени

Monopolizmi – një tendencë e rrezikshme për pavarësinë e mediave

Снимка: BGNES
Kriza e mediave, e cila preku shumë vende në botë, nuk tejkaloi dhe Bullgarinë. Ajo u thelua edhe më shumë nën presionin e krizës ekonomike. Gazeta të mëdha si ajo franceze “Mond” dhe ajo amerikane “Nju Jork Tajms” u gjendën në prag të falimentimit. Te ne disa gazeta dhe revista falimentuan, disa të tjera kaluan në duart e pronarëve të rinj. Ato, të cilët u shpëtuan nga falimentimi, u detyruan t’i kufizojnë tirazhet e veta, kurse nga ana e vet kjo çoi deri në ulje të interesit të reklamuesve.

Mungesa e mundësisë që shtypi të paguajë për veprimtarinë e vet e bën të dobët dhe të varur, është i mendimit Svetosllav Terziev nga gazeta “Sega” (“Tani”). Sipas tij vështirësitë e reja ekonomike lejojnë blerjen me kile të gazetave. Kjo çoi deri në përqendrimin e shumë botimeve, përfshi këtu dhe mediat elektronike, në duart e grupazheve të veçanta, të cilat mbrojnë interesat e tyre ekonomike dhe politike. Monopoli në mediat private e rrezikon lirinë e fjalës dhe kufizon paraqitjen e pikëpamjeve të ndryshme, alarmoi para pak kohe Bashkimi i gazetarëve bullgarë gjatë një debati, kushtuar kësaj teme. Sipas Penço Hubçevit nga fondacioni “Fridrih Ebert” te ne tashmë po vëzhgohen dy monopole të mediave:

“Monopoli i parë është lidhur me paraqitjen e veprimtarisë së pushtetarëve për llogari të partive të tjera politike. Monopoli i dytë ka të bëjë me përhapjen e shtypit – thotë ai. – Një studim i 7 të përditshmeve kombëtare, i zhvilluar nga agjencia “Market Links” nga fundi i vitit 2009 deri në muajin shtator të vitit 2010 tregon se në publikimet e tyre emri i kryeministrit Bojko Borisov është përmendur 6 625 herë, emri i ministrit të punëve të brendshme Cvetan Cvetanov është shënuar afro 3000 herë, kurse ai i liderit të Partisë Socialiste Bullgare në opozitë- vetëm 1411 herë. Në të njëjtën kohë publikimet për Bojko Borisovin janë kryesisht pozitive deri në neutrale, gjersa për opozitën janë negative. Dihet se një grupazh përgjigjet për përhapjen e 80 për qind prej gazetave në Bullgari. Nga fillimi i tranzicionit deri tani nuk ka pasur një paraqitje të tillë të njëanshme të proceseve politike në vend. Tashmë flitet se mediat po humbin statusin e tyre të pushtetit të katërt.”

Monopoli në media është një sëmundje, e cila preku shumë shtete, është i mendimit Svetosllav Terziev. Liria e fjalës dhe të drejtat e gazetarëve janë rrezikuar madje në vende si Italia dhe Franca. Kryeministri italian Silvio Berluskoni nëpërmjet perandorisë së tij të mediave zotëron disa televizione dhe i përcakton rregullat e reklamës. Në Francë një bankë kontrollon shtypin regjional dhe mediat elektronike në një të tretën e vendit, mendon Svetosllav Terziev. Shteti ka interes ta financojë monopolizmin, sepse kështu mediat punojnë në interes të tij, është kategorik gazetari.

“Monopolizimi i mediave te ne është edhe më i ashpër dhe direkt, sepse ai i ka pushtuar jo vetëm mediat, por dhe përhapjen e tyre – shton gjithashtu ai. – Te ne që prej shumë kohe ka monopol edhe mbi reklama. Nëpërmjet kontrollit mbi financimin me anë të reklamës mediat mund të udhëhiqen shumë lehtë. Monopoli i parë mbi shtypin bullgar daton nga vitet 90 të shekullit të kaluar dhe është i grupazhit gjerman të mediave WAZ. Ata vendosën monopol edhe mbi përhapjen, edhe mbi pronësinë e gazetave. Ata vranë dhe gazetat regjionale, të cilat janë më të dobëta. Një politikë të tillë WAZ nuk mund të zhvillojë në Gjermani në asnjë mënyrë, sepse atje do t’i dërgojnë në gjyq. Tani, pasi nuk mund të fitojnë aq shumë, u larguan nga vendi. Pse pushteti nuk reagoi? Sepse jemi dëshmitarë të një komploti të monopolistëve të mediave, i cili praktikisht është në dëm të shoqërisë. Le të mos harrojmë se shoqëria duhet të jetë e informuar, që të mund t’i kontrollojë pushtetarët. Pikërisht informacioni është ai instrument, me të cilin mund të ushtrohet presion mbi pushtet.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Rumjana Cvetkova
Новините на БНР – във Facebook, Instagram, Viber, YouTube и Telegram.


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Горещи теми

Войната в Украйна

Най-четени