Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të lidhurit e djathit

Një rrip i kuq, një vezë e zier dhe hallvë e bardhë – këto janë gjërat e nevojshme për momentin më të gëzuar të festës së Të Lidhurve të Djathit.
Foto: BGNES
Në kalendarin e dimrit të bullgarëve ka disa festa, në të cilat bëhet një pastrim ritual me ujë. Ndërsa në kufirin midis dimrit dhe pranverës ndizen zjarret rituale, me të cilat bullgarët presin stinën e re. Festat që shoqërohen me ndezje zjarri dhe kapërcimin e tij për shëndet janë disa. Me data të caktuara janë Gjyshja Marta (1 mars) dhe Evangjelizmoi (25 mars). Para tyre shënohen Të Lidhurit e Djathit.

Pikërisht tetë javë para Pashkëve ortodokse fillon periudha e gjatë e kreshmëve, gjatë së cilës të krishterët nuk hanë ushqime me prejardhje kafshore. Në vigjiljen e kreshmëve është tryeza e fundit, në të cilën lejohen produktet e qumështit, përfshi dhe djathi, nga vjen emërtimi Të Lidhurit e Djathit. Një javë para kësaj ndalohet mishi – në Të Lidhurit e Mishit. Javën para kreshmëve populli bullgar ua kushtonte gjërave të ndaluara deri në Pashkë. Çdo ditë hidheshin valle, kurse natën ndizeshin zjarre. Drutë për zjarrin ritual mblidheshin qysh nga dita e Shën Vasilit të Madh – 1 janari. Djemtë në fshat ditë me radhë grumbullonin dru të thatë. Sipas shkencëtarëve festa kishtare e Të Lidhurve të Djathit, kur të krishterët ia falin gabimet njëri-tjetrit, koincidon me një rit pagan, i cili zbatohej vetëm kur kishte hënë të re. Për ritet e vjetra me zjarr mësojmë dhe nga dokumentet kishtare nga shekulli VII, të cilat i ndalonin. Atje shkruan: “Urdhërojmë që të ndalohet ndezja e zjarreve para punishteve dhe shtëpive, si edhe të kapërcehen zjarret sipas ndonjë zakoni të vjetër. Po të bëhet kjo nga një klerik, ai të privohet nga posti, nëse është laik – të shkishërohet.” Megjithë këtë ndalim, në disa rajone të Bullgarisë festa është ruajtur deri më sot.

Shumë i përhapur është riti me zjarr në malin e Rodopeve, si edhe në disa vendbanime në malet Stara Planina dhe Sredna Gora. Në këto vende ndizen zjarre të mëdha, kurse fëmijët hedhin pishtarë të ndezur që të dëbojnë të keqen dhe dimrin. Kapërcimi i zjarrit bëhet për shëndet dhe për mbrojtje nga gjarprit. Sipas besimeve popullore, ai që e kapërcen zjarrin, bëhet i paprekshëm për kafshimin e zvarranikëve të rrezikshëm. Është interesant fakti se ky rit nuk është i njohur ndër sllavët lindorë dhe perëndimorë. Disa studiues pohojnë se ai është trashëgimi nga popullsia më e vjetër e tokave tona. Në mbrëmjen festive të Të Lidhurve të Djathit këndohen këngë dhe hidhen valle. Në shumë fshatra pas ndezjes së zjarreve djemtë hidhnin shigjeta të ndezura në oborrin e vajzës, të cilën e pëlqenin. Në mëngjes vajzat numëronin shigjetat. Ajo që kishte më shumë shigjeta në oborr, konsiderohej më e bukura dhe më e dëshiruara. Djemtë kryenin dhe një zakon tjetër – derisa i hidhnin shigjetat, thoshin vjersha të posaçme, me të cilat kërkonin nga babai i vajzës të lejonte dasmën. Disa nga vjershat madje kishin një kuptim të pahijshëm. Por prindërit nuk e sanksiononin këtë sjellje. Në këtë ditë lejoheshin fjalë dhe veprime më të lira. Sepse gjatë kreshmëve nuk do të kishte as valle festive, as tryeza të pasura. Para se të fillojë mbrëmja festive, bëhej kërkimi ritual i faljes. Të rinjtë ua puthnin dorën të moshuarve dhe kërkonin falje të gabimeve. Vetëm ai që e ka marrë faljen mund të fillonte kreshmët me zemër të pastër.

Një rrip i kuq, një vezë e zier dhe hallvë e bardhë – këto janë gjërat e nevojshme për momentin më të gëzuar të festës së Të Lidhurve të Djathit. Këtë e dinë edhe fëmijët, sepse riti “micërim” zbatohet deri në ditët tona në Bullgari. Me siguri hallva është një dukuri e re dhe ka hyrë ndër ushqimet rituale më vonë. Dikur mbi tryezë lidhnin një rrip të kuq ose një verore. Në fundin e lirë të rripit vinin një vezë, një copë djathi dhe një qymyr. Pastaj e tundnin rripin dhe ai lëvizej në rrotull afër secilit që është ulur në tryezë. Ai që e kapte me gojë, do të ishte i shëndoshë dhe i lumtur gjatë tërë vitit. Riti mbaronte me ndezjen e rripit. Njerëzit besonin se po të digjte mirë, do të kishte të lashta të pasura.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Albena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Zakonet rome u treguan në Radion Kombëtare Bullgare

Më 14 janar, komuniteti rom në Bullgari kremton festën e tij më të rëndësishme - Ditën e Vasilit. Për të ndarë traditat e folklorit rom në pritjen e Vitit të Ri të Romëve , siç është e njohur gjithashtu festa, në Radion Kombëtare Bullgare (BNR) erdhën..

botuar më 24-01-12 5.10.MD

Qindra mijëra bullgarë festojnë Ditën e Ivanit

Në Ditën e Ivanit /Ivanovden/ nderojmë kujtimin e Shën Joan Pagëzorit - profeti i fundit i Dhiatës së Vjetër dhe pagëzuesi i Jezusit. Qindra mijëra janë bashkatdhetarët tanë që sot festojnë ditën e emrit. “Ivan është titull, jo emër”, thotë populli..

botuar më 24-01-07 8.05.PD
Foto: BNR Bllagoevgrad

Ar, argjend dhe mëndafsh - një grua bullgare ringjalli teknologjitë e vjetra në përgatitjen e kostumit të Kjustendillit

Madlen Bozhillova Amin është fituesja e çmimit të vitit 2021 të UNESCO-s "Thesari i Gjallë Njerëzor" për një projekt që lidhet me bërjen e kostumit të lashtë të Kjustendillit të quajtur Saya. Kohë më parë, bullgarja u kthye nga jashtë në vendlindjen e..

botuar më 24-01-03 7.30.PD