Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Është duke u ulur numri i shpendëve në rajonet bujqësore

Foto: BGNES
Në kohën, kur çdo ditë, madje çdo orë në planetin tonë zhduken lloje bimore dhe kafshore, është normalisht të ndjekim me vëmendje se çfarë ndodh me llojet e rralla dhe të kërcënuara. Është shumë e rëndësishme të jemi në dijeni se çfarë ndodh edhe me llojet e shpendëve më të përhapur, sepse pikërisht ata na japin një përfytyrim më të mirë për gjendjen e mjedisit rrethues. Në këtë drejtim indikatori më i mirë janë shpendët. Prandaj Bashkimi Evropian u rekomandon të gjitha shteteve për të zhvilluar një monitorim të rregullt të shpendëve më të përhapur. Zakonisht ata hasen në tri lloje arealesh – pyjet, rajonet bujqësore dhe rajonet e përziera.

Në Bullgari studimi i parë i këtij lloji u zhvillua për herë të parë në periudhën 2005 – 2010 nga Shoqata bullgare për mbrojtje të shpendëve. Ky është studimi zyrtar jo vetëm për Ballkanin, por për tërë Evropën Lindore, ku gjendja e popullatës së shpendëve në përgjithësi është mjaftë e mirë në krahasim me atë në pjesën perëndimore të kontinentit, thotë Nikollaj Petkov – doktor i shkencave biologjike dhe pjesëmarrës në projekt nga ana e Shoqatës bullgare për mbrojtje të shpendëve.

Cilat janë përfundimet kryesore të studimit të kryer gjashtëvjeçar?

Në rajonet e studiuara ekspertët kanë konstatuar ekzistencën e 204 llojeve të shpendëve të përhapur gjerësisht, kurse kjo është pothuaj gjysma e pasurisë së shpendëve te ne, e cila përfshin mbi 400 lloje shpendësh. Pjesëmarrësit në projekt kanë studiuar me hollësi vetëm 38 prej tyre. Tendenca e përvijuar është shqetësuese. Gjatë vitit 2011 është konstatuar ulje e këtyre llojeve me 17 për qind në krahasim me vitin 2005. Në fund të vitit 2009 ulja e konstatuar ka qenë 14 për qind në krahasim me vitin e parë të studimit. Tendenca është e qartë dhe u përket edhe tri arealeve të përhapjes – pyjet, rajonet bujqësore dhe rajonet e përziera. 26 për qind e llojeve të studiuara të shpendëve më të përhapur gjenden në pyje, 44,7 për qind – në rajonet bujqësore. Nga kjo rrjedh interesi ndaj studimit më të hollësishëm të shpendëve të zakonshëm pikërisht në rajonet bujqësore, ku rritet gjysma prej tyre. Në dy arealet e tjera studimet nuk janë të mjaftueshme, sepse është bërë monitorim i një numri më të vogël shpendësh. 34 për qind e 38 llojeve të studiuara të shpendëve më të përhapur janë kërcënuar, sepse numri i tyre po ulet. Vetëm 5 për qind e këtyre shpendëve rritin popullimin e vet.

Çfarë ndodh me shpendët në rajonet bujqësore?

Atje është konstatuar 16 për qind ulje e numrit të tyre. Kjo tendencë është forcuar pas aderimit të Bullgarisë në BE në vitin 2007 dhe marrjes së subvencionimeve për bujqësi.

Cilat janë llojet e shpendëve më të prekur në rajonet bujqësore?

“Turtullеsha (Streptopelia turtur) për shembull, një lloj shumë i përhapur, është prej shpendëve të kërcënuar, pasi numri i tij është ulur me mbi 30 për qind – thotë Nikollaj Petkov. – Numri i shturës (Sturnus vulgaris) dhe trumcakut, gjithashtu lloje shumë të përhapura, ulet me shpejtësi shumë shqetësuese – mbi 40 për qind. Ka lloje, ku tendenca negative tashmë është minus 70 për qind.”

Për fat të mirë po vëzhgohet dhe rritje e numrit të disa llojeve të shpendëve nga viti 2005 e këtej, disa të tjerë kanë arritur një gjendje të qëndrueshme të llojit.

“Numri i Kaqubarit gushan (Sylvia communis) dhe i pëllumbit të egër për shembull rritet konsiderueshëm. Ende nuk e dimë se çfarë është shkaku për këtë. Për herë të parë te ne shihen dhe lloje si dallëndyshja fshatare (Hirundo rustika) dhe bilbili jugor, të cilat në krahasim me periudhat e kaluara, shënojnë një gjendje të qëndrueshme të popullimeve të tyre.”

Ekologët nga Shoqata bullgare për mbrojtje të shpendëve mendojnë se tani është me rëndësi t’i kushtohet një vëmendje e posaçme këtyre shpendëve, të cilat rriten në rajonet bujqësore. Sepse aktualisht vendi ynë është duke caktuar kriteret për subvencionimin e fermerëve gjatë periudhës tjetër buxhetore të BE-së (2014 – 2020). Nganjëherë ka nevojë për reforma të vogla, të cilat t’u përgjigjen interesave edhe të fermerëve, edhe të ekologëve. Zonja Edita Difova, specialiste e agroekologjisë në Shoqatën bullgare për mbrojtje të shpendëve, pjesëmarrëse në ekipin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili përgatit kriteret e reja kombëtare për praktikat e mira ekologjike, të lidhura me marrjen e subvencionimeve evropiane, ofroi disa ndryshime, të cilat u pranuan mirë. Cilat janë ato? Deri tani kërkohej që subvencionet për mirëmbajtjen e kullotave të jepen, vetëm kur të gjitha shkurret e tyre janë çrrënjosur. Doli se në trojet me vlerë të lartë ekologjike, në ato nga rrjeti “Natura 2000” dhe në ato në territoret e mbrojtura, është shumë e rëndësishme që në kullota të ketë grupe shkurresh, të vendosura si dërrasë shahu, të cilat tashmë mund të zënë 25 për qind të sipërfaqes. Pikërisht atje bëjnë fole shpendët, shpjegon zonja Difova, ose rriten kafshë, të cilët janë ushqim i llojeve grabitqare. Ndër to ka dhe disa të rralla si shqiponja mbretërore dhe shkaba egjiptiane.

Një saktësim i tillë i kritereve për bujqësinë është me rëndësi të madhe dhe lidhur me faktin se për shkak të shumëllojshmërisë së saj të madhe Bullgaria ka dhe një përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj në plan evropian dhe botëror, mendon Jordan Hristov, i cili përgjigjet për monitorimin e shpendëve në Shoqatën për mbrojtje të shpendëve.

“Bullgaria është një prej pikave të nxehta për ruajtjen e këtyre shpendëve të rrallë në Evropë – shton ai. – Disa prej llojeve, të cilat janë në Librin e Kuq të shpendëve të rrallë në shumë vende nga Evropa Perëndimore, kurse në disa të tjera hasen shumë rrallë, te ne janë ndër shpendët më të përhapura. Kështu qe përgjegjësia jonë si bastion i fundit është e madhe.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Maria Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Thatësira dhe humbjet e fermerëve: KE hapi rezervën bujqësore të krizës

Fermerët në Europë vazhdojnë të përballen me vështirësi dhe sprova të mëdha, si në treg ashtu edhe për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme që ndikojnë në prodhim. Pas protestave masive bujqësore në të gjithë BE-në që nga fillimi i vitit, fermerët po..

botuar më 24-10-01 8.21.MD

Holanda mbetet vendi më tërheqës për studentët bullgarë

Interesi për të studiuar jashtë te të rinjtë bullgarë po rritet - me 30% më shumë krahasuar me një vit më parë, dhe numri i studentëve që largohen për vitin akademik 2024-2025 është rritur me rreth 11%. Kështu ka thënë për programin “Hristo Botev”..

botuar më 24-10-01 4.23.MD

Gratë bullgare jetojnë 7.4 vjet më shumë se burrat

Kujtimet e Bullgarisë në 100 vitet e fundit mund t'i tregojnë 300 gra dhe 96 burra. Në Sofje ka më shumë njëqindvjeçarë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave me rastin e 1 tetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve. 1 731 039..

botuar më 24-10-01 12.04.MD