Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ekzark Stefan I

Ekzark Stefan I (1878 - 1957)Foto: pravoslavieto.com
Më 7 shtator u mbushën 131 vjet i lindjes së Ekzarkut Stefan I – një prej personaliteteve më interesante dhe me influencë në vendin tonë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Zakonisht kur flitet për meritat e tij si klerik i lartë, theksohet se në një shkallë të madhe falë përpjekjeve të tij në vitin 1945 është hequr skizma e Kishës ortodokse bullgare. Skizma ishte vendosur nga Patrikana e Stambollit në vitin 1872 qysh në kohën e luftërave kishtare bullgare kur vendi ishte nën sundim osman. Heqja e saj i lejoi Kishës ortodokse bullgare të njihet si autoqefale, me gjithë se dioqeza e saj u kufizua vetëm brenda caqeve të kufirit shtetëror. Pas këtij akti Ortodoksia Ikumenike e njohu si kreu i parë i Kishës së rimëkëmbur autoqefale ortodokse bullgare.
Një moment tjetër i rëndësishëm në biografinë e këtij bullgari të madh është, se në vitin 1943 ai mori pjesë aktive në shpëtimin e afro 50 mijë hebrenjve bullgarë nga dërgimi në kampet naziste të vdekjes, për të cilën gjë më vonë Instituti memorial izraelit “Jad Vashem” e shpalli “Njeri i shenjtë i botës”. Ekzark Stefani I është ndër klerikët me merita më të mëdha të Kishës ortodokse bullgare dhe ndër ndërtuesit më të denjë të shtetit bullgar në shekullin e XX.

Emri i tij mondan është Stojan Shokov. Ai lindi në vitin 1878 në fshatin Shiroka Lëka të rrethit të Smoljanit, në malin Rodopi, në familjen e priftit Gjeorgji Shokov. Në vitin 1893 mbaroi Shollën teologjike në qytetin Samokov dhe pastaj Akademinë teologjike në Kiev. Për ca kohë ishte mësues në qytetin e Plovdivit, pastaj në Shkollën e mesme teologjike bullgare në Stamboll. Në vitin 1910 u bë murg. Arkimandrit Stefani I ishte dëshmitar i të dy luftërave ballkanike (1912-1913) dhe i katastrofës së parë kombëtare në vitin 1913. Mori pjesë aktive edhe në të ashtuquajturën “Anketa e Karnegit” dhe më saktë për verifikimin e pasojave të dhunës kundër popullsisë bullgare në Trakie në vitin 1913.

Me gjithë patriotizmin e tij të lartë arkimandrit Stefani I ishte detyruar të ikë nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve me mbretin Ferdinand, të cilin e kritikonte me forcë. E shfrytëzoi qëndrimin jashtë shtetit për të specializuar teologji në Gjenevë dhe filozofi e letërsi në Friburg. Në Bullgari u kthye si doktor i shkencave. Kur zhvillohej Lufta e parë botërore ai studionte në Zvicër dhe bashkëpunonte ilegalisht me Shtabin e përgjithshëm francez. U bë dhe njëri prej themeluesve të “Bashkimit bullgar” në Zvicër, i cili ia kishte vënë vetes qëllimin të mbrojë interesat bullgare jashtë shtetit. Zbatonte dhe disa misione diplomatike të qeverive bullgare.

Pas kthimit në vend në vitin 1922 u zgjodh mitropolit i Sofjes dhe këtë post e zinte deri në vitin 1945. Duke mbajtur kontakte me rrethet klerikale dhe diplomatike nga mbarë Evropa, mitropolit Stefani u përfshinte aktivisht në iniciativa të ndryshme ndërkombëtare, sidomos në kuadrin e ikumenizmit (një lëvizje për afrimin e kishave të krishtere). Nën penën e tij kanë dalë qindra predikime, biseda dhe artikuj, që janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme bullgare e të huaja.

Në kohën e Luftës së dytë botërore i ofronte informacion të vlefshëm zbulimit britanik. Me gjithë afrinë me Pallatin ai nuk e mbështeti orientimin pro-gjerman të mbretit Borisi III. Që në vitin 1940 ishte ndër bullgarët e respektuar që protestuan kundër projektligjit për mbrojtjen e kombit, i cili ishte kundër hebrenjve. I udhëhequr nga mendimi, se të gjithë ne jemi fëmijë të një ati qiellor Stefani i Sofjes bashkë me mitropolitë të tjerë u shpall kundër diskriminimit të hebrenjve bullgarë dhe i bëri apelin “të mbrojmë emrin tonë të mirë si popull liridashës, i drejt dhe tolerant”.

“Një prej çështjeve të diskutuara më shpesh në mbledhjet e Sinodit të shenjtë është çështja hebre” – pohon historiani Michael Bar-Zoar në librin e tij “Jashtë kapjes së Hitlerit”. Shpëtimi heroik i hebrenjve bullgarë”. Në një prej këtyre mbledhjeve që është zhvilluar më 2 prill të vitit 1943 Stefani thotë: “Hebrenjtë e dinë mirë se vetëm Kisha ortodokse bullgare mund ti mbrojë me autoritet dhe në se ajo vepron më aktivisht, atëherë zëri i saj nuk mund të mos dëgjohet... Dhe në se Kisha jonë nuk ndërhyn për të mbrojtur këta njerëz, ne mund të presim mizori akoma më të mëdha, për të cilat ndonjë ditë populli ynë i ndershëm do të ketë turp. Pakica e persekutuar e hebrenjve thërret për ndihmë dhe qeveria le ta dëgjojë këshillën e Kishës sonë amtare, ajo kurrë nuk ka dhënë këshilla të këqija.”

Pas ndërrimit të pushtetit në Bullgari në vitin 1945 Stefani u zgjodh ekzark bullgar. Në ato vite të turbullta ai përpiqej të mbronte autoritetin e Kishës. Tri vjet më vonë e hoqën nga posti për shkak të qëndrimit të tij negativ ndaj pushtetit komunist dhe mbasi rezistonte ndërhyrjen e këtij pushteti në punën e Sinodit të shenjtë. Në vitin 1947 e mërguan në fshatin Banja të Karlovos. Dhjetë vjet më vonë Ekzark Stefani I u nda nga jeta dhe u varros në Manastirin e Baçkovos.

Autore: Mariana Cvetkova
Përgatiti në shqip: Gjullka Ilieva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Manastiri i Bakaxhikut ruan relikte të çmuara nga Çlirimi i Bullgarisë

Vullnetarë përfshihen në pastrimin dhe rimëkëmbjen e manastirit “Shën Spas” pranë majës Bakaxhik në rajonin e qytetit Jamboll të Bullgarisë Juglindore. Aksioni u organizua më 2 nëntor nga kryebashkiaku i fshatit të afërt Çargan, Stoimen..

botuar më 24-11-03 6.30.PD
Këshilli i Apostujve të Shenjtë

Hristo Cokev - një nga artistët e parë me arsim akademik para Çlirimit

Në vitin 1847, në familjen e Hristo Ivanov Bankovit - një njeri i urtë nga një familje e vjetër dhe mjeshtër i të ashtuquajturave “eminii” (pantofla), në një nga mëhallët e qytetit të Gabrovos (Bullgaria Qendore) lindi djali i dytë i Hristos...

botuar më 24-11-01 7.20.PD

Muzeu në Razgrad ofron një turne falas përmes Abritusit të lashtë

Muzeu Historik Rajonal në Razgrad më 30 tetor në lidhje me mbylljen e sezonit turistik organizon një xhiro falas në Rezervatin Arkeologjik "Abritus". Gjatë gjithë ditës, ata që dëshirojnë të eksplorojnë Abritusin e lashtë do të shoqërohen dhe do të..

botuar më 24-10-30 7.20.PD