Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Bullgaria dhe imigrantët nga vendet e treta – tendenca dhe rreziqe

Më shumë prej imigrantëve në Bullgari janë qytetarët e vendeve aziatike dhe arabe.
Foto: BGNES
Sipas një ankete të Qendrës së Studimit të Demokracisë, mbi 50% të imigrantëve në Bullgari që morën pjesë në të, thonë se dëshirojnë të mbeten në vend. Ata që dëshirojnë të banojnë në Bullgari janë më tepër me arsim të lartë dhe profesional. Më shumë prej tyre janë qytetarët e vendeve aziatike dhe arabe, të Rusisë dhe ish republikave sovjetike, për të cilët Bullgaria është një vend më i mirë për realizim, tregon anketa. 25-30% të imigrantëve punojnë në ekonominë hije, kurse 10-15% janë të lidhur me forma të ndryshme të kriminalitetit.

“Anëtarësimi i Bullgarisë në BE e bëri edhe më atraktive për imigrantët nga vendet e treta, por nuk çoi në një fluks tepër të madh” – komentoi për Radio Bullgarinë tendencat dhe rreziqet për vendin tonë si një kufi i jashtëm i BE-së docentja Anna Krësteva, udhëheqëse e Qendrës për Studim të Migracionit pranë Universitetit të Ri Bullgar. Sipas saj në Bullgari ka dy grupe imigrantësh – politikë dhe ekonomikë.

“Viti 2007 – viti i parë i anëtarësisë së vendit tonë në BE, në të vërtetë regjistroi një numër më të madh kërkesash për strehim. Por gjatë vitit 2008 numri i tyre u pakësua. Pra, nuk ka një tendencë të qëndrueshme të rritjes – thotë docentja Krësteva. – Numri më i madh i kërkesave për strehim ishte para anëtarësimit të Bullgarisë në BE. Një tendencë gjatë viteve të fundit është interesi për të marrë shtetasi bullgare. Bëhet fjalë për njerëz nga vendet e treta jashtë BE-së si Maqedonia, Moldavia, Ukraina, të cilët janë me prejardhje bullgare. Disa prej tyre, pasi mbarojnë arsimin në Bullgari, dëshirojnë të mbeten këtu. Kjo tendencë tashmë ka dhe shprehje politike – ajo inkurajohet nga qeveria e tanishme. Ministri pa portofol, përgjegjës për bullgarët jashtë shtetit, Bozhidar Dimitrov, e mori përsipër si një angazhim personal detyrën të lehtësojë këtë procedurë dhe të mënjanojë elementet e korrupsionit në të. Sipas tij, në se dhjetëra mijë kërkesa mbeten të pashikuara, kjo nuk është aq për shkak të mosefektivitetit të administratës, sa për shkak të praktikave të korrupsionit. Sipas rregullave normale pritet shumë dhe ata që nuk dëshirojnë të presin, paguajnë. Ky është një mjedis i ndërlikuar dhe jo efektiv, i cili krijohet me qëllim.”

Çfarë është specifika e imigrantëve nga vendet e ndryshme?

“Bashkësia kineze është më shumë e dukshme sesa e madhe, sepse mediat interesohen shumë për të dhe sepse kinezët punojnë në fusha të dukshme etnike – në restorantet kineze, në tregti – shpjegon docentja Krësteva. – Në shoqëri është formuar një opinion se bashkësia e kinezëve është shumë e madhe. Në fakt kinezët janë afro 5 mijë veta. Ata jetojnë në mënyrë të mbyllur dhe nuk kanë një potencial të lartë kriminogjen. Nuk kanë një lidhje të dukshme me kriminalitetin, as me veprime terroriste. Për sa i përket imigracionit arab, ose më gjerësisht imigracionit mysliman, duhet të shënojmë diçka të rëndësishme. Bullgaria gjendet në rrugën e itinerareve kryesore të trafikut të njerëzve. Nëpër vendin tonë kalojnë flukse nga Lindja e Mesme drejt Evropës Perëndimore. Por këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm. Trafiku i njerëzve është një lloj migrimi ilegal, por jo të gjithë njerëzit që kërkojnë shërbimet e trafikantëve, janë kriminelë. Shumica prej tyre thjesht nuk kanë mundësi të vijnë në vend në mënyrë legale. Në shumë prej rasteve këta janë imigrantë të zakonshëm ekonomikë, të cilët dëshirojnë të shkojnë në një vend tjetër. Zakonisht ky vend nuk është Bullgaria, ata preferojnë të vazhdojnë për në Evropën Perëndimore. Disa prej tyre në të vërtetë ndihen të gjuajtur, kurse për të tjerë statuti i refugjatit është një mundësi që të mbeten në vend. Por shumica e imigrantëve që përdorin shërbimet e trafikantëve, nuk janë kriminelë, ata janë njerëz që zakonshëm që dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë. Në këto kanale të trafikut, kuptohet, ka dhe prostitucion. Fatkeqësisht Bullgaria gjithashtu është pjesë e këtij trafiku. Është e rëndësishme se gjatë viteve të fundit edhe në politikën e BE-së, edhe në veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare që merren me migrimin, lufta me trafikun e njerëzve është prioritet. Ajo ka shumë drejtime – një prej tyre është forcimi i kufijve, por gjithashtu zbulimi dhe neutralizimi i këtyre rrjeteve.”

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Tatjana Obretenova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Festa e Fluturave në Pollska Skakavica mblodhi së bashku adhuruesit e natyrës së egër

Pranë ujëvarës së fshatit Pollska Skakavitsa, Kjustendill, adhuruesit e fluturave dhe kafshëve të egra u mblodhën në "Festën e Fluturave" për të vëzhguar një nga fenomenet më të bukura natyrore përgjatë lumit Struma. Ujëvara është rreth 50 metra e lartë..

botuar më 24-07-07 8.10.PD

Cilat janë kushtet që të huajt të përfitojnë kujdes shëndetësor në Bullgari?

Në rreshtat e mëposhtëm, Radio Bullgaria do t'ju tregojë shkurtimisht kushtet të cilat shtetasit e huaj duhet të plotësojnë, që të përdorin ndihmën mjekësore në Bullgari nëse është e nevojshme. Cilët të huaj kanë të drejtë të përfitojnë nga..

botuar më 24-07-06 10.30.PD

Java e kinologjisë në Burgas

Burgas po pret javën e pesëmbëdhjetë evropiane të qenve, njoftoi BTA. Fillon më 6 korrik në zonën e Bazës së Kuajve në Kopshtin Detar dhe organizohet nga Unioni Republikan Bullgar i Kinologjisë, së bashku me Bashkinë. Forumi ndërkombëtar përfshin..

botuar më 24-07-06 9.10.PD