Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Një libër për Gollobordën në gjuhën bullgare

Autorja e librit Veselka Tonçeva bashkë me kryetarin e shoqatës “Prosperitet Golloborda” Haxhi Pirushi
Foto: Agjencia për bullgarët jashtë shtetit

Më 14 janar 2010 në sallën plot e përplot të seancave të Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski” u prezantua një libër i ri. Organizatorët e këtij aktiviteti ishin Agjencia për bullgarët jashtë shtetit dhe Fakulteti i Historisë pranë Universitetit.

Titulli i plotë i librit, i cili përmban 328 faqe, është “Bullgarët nga Golloborda e Republikës së Shqipërisë. Tradita, muzikë dhe identitet. Pjesa 1”. Le të prezantojmë më parë autoren e librit.

Veselka Tonçeva studioi etnomuzikologji në Akademinë Muzikore Shtetërore në Sofje. Pastaj filloi punë në Institutin e Folklorit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Në vitin 2000 mbrojti doktoratën. Është autore e një monografie dhe shumë artikujsh, ka krijuar dhe filma televizivë. Nga viti 2007 interesin e saj e tërhoqi Gollobordoja, por këtu duhet të përmendim dhe pak histori.

Nga fillimi i viteve 90 të shekullit të kaluar Federata Bullgare e Speleologjisë organizon ekspedita në rajonin e Ballkanit, përfshi dhe në Republikën e Shqipërisë. Udhëheqës i ekspeditave është Aleksej Zhalov, i cili në këtë mënyrë u njoh me fenomenin e Gollobordës. Pikërisht ai pati idenë që ky rajon të studiohet më thellësisht. Pas vitit 2006 në ekspedita u përfshinë specialistë nga asociacioni “Ongël” dhe nga Instituti i Folklorit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Kështu fushat e studimeve u zgjeruan me etnologjinë, dialektologjinë dhe muzikologjinë dhe puna fitoi një karakter ndërdisiplinor. Veselka Tonçeva filloi punën e saj në terren në vitin 2007.

Pas parathënies, pjesa studiuese e librit është ndarë në disa kapituj. Kapitulli i parë titullohet “Bashkësia” dhe përmban dy pjesa. Në të parën – “Historia”, autorja nuk kufizohet vetëm me të kaluarën dhe ndarjen faktike të krahinës së Gollobordos me përvijimin e kufijve të shtetit shqiptar ose me zhvillimin e rajonit në periudhat e Mbretërisë së Shqipërisë dhe të regjimit komunist. Këtu tregohen të dhëna gjeografike dhe bëhet analizë e letërsisë ekzistuese. Në pjesën e dytë me titullin “Religjioni” autorja zbulon karakterin e përzier të popullsisë për sa i përket religjionit dhe analizon shkaqet për pranimin e islamit gjatë shekujve të kaluar.

Kapitulli tjetër i librit titullohet “Zakonet tradicionale” dhe prapë ka dy pjese. Në atë të parë – “Kalendari”, bëhet fjalë për traditat deri në vitin 1967, kur regjimi totalitar e ndaloi religjionin dhe veprimtaritë dhe zakonet që e shoqëronin. Rivendosja e feve pas vitit 1990 u bë në kushte të ndryshme demografike – procese intensive migrimi, përqendrim të popullsisë në qytetet e mëdha dhe shpopullzimin e Gollobordës. Autorja rrëfen për festat e të krishterëve dhe myslimanëve ose kujtimin për to. Ajo nënvizon se festat tradicionale organizohen së bashku, pa kundërshtime fetare. Interes përbën dhe pjesa për traditat familjare, ku tregohet për lindjen, dasmën dhe varrimin. Një veçori e rëndësishme është se dallimet religjioze nuk kanë ndikim dhe detajet janë të njëjtat. Në tërësi bëhet përfundimi se traditat e popullsisë së Gollobordës nuk ndryshojnë nga traditat bullgare.

Shumë interesant është kapitulli për muzikën tradicionale – një fushë, në të cilën Veselka Tonçeva është specialiste. Përfshihet më tepër folklori i këngëve, por i kushtohet vëmendje dhe praktikës instrumentale. Një rëndësi të madhe ka fakti se për herë të parë përshkruhet me hollësi trashëgimia muzikore e Gollobordës – nëpërmjet shkrimit të muzikës dhe tekstit, por gjithashtu me nota. Mund të themi se kjo trashëgimi në të vërtetë do të ruhet për brezat e ardhshëm. Një përshtypje të madhe bën fakti se dallimet fetare nuk kanë ndikim fare në fushën e kulturës tradicionale – repertori i këngëve është i përbashkët për të krishterët dhe myslimanët. Veglat muzikore më tipike janë zurnaja, daullja dhe kavalli. Gajda nuk është ndër instrumentet e përdorura, kohët e fundit u imponua fizarmonika.

Në kapitullin e fundit shqyrtohet çështja e identitetit – një problem që nuk ekzistonte në të kaluarën, por sot ka përmasat e tij politike. Veselka Tonçeva e tregon objektivisht realitetin që çoi në hezitime në ndjenjat e banorëve të Gollobordës. Pa dyshim një pjesë prej tyre e identifikojnë veten si bullgarë, por të tjerë, nën ndikimin e propagandës shumëvjeçare jugosllave, sot e konsiderojnë veten maqedonas. Problemi është i ndërlikuar dhe për shkak të mungesës së regjistrimit të popullsisë dhe për shkak të ndërhyrjes së argumenteve politike – edhe të brendshme shqiptare, edhe të jashtme.

Shumë të vlefshme janë shtesat e studimit që përfshijnë më se 160 faqe. Ato vërtetojnë jo vetëm autenticitetin e materialit, por edhe objektivitetin e autores. Libri përfshin dhe një listë të hollësishme të letërsisë së cituar, si edhe rezyme në anglishte, gjermanishte dhe shqipe. Më shumë se 50 ilustrime me ngjyra e forcojnë ndjenjën e autenticitetin.

Libri u prezantua nga autorja, kurse të gjithë që ishin të pranishëm panë dhe një film për Gollobordën, për natyrën dhe folklorin, për takimet e ekipit me vendasit. Në diskutimin pas prezantimit morën pjesë drejtorja e Agjencisë për bullgarët jashtë shtetit Rajna Manxhukova, kryetari i shoqatës “Prosperitet Golloborda” Haxhi Pirushi, speleologu Aleksej Zhalov etj. Të gjithë njëzëri arritën në përfundimin se Veselka Tonçeva ka krijuar një libër me vlerë të madhe që do të tërheqë interesin e publikut të gjerë. Dhe të gjithë shprehën urimin së shpejti të shohim dhe vëllimin e dytë të këtij edicioni.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova

По публикацията работи: Bobi Bobev


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Vizatimet e fëmijëve të frymëzuara nga natyra dhe "Pema e dëshirave" do të befasojnë banorët e Plovdivit në ditët në vijim

Pas suksesit të festivalit "Ne jemi fëmijët e lumit" në shtator, një fondacion qytetarësh përsëri bëhet partner me rajonin e Plovdivit "Centralen". Këtë herë rasti është një ekspozitë e veçantë që shfaq vizatime të fëmijëve të frymëzuar nga natyra...

botuar më 24-11-24 9.00.PD

Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë në Panairin e 27-të të Librit në Tiranë për romanin bullgar "Kohëstrehim"

Milena Selimi, përkthyesja e romanit “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov, e cila është edhe përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, mori çmimin për përkthimin më të mirë për vitin 2024 në Panairin e 27-të..

botuar më 24-11-19 8.30.MD

Lilija Zaharinova tregon histori përrallore në mjedisin urban

Kur një person ecën nëpër Montana dhe Bellogradçik, herët a vonë ai do të ndeshet me kabinat elektrike të lyera me ndjenjën e gëzimit dhe pastërtisë, që duket sikur burojnë nga fëmijëria. Dhe për një çast të vetëm ai do ta gjejë veten në një oaz të..

botuar më 24-11-18 7.35.PD