Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Aspekte te shkencës letrare krahasuese në studimin e letërsisë shqipe

Letërsia shqipe ka nevojë për një histori të saj të re, të hartuar në bazë të koncepteve moderne dhe para se gjithash jo politike për kritikën letrare. Ky është thelbi i diskutimeve të konferencës shkencore “Historia e Letërsisë Shqipe”, organizuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës, që u zhvillua në Prishtinë me pjesëmarrje të gjerë akademike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Në konferencë mori pjesë edhe kolegia jonë doc. Rusana Bejleri nga Universiteti i Sofjes me temë “Aspekte të shkencës letrare krahasuese në studimin e historisë së letërsisë shqipe”. Në kumtesën e saj bëhet një vështrim i jashtëm i problematikës në fjalë, që prek disa çështje aktuale si: fragmentarizmin e studimeve mbi letërsinë; mesazhet konsensuale që çon kritika kombëtare jashtë; shfrytëzimi i potencialit të bilinguizmit të autorëve shqiptar.

Letërsia shqipe mbase nuk ka një histori të gjatë, por ka në vend të saj një gjeografi tejet e pasur. Po të nisemi nga përkufizimi metodologjik më i thjeshtë se “shkenca letrare komparative krahason, kalon kufij dhe përdor modele”, del në pah se në rastin e letërsisë shqipe një minimum i tillë veprimesh jep dorë për krahasim brenda për brenda komuniteteve shqipfolëse qe iu përkasin shteteve të ndryshme, si dhe për krahasimin e gjithë organizmit të tyre jashtë. Përgjithësisht karakteri i një krahasimi mund të jetë konstatues ose cilësues dhe kur është cilësues - pozitiv ose negativ. Sipas studiueses Rumiana Stançeva, “specifika e marrëdhënieve letrare në Evropën Juglindore shpjegon sundimin kryesisht të disa tipave studimesh komparative në lidhje me fenomenet letrare ballkanike – receptimi letrar, imagologjia dhe studimi i paralelizmit në gjini dhe tematikë. Komunikimi në Juglindjen tonë nuk presupozon ndjekjen ose aplikimin e një modeli fqinjë. Informacioni këmbehet në atmosferë të qetë, afër indiferencës.” Pra, midis letërsive ballkanike bëhen përgjithësisht krahasime konstatuese. Ndërsa kur përqasen fenomenet letrare të Evropës Juglindore me ato të Evropës Perëndimore aktivizohen identitetet e ndryshme përmes sistemeve kombëtare të vlerave. Në mënyrë figurative funksionon “skema e trekëndëshit – çdo kulturë jona ka gjetur një rrugë më vete për t’u matur me epiqendrën letrare - majën e trekëndëshit”, dhe në këtë rrugë funksionon krahasimi cilësues. Nuk do të jetë teprim të themi se ky krahasim mbart më shpesh vlera absolute – mohim i plotë ose ngritje në qiell. Një shembull tipik është qëndrimi ndaj romanit vendas, qëndrim ky që është shumë i ashpër jo vetëm në kritikën aktuale shqipe, por në atë bullgare ose rumune.

Pyetja shtrohet a ka mundësi të aplikojmë kriteret e larta estetike pa na lënë kjo të pashpresë?

Përgjigje eventuale mund të jenë disa prej strategjive që ka në dorë kritika letrare, strategji të tilla si fragmentarizmi i vetëdijshëm i studimeve; mesazhet konsensuale që çon kritika kombëtare jashtë; shfrytëzimi i potencialit të bilinguizmit si fenomen më aktiv në letërsinë shqipe në krahasim me të letërsitë e tjera ballkanike.

Sigurisht, po të kërkojmë paralele të plota dhe sistematike, shtrirje tërësore dhe simultane të dukurive botërore në letërsinë shqipe, siç ndodh shpesh, drejtimi i krahasimit mund të shihet neutral/mohues. Nëse do të nisemi nga elementet e veçanta, jashtë sistemit të tërësishëm dhe homogjen, kemi shanse pozitive. Diçka që mungon në një pjesë të letërsisë shqiptare, përfaqësohet nga ndonjë pjesë tjetër, ku është e pranishme. Në letërsinë bullgare mungon surrealizmi, por ekzistojnë shfaqje të veçanta atipike të tij. Në këtë mënyrë fragmentarizmi dhe lokalizimi ndërtojnë një sistem funksional kompletues. Në rrjetin e tij dukuritë kryesore evropiane dhe ballkanike gjejnë shpejt paralele, analogji ose eksperiment, të cilat ekzistojnë në ndonjë vend ose zonë kontakti dhe jo gjithmonë në të njëjtën kohë dhe kronologji. Pikërisht për këtë arsye baza teorike e shkencëtarëve të tipit të Cvetan Todorovit është tepër e shfrytëzuar: ajo çliron disi nga shqetësimet dhe kompleksi i inferioritetit kulturat tona periferike dhe lejon vetëbesim përmes opcioneve studimore fragmentarizuese. Mbase pjesërisht nën ndikimin e teoricienëve të frymëzuar nga Cvetan Todorovi, shkenca letrare bullgare ka arritur një pikë, në të cilën pranohet se vetë koha (globalizmi) imponon prirjen ndaj fragmentarizmit në shkencën letrare. Me shumëzimin e masës së informacionit, synimi ndaj konsolidimit sistematik dhe gjithëpërfshirjes është objektivisht i parealizueshëm dhe rrjedhimisht është shpallur “anakronik”. Zgjedhjet e reja konceptuale presupozojnë shkurtime subjektive jo kronologjike, dhe argumentohen me dhënien e një shansi më të mirë “për të dëgjuar zërin” e atij fragmenti që është zgjedhur për t’u vënë në dritë. Kështu në një nga studimet më në zë të periudhës së shekullit të njëzet në letërsinë bullgare, Valeri Stefanovi ka zgjedhur 12 syzhe përmes të cilave “kalojnë” me nuancat e tyre specifike autorët dhe veprat: individualizmi dhe kolektivizmi; bota reale dhe bota e përtejme; shpirti; nata e dita; vuajtja; vdekja; ngrica; mëmëdheu; gruaja; krijuesi; prijësi; ora. Një argument tjetër pro këtij modeli është se studimi i gjendjeve të qëndrueshme psikike nuk mund të realizohet me metodat e historisë letrare. E njëjta vlen edhe për qëndrimin ndaj jetës, vdekjes, dashurisë, frikës, punës, shpresës etj. Çdo kulturë ballkanike ka një ritëm më vete, i cili mund të na përfaqësojë jashtë. Problemi imanent i analizave intertekstuale ose dialogjike të veprave, që aplikohen në një studim të tillë, qoftë në kritikën bullgare, qoftë në atë shqiptare, është se nuk mund të konsiderohen një alternativë zëvendësuese, por vetëm plotësuese e metodave tradicionale. Kjo sepse realizimi dhe receptimi i tyre, kërkojnë aftësi të veçanta si të autorit, ashtu edhe të audiencës /lexuesve së tij, gjë që nuk është realiste – kritika letrare ka disa shtresa lexuesish, përfshirë këtu edhe nxënësit.

Itinerari trekëndësh për në Perëndim nuk është barabrinjës për asnjë çift kulturash që ballafaqohen, por në këtë rrugë nuk ka vend për konkurrencë: secila letërsi e çan rrugën vetë dhe sukseset e njërës vetëm mund të ndihmojnë të tjerët. Ballkani shpesh perceptohet si një tërësi monolite me anë të disa emrave përfaqësues, ndër të cilët edhe Kadareja. Nuk është lehtë të ndryshohet status-quo dhe në këtë proces ka rëndësi mesazhi i kritikës kombëtare që depërton ose gjen jehonë jashtë, në forumet perëndimore. Themeluesi i fondacionit dhe çmimit letrar “Ballkanika” - një prej sprovave për forum rajonal më peshë, shkrimtari bullgar Nikollaj Stojanov, në një intervistë të tij të muajit qershor të këtij viti, bën një analizë të gjendjes së tanishme të letërsisë bullgare në këtë drejtim. Ndër të tjera ai bën disa krahasime me letërsinë shqipe dhe me botën letrare shqipfolëse:

“Njerëzit, veçanërisht jashtë shtetit, duhet të marrin mesazhe pozitive. Kur flas me ndonjë botues ose recensues jashtë, të gjithë habiten sesi ne këtu hedhim baltë mbi njëri tjetrin. Ndërsa një komb më i vogël, siç janë shqiptarët, jashtë shtetit paraqiten si një tërësi të njësuar përsa i përket letërsisë shqipe. Kështu çdo libër i mirë i disa shkrimtarëve të tyre të njohur, që botohet në Shqipëri, del në tregun francez, madje në kohë paralele me botimin origjinal. ...Kjo nuk behet kaq shumë nga shtetit, sa është rezultat e konceptit të tyre të përbashkët për njëfarë tolerance. Nuk mund të quash vetëm veten gjeni dhe të mos i japësh edhe tjetrit të drejtën të jetë i tillë, nganjëherë pa lexuar asnjë rresht prej tij – gjë që është tipike për rrethet letrare tonat.

I pyetur se çfarë mendon për argumentin se “nëse gjuha bullgare nuk do të ishte kaq e rrallë, do të kishim shkrimtarë botërorë” ai përgjigjet me emocion:

“A mos është shqipja me përmasat e anglishtes përsa i përket numrit të njerëzve që e flasin. Shqipja është më e vogël nga bullgarishtja, mirëpo shqiptarët kanë Ismail Kadarenë dhe ai është i njohur në gjithë botën letrare. Dhe tani ka marrë çmimin “Princi i Asturias”, Nobelin spanjoll. Por prapa tij qëndron mbështetja e fuqishme të njerëzve të fushës së tij profesionale. E dyta, ai sillet ndaj kolegëve më të rinj me shumë tolerancë dhe i nxjerr në pah. Dhe e treta, konfliktet e brendshme i zgjidhin disi, kështu që nuk shihet tension nga jashtë. Në këtë drejtim shqiptarët janë më shumë evropianë, sesa jemi ne.”

I sjellim në pah këto mendime të jashtme, për të theksuar se kritika shqipe ka gjetur një ton konsensual mbi objektin e studimit të saj në mesazhet që depërtojnë jashtë dhe kjo vlen për t’u përmendur.
По публикацията работи: Rusana Bejleri


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një atraksion i ri në Burgas - Muzeu i të Pamundurës zhbën iluzionet

Pak ditë më parë në qytetin tonë të Detit të Zi Burgas u hap një hapësirë ​​ku arti, shkenca dhe magjia i japin dorë njeri tjetrit. Mysafirët e Muzeut të ri të së Pamundshmes transportohen në botët paralele për të mësuar më shumë rreth universit...

botuar më 24-10-26 3.15.MD
Universiteti i Lisbonës

Në Universitetin e Lisbonës studiohen bullgarishtja dhe pesë gjuhë të tjera sllave

Institucioni më i madh i arsimit të lartë në Portugali ka 252 000 studentë, 20 000 prej të cilëve janë nga kombësi të tjera. Në këtë konglomerat të veçantë kulturash, një vend të veçantë për më shumë se 30 vjet ka edhe kultura bullgare. Lektorati i..

botuar më 24-10-25 7.30.PD
Radosllava Nedjallkova me çmimin e madh Bullgarja e Vitit - Shën Zllata Mëglenska për vitin 2023

Radosllava Nedjalkova nga "Nashenci": Ansamblet folklorike janë zemrat e komuniteteve bullgare në mbarë botën

“Njeriu e kupton se çfarë është atdheu kur e humb atë. Nëse je në shtëpi, ndez radion, dëgjon muzikën popullore, flet bullgarisht, shkon në teatër edhe atje flitet bullgarisht. Vetëm kur humbet gjithë këtë mund tia kuptosh mungesën” – thotë Radosllava..

botuar më 24-10-23 7.35.PD