Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Vanja Rizova – bibliotekare në fshatin Shishkovci

Foto: Veneta Pavllova
Vanja Rizova është bibliotekare dhe sekretare e vatrës së kulturës në fshatin Shishkovci që ndodhet afër qytetit Kjustendil, në kufirin perëndimor të Bullgarisë. Fshati i vogël është i dëgjuar – në të jetoi dhe krijoi gjatë viteve 30 të shekullit XX njëri nga gjenitë e Bullgarisë, piktori i madh Vladimir Dimitrov – Mjeshtri, veprat e të cilit stolisin galeri bullgare dhe të huaja. Modele të tij janë njerëzit nga kjo krahinë, portretet e të cilëve ende emocionojnë dhe do të emocionojnë brezat.

Sot skulptura e piktorit të madh ngrihet në sheshin e fshatit, para ndërtesës së vatrës së kulturës, ku Vanja Rizova ruan një pasuri të madhe, burim të urtësisë – librat. Fati i Vanja Rizovës është plot me peripeci. Ajo lindi në këtë krahinë, mbaroi teknikumin e elektronikës në Sofje dhe u kthye në Kjustendil, ku 15 vjet punoi në një uzinë për kondensatorë. Gjatë vitit 1992, pas ndryshimeve demokratike, në uzinë filluan shkurtime dhe Vanja mbeti pa punë për afro 5 vjet. Por siç thotë ajo, Zoti i ka dhënë duar të arta dhe në këto vite të vështira ajo qepte veshje. Gjatë vitit 1997 filloi punë si sekretare në vatrën e kulturës “Vladimir Dimitrov – Mjeshtri” në fshatin Shishkovci. “E dua shumë këtë fshat”, thotë Vanja dhe rrëfen për fisin e saj.

© Foto: Millka Dimitrova

Skulptura e piktorit të madh Vladimir Dimitrov – Mjeshtri para vatrës së kulturës ku ndodhet dhe biblioteka e fshatit Shishkovci

“Edhe nëna ime, edhe babai im janë nga Shishkovci. Babai im është nga një fis i madh, fisi Rizovi. Gjyshi im mbaroi arsim të lartë dhe u bë mësues në fshat. Fëmijët e donin shumë. Nëna ime gjithashtu është nga fshati, fisi i saj nuk ishte kaq i njohur, por ishte i pasur. Kishin shumë tokë dhe në atë kohë toka ishte pasuri. Por ne si trashëgimtarë nuk kemi mundësi ta përpunojmë, nuk kemi mjete për të blerë teknikë, por dhe nuk na tërheq puna fshatare.”

I tillë është fati i shumë fiseve të tjera nga fshati. Kthimi i tokës në kufij realë pronarëve të saj dhe trashëgimtarëve të tyre pas vitit 1990 korrigjoi një padrejtësi që u krye në kohën e socializmit – kolektivizimin e tokës. Por njerëzit tashmë nuk janë lidhur me tokën, kanë marrë rrugë të ndryshme dhe sot tokat e kthyera nuk përpunohen. Megjithëse kjo është toka që lind qershitë dhe mollët më të shijshme në Bullgari. Për veten e saj Vanja Rizova tregon:

“Më pëlqen t’i ndihmoj njerëzit, por ka momente, kur më ndihmojnë mua, sepse njeriu nuk e di si do të zhvillohet jeta e tij. Më pëlqejnë njerëzit e sinqertë, i urrej gënjeshtrat. U martova pak vonë. Rrënjët e bashkëshortit tim gjithashtu janë në këtë krahinë.”

Fshati Shishkovci gjallërohet në ditët e festimeve të përvjetorëve të Vladimir Dimitrov – Mjeshtrit. Ende është e gjallë një nga gratë, të cilat ai i ka pikturuar. Megjithëse është në moshë të thyer, ajo ruan bukurinë e qetë të fytyrës që e kishte frymëzuar Mjeshtrin. Fshati ka dhe shkaqe të tjera që të krenohet. Vanja Rizova tregon për grupin vokal të fëmijëve, repertori i të cilit është tërësisht nga folklori i krahinës së Kjustendilit. Fëmijët marrin pjesë në shumë festivale. Në bibliotekën e vatrës së kulturës ka shumë libra për piktorin e madh, si edhe letërsi tjetër. “Më të moshuarit preferojnë romane, të rinjtë zakonisht lexojnë libra, të cilët i mësojnë në shkollë. Kurse fëmijët adhurojnë përralla” – rrëfen Vanja. Në bibliotekën e fshatit ka më tepër letërsi bullgare dhe më pak autorë të huaj. Libra të rinj vijnë në bibliotekë si dhurata, sepse mjetet që lëshon Ministria e Kulturës për blerjen e librave janë të pamjaftueshme. Kurse gjatë këtij viti të krizës mjete nuk janë lëshuar fare.

“Njerëzit e talentuar të fshatit lexojnë dhe dinë shumë për Vladimir Dimitrov – Mjeshtrin – tregon Vanja Rizova. – Në bibliotekë vijnë shumë njerëz. Pra, të rinjtë lexojnë më pak, sepse zakonisht punojnë në Kjustendil dhe ndoshta nuk kanë kohë. Por më bën përshtypje se fëmijët lexojnë më shumë gjatë viteve të fundit. Kishte një moment, kur ata sikur kishin harruar për bibliotekën. Shumica e fëmijëve merrnin informatë nga interneti. Por tani gjërat u ndryshuan, nxënësit lexojnë shumë libra, sidomos gjatë verës.”

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Millka Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Akademia Bullgare e Shkencave

Shkencëtarët е Akademisë Bullgare të Shkencave mbështetën unitetin e Kishës Ortodokse Bullgare - Patrikanës Bullgare

Mbledhja e akademikëve dhe anëtarëve korrespondentë të Akademisë Bullgare të Shkencave, e cila bashkon të gjithë anëtarët nga drejtimet shkencore dhe krijuese të Akademisë, miratoi një deklaratë në mbështetje të Kishës Ortodokse Bullgare - Patrikanës..

botuar më 25-01-14 11.06.PD

Simeon Sakskoburggotski: Bullgarët e rinj dhe studiozë janë pasuria e vendit në ditët e sotme

Një vit paqëndrueshmërie politike dhe konfrontimesh jo aq sa i përket ideve për të dalë nga enigma e kahershme e pushtetit në të cilën ndodhet Bullgaria, por më tepër për egon dhe hesapet personale. Kështu dukej politikisht viti 2024. Si rezultat i punës..

botuar më 25-01-14 7.25.PD

Nëse Google mund të fliste - për çfarë ishim të emocionuar në 2024

Në vitin 2024, ne bullgarët shfrytëzuam në mënyrë aktive motorin e kërkimit Google për t'u informuar rreth temave që pasqyrojnë atë që po ndodh në botë dhe në vendin tonë. Sportistët tanë edhe një herë dëshmuan se dinë të frymëzojnë dhe të ngjallin..

botuar më 25-01-10 7.05.PD