Mali Rodope fsheh shumë kënde të panjohura, të cilat ia vlen për t’u vizituar. Një prej këtyre këndeve është shpella Uhllovica. Ajo gjendet në zonën kufitare me fqinjen tonë jugore Greqia, rreth 3 kilometra larg fshatit Mogilica. Deri përpara disa vitesh vendi ishte pothuaj i virgjër, por kohët e fundit gjithnjë e më shumë njerëz tregojnë interes ndaj thesareve të natyrës, të ruajtura milionë vite në thellësinë e shpellës – një prej shpellave më të vjetra të kësaj pjese të Ballkanit.
Është vështirë të arrihet deri në Uhllovica, por pasi i përballoni 180 këmbët e hekurta, të cilat çojnë lart deri në hyrjen e shpellës, do të konstatoni se përpjekjet tuaja nuk janë të kota. Pamja vërtetë është e jashtëzakonshme. Atje na priste shoqëruesja jonë Julia Haxhieva – një vajzë shumë simpatike, e cila na ftoi për të hyrë në shpellën e errët. Nga bashkëfolësja jonë kuptuam se emri i shpellës “Uhllovica” e ka prejardhjen nga emri i shpendit “ullulica” (zog bufi), i cili bën fole në pyjet e afërta, por nganjëherë kërkon strehim edhe në shpellë. Në shpellën Uhllovica jeton dhe një koloni e madhe lakuriqesh nate, të cilat fshihen në këndet e shpellës larg shikimeve kureshtare të turistëve. Për dallim nga shpella të tjera bullgare, këtu nuk ka dëshmi për praninë e njerëzve të parë. Shkaku është se shpella nuk është e përshtatshme për banim – na shpjegoi Julia. Ky është dhe shkaku që studimi i saj të fillojë që në vitin 1960 me iniciativë të klubit të speleologëve në Çepellare. Speleologët zbuluan akoma 23 shpella më të vogla, por tani për tani vetëm Uhllovica është e përshtatur për turizëm.
Për këtë qëllim janë ndërtuar 280 këmbë shkallareje, të cilat i lidhin sallat e veçanta, të dislokuara vertikalisht njëra nën tjetrën. Popullsia vendase ka shfaqur një heroizëm të vërtetë, duke transportuar vetë, mbi kurriz, ose me mushka, mbi 40 tonë hekur – na tregon Julia dhe vazhdon:
“Hyrja e shpellës ndodhet 1040 metra mbi nivelin e detit. Brenda temperatura është e pandryshueshme – 10 gradë Celsius. Shpella përbëhet prej dy katesh. Në katin e parë ndodhet e ashtuquajtura “Sallë e greminave”, nga e cila pothuaj vertikalisht zbresin disa gremina të thella. Nga kjo sallë hyjmë në një prej greminave të shpellës me gjatësi 18 metra. Supozohet se mosha e Uhllovicës është mbi 3 milionë e 500 mijë vjeç. Në fakt kjo është një prej shpellave më të vjetra në malin Rodope. Ajo përbën një të çarë tektonike, përmes së cilës dikur ka derdhur një lum. Gjatësia e shpellës është 460 metra, prej të cilave 330 janë të përshtatura për qëllimet e turizmit. Dalja e saj tani për tani nuk është zbuluar, kështu qe kthimi është në të njëjtën rrugë. Një fakt interesant është se në Uhllovica jetojnë 3 lloje lakuriqesh nate.”
Duke zbritur me vëmendje në shpellë, nuk mund të fshehim befasimin tonë të madh. Para nesh shtrihet një pamje, që mund të përdoret si dekor në një film fantastik. Galeritë e shpellës janë plot forma dendriti, të cilat ngjajnë shumë me korale detare. Si një piktor i vërtetë natyra ka krijuar një shumëllojshmëri të madhe prej stalaktitesh, stalagmitesh dhe stalaktonesh të mëdha. Këmbët e hekurta na çojnë deri në fundin e shpellës, ku ka akoma një befasim të madh – 7 koritë të lugëta. Julia na shpjegon se në fakt këto janë 7 liqene shpellore, të cilat çdo pranverë mbushen me ujë nga dëbora e shkrirë malore.
Arrijmë deri në një platformë të posaçme buzë një ujëvare të bardhe prej guri. Kjo është pika e fundit e itinerarit tonë nëntokësor. Rruga e kthimit deri në hyrjen e shpellës është e vështirë. Duhet të përballojmë 280 këmbët para se të dalim jashtë, të lodhur, por të kënaqur për përjetimet tona. E shohim orën dhe konstatojmë se kjo shëtitje njëorëshe na është dukur si një çast magjik, gjatë të cilit jemi kthyer milionë vite prapa në të kaluarën, larg jetës monotone dhe problemeve tona të përditshme.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Veliko Tërnovo është qyteti me pamjet më kulturore dhe historike në Bullgari. Nuk ka njeri në vendin tonë që nuk emocionohet kur hyn në Kryeqytetin e Vjetër të Bullgarisë, ndërsa të huajt mahniten nga arkitektura, shpirti i ruajtur dhe tiparet e..
Në Ekspozitën Botërore të Turizmit WTM në Londër, Bansko u dallua si një nga destinacionet më të dëshirueshme në botë. Qyteti turistik hyri në top 10 të renditjes prestigjioze të Lonely Planet - "Më i miri në udhëtim 2025". "Kjo është një tjetër..
Dokumentari i Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) "Pasqyra shpirtërore e qytetit të krishterë Nesebër" u nderua me gjithsej katër çmime në tri festivale prestigjioze ndërkombëtare të filmit në Brazil, Gjeorgji dhe Portugali. Skenarist i filmit është..