Çdo vit mbi 2000 fëmijë në Bullgari dërgohen në shtëpitë sociale. Gjysma prej tyre janë foshnja, të braktisura që në shtëpinë e lindjes. Statistika e thatë, prapa së cilës fshihen fatet dramatike të fëmijëve, tregon se shumica mbizotëruese prej tyre (rreth 98 për qind) kanë prindër të gjallë, kurse jetimët janë nën 2 për qind. Varfëria dhe mungesa e përkrahjes adekuate ndaj prindërve janë shkaqet e zakonshme për braktisjen e fëmijëve. Mirëpo, në shtëpinë sociale fëmijët ndihet të braktisur dhe u mungon dashuria prindërore. Përvoja shumëvjeçare ka treguar se rritja e fëmijëve në grupe të mëdha sociale, pa kujdes individual, është një praktikë e keqe. Prandaj gjatë disa viteve të fundit shteti ndërmori një politikë të heqjes së fëmijëve nga institucionet dhe të rritjes së tyre në një mjedis familjar. Përpjekje në këtë drejtim bëjnë dhe shumë organizata joqeveritare. Një prej tyre është fondacioni “Shpresë për të vegjlit”. Para rreth një viti ky fondacion hapi te ne qendrën e parë sociale të tipit të ri për fëmijë në moshën deri në 3 vjeç. Ajo është një alternativë e shtëpive sociale tradicionale për kujdes mediko social, në të cilat dërgohen vogëlushit e braktisur.
“Një prej specifikave tona është atmosfera e ngrohtë familjare, e cila ekziston në një shtëpi, si dhe kujdesi individual ndaj fëmijëve – shpjegon Magdalena Stefanova, drejtoreshë e qendrës “Shpresë për të vegjlit”. – Fëmijët tanë marrin shumë dashuri dhe kujdes. Ata kanë hapësirë të vet, kanë sende dhe rroba të veta dhe ndiejnë dashurinë tonë, gjë që është shumë e rëndësishme, sepse një ditë edhe ata do të mund të japin dashuri. Defekti i madh i kujdesit institucional ndaj fëmijëve është se fëmijët nuk marrin kujdes individual dhe dashuri dhe pastaj edhe vetë ata, si njerëz të pjekur, nuk do të mund të japin dashuri, t’u kenë besim të tjerëve, të krijojnë lidhje, nuk mund të jenë personalitete të plotvlefshme.”
Qendra është një shtëpi komode, me një kopsht të vogël dhe gjendet në një lagje në kryeqytetin Sofje buzë malit Vitosha. Në një mjedis shumë të afërt me atë familjar rriten maksimum 8 fëmijë. Për ta kujdesen gra të reja, të cilat janë punonjëse mjekësore dhe sociale për nga profesioni, si dhe pedagoge. Buxheti i qendrës është rreth 90 000 leva (45 000 euro). Mjetet janë grumbulluar në saje të dhuratave të bullgarëve, të cilët banojnë në vend ose jashtë, dhe të përkrahjes së disa firmave bullgare. Kryetarja e bashkisë së Sofjes, zonja Jordanka Fandëkova, e cila e inauguroi qendrën gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, premtoi përkrahje financiare nga shteti. Magi shpreson se kjo do të bëhet realitet gjatë disa muajve të ardhshëm. Organizata joqeveritare ka arritur të vendosë marrëdhënie të mira dhe të bashkëpunojë me tri prej degëve për mbrojtje të fëmijës në Sofje. Partneriteti i tyre është përqendruar mbi arritjen e qëllimit përfundimtar – rikthimi i fëmijëve në familjen e tyre biologjike, vendosja e tyre në strehim familjar, ose adoptimi i tyre. “Dëshira jonë e madhe është që qendra të jetë vetëm një stacion i ndërmjetëm për fëmijët, para se të vendosen në një mjedis të vërtetë familjar” – na shpjegoi Magi. Që nga krijimi i qendrës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar deri tani në të janë vendosur gjithsej 12 fëmijë. Pesë prej tyre tashmë janë vendosur në familje. Dy janë kthyer tek prindërit e tyre biologjikë, kurse tre të tjerët janë vendosur në strehim familjar. Së shpejti shtëpia e vogël e shpresës do t’i thotë mirupafshim fëmijës së parë të adoptuar, kurse pak më vonë akoma një fëmijë do të vendoset te prindër strehues familjarë. Momenti i ndarjes është i vështirë, por njëkohësisht është i lumtur. Ja se çfarë na rrëfeu për këtë Magi:
“Lidhja emocionale është fakt. Këta janë fëmijët tanë dhe ne kujdesemi për ta në të njëjtën mënyrë, në të cilën i kemi rritur fëmijët tanë biologjik. Fëmijët gjithashtu na duan shumë. Pasi fëmijët largohen nga qendra ne nuk e ndërpresim lidhjen me ta dhe vazhdojmë të jemi në kontakt me prindërit strehues familjarë, ose me adoptuesit e fëmijëve. Unë gëzohem shumë se edhe vetë familjet na konsiderojnë si miq, na telefonojnë, na vizitojnë, na informojnë për fëmijët, për të cilët kujdesen.”
Shtëpia e vogël “Shpresë për të vegjlit” ka shumë miq. Ajo ka mbi 4600 miq në faqen e saj në Facebook. Atje çdonjëri mund të marrë informacion për jetën e vogëlushëve në qendrën e parë në Bullgari të tipit familjar, të shohë fotografitë e qendrës, të mësojë për iniciativa të ardhshme, të përfshihet në to. Qendra përkrahet nga shumë vullnetarë që nga vetë fillimi i saj, të cilët punojnë shumë, që ta bëjnë jetën e fëmijëve më të lumtur.
“Më gëzoi shumë fakti se bullgari është i gatshëm të punojë vullnetarisht – thotë Magi. –Që para se ta hapin qendrën, shtëpia duhej të meremetohej, gjë për të cilën na ndihmuan vetëm punonjës vullnetarë. Në sajtin tonë www.hope.bg dhe në faqen tonë në Facebook ne publikojmë nevojat tona konkrete dhe gjetëm një përkrahje të madhe. Aktualisht disponojmë një rrjet prej vullnetarësh, i cili në fakt dublon ekipin tonë profesional. Këto janë vajza, studente, ose gra, të cilat kanë një punë tjetër, por disponojnë kohë të lirë, të cilën ia kushtojnë kujdesit për fëmijët. Gjithmonë përfitoj nga mundësia për t’u them faleminderit këtyre vajzave, sepse puna e tyre është me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografitë janë dorëzuar nga fondacioni “Shpresë për të vegjlit”
Emrat më të zakonshëm në Bullgari në vitin 2024 ishin Georgi (140 818) dhe Maria (100 651). Ata pasohen nga Ivani dhe Ivanka, dhe më pas Dimitër dhe Elena, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Statistikave. Ndër të sapolindurit vitin e kaluar 2024,..
Në vitin 2024 nxënësit bullgarë fituan 91 medalje nga olimpiada ndërkombëtare, evropiane, rinore dhe ballkanike dhe garat e shkencave natyrore. 11 prej tyre janë ari, 40 - argjendi dhe 40 - bronzi. Këtë e njoftuan nga Shoqata e Ekipeve Olimpike në..
Sipas ndryshimeve në tarifën nr.4, lëshimi i kartës së identitetit nga sot, 1 janari, do të kushtojë 30 leva (rreth 15 euro) në vend të 18 levave të mëparshme për një porosi të thjeshtë. Shërbimi i shpejtë rritet në 60 leva (30 euro) dhe shërbimi ekspres..