Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Dobërsko – idil fshatar, histori dhe shpirt

Foto: dobarsko.org
I bukur edhe gjatë verës, edhe gjatë dimrit, fshati Dobërsko fshihet në rrëzën e malit Rila. Shtrihet në lartësi 1050 metra mbi nivelin e detit, nga shihen edhe dy male të bukura – Pirini dhe Rodopet. Ndodhet vetëm në 17 km nga qyteti Bansko – një vendpushim i njohur malor. Po të niseni nga kryeqyteti, duhet të kaloni 180 km në drejtim jugor.

© Foto: dobarsko.org

Për herë të parë emri i vendbanimit u përmend gjatë vitit 1378 në të ashtuquajturën Diplomë të Rilës të mbretit Ivan Shishman – sunduesi mesjetar i fundit i Mbretërisë së Dytë të Bullgarisë. Në dokument përmenden fshatrat dhe territoret që ishin nën administrimin e Manastirit të Rilës.
Mitet, legjendat dhe historitë e vërteta ndërthuren në tregimet e të gjithë udhëtarëve që e kanë vizituar fshatin e vogël. Banorët e Dobërskos gjithashtu do t’ju tregojnë shumë gjëra interesante. Ndoshta më emocionuese është legjenda për ushtarët e mbretit Samuil. Faktet historike – gjatë vitit 1014 ushtarët e Samuilit humbën betejën e Belasicës. Udhëheqësi i fitimtarëve, perandori bizantin Vasilij II, urdhëroi të verbëroheshin robërit e luftës. Sipas burimeve të ndryshme ata ishin midis 14 e 15 mijë. Vendasit pohojnë se pikërisht ata ushtarë ishin banorët e parë të Dobërskos. Pasi i liruan, ata u nisën më këmbë nëpër rrugët e malit. U ndalën në Dobërsko për shkak të burimit të vogël në oborrin e kishës mesjetare “Shën Teodor Tiron dhe Shën Teodor Stratilat”. Uji çudibërës që buronte atje i mjekoi ushtarët e verbër. Sipas një legjende tjetër peshkopi i parë i kishës bullgare, Klimenti i Ohrit, gjithashtu i mjekonte sytë në Dobërsko.

Legjenda interesante fshihen dhe në afresket e kishës. E ndërtuar gjatë vitit 1614, ajo është përfshirë në listën e monumenteve kulturore botërore të UNESCO-s. Duke shkelur pragun e saj, njeriu kupton se nuk do të shohë thjesht objektin turistik të radhës. Qysh në hyrje fillon një takim emocionues me kulturën mesjetare evropiane. Dhe një prekje reale e rrënjëve të shpirtit bullgar. Kisha është e vogël. U ndërtua nga patriotë vendës në fillim të shekullit XVII. Atëherë Bullgaria ishte nën zgjedhën osmane. Ndërtimi i tempujve ortodoksë lejohej, por kishte disa kushte – ata nuk duhej të dalloheshin nga shtëpitë e zakonshme dhe të tejkalonin një lartësi të caktuar. Prandaj gjysma e poshtme e kishës së Dobërskos është nën tokë, ajo është pa kupolë dhe kambanari dhe me dritare të vogla. Pamja e jashtme e thjeshtë kompensohet me një stolisje të brendshme të pasur. Afresket janë jashtëzakonisht të bukura, të përpunuara me mjeshtëri.

© Foto: Allbena Bezovska

Për një nga afresket ekzistojnë shumë supozime. Bëhet fjalë për afreskun e Jisu Krishtit, të njohur si “piktura me raketën kozmike”. Në të Shpëtimtari është pikturuar me një oreol të madh, forma e të cilit në të vërtetë i ngjan një rakete. Në afresket shihen dhe shumë imazhe jotipike, në të cilat janë përdorur forma gjeometrike. Specialistët mohojnë lidhjen midis pikturave dhe aluzioneve misterioze për udhëtime kozmike. Por fshehtësitë rreth ndërtimit të kishës mbeten të pazbuluara. Dhe një mister tjetër – në dyshemenë e kishës ka një pllakë me një shqiponjë dykrenore, e cila datohet në vitin 1122, domethënë shumë kohë para vitit të ndërtimit të kishës.

Po ta vizitoni Dobërskon, doemos duhet të shihni dhe ujëvarën piktoreske “Shtrokaloto”. Ajo ndodhet afër qendrës së fshatit. Shtatë kilometra jashtë Dobërskos ngrihet një dru shekullor – Bredhi i Dokljus. Ai është shumë i vjetër, afro 500 vjeç. Rrënjët e tij dalin mbi tokë. Para disa vitesh një erë e fortë në mal shkatërroi një dru tjetër të vjetër. Në rrënjët e tij u zbuluan arka tullash, të cilat çojnë në një tunel të vogël. Del se midis shekullit II dhe IV para erës së re atje kishte një furrë antike, ku përgatiteshin sende prej qeramike.

© Foto: dobarsko.org

Dikur në Dobërsko ekzistonte një shkollë për muzikantë të verbër. Prapë sipas legjendave, ushtarët e Samuilit që u vendosën atje e nxirrnin bukën e gojës si muzikantë udhëtues. I binin guslës – një instrument i vjetër popullor. Më vonë disa prej tyre i mësonin fëmijët e verbër, të cilët i dërgonin nga tërë vendi, madje nga vendet fqinja. Shkolla e Dobërskos ekzistonte deri në fillim të shekullit XX. Një krenari për të gjithë ne është fakti se kjo ishte një nga shkollat e para profesionale në këtë pjesë të Evropës. Trashëgimtarët e sotëm të kësaj tradite unike vazhdojnë të interpretojnë muzikën popullore. Gjatë viteve të fundit në Dobërsko organizohen festa të folklorit dhe traditave vendëse.

© Foto: Petër Georgiev

“Gjyshet e Dobërskos”

Në fshat ka një hotel dhe shumë shtëpi për mysafirë. Për turistët organizohen rikrijime të traditave dhe riteve vendëse. Miqtë mund të vizitojnë dhe punishten e fshatit, ku mund të zotërojnë teknika të vjetra të zanateve. Kurse gratë gjithmonë janë gati të presin adhuruesit e kuzhinës shtëpiake.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova

По публикацията работи: Allbena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një tren turistik me vagonë retro do të udhëtojë në linjën e binareve të ngushta në korrik

Një tren special me vagonë ​​retro do të udhëtojë çdo të shtunë dhe të diele gjatë korrikut në një itinerar nga stacioni Septemvri deri në stacionet Velingrad dhe Cvetino dhe në drejtim të kundërt me rastin e Festave të 51-ta Kulturore të Velingradit...

botuar më 24-07-02 3.52.MD

Cila është shija e Bullgarisë - kuzhina si pjesë e kartës sonë turistike

Byreku (banica) dhe Sallata jonë“Shopska” kanë qenë më shumë se një herë në pozitat kryesore të renditjeve gastronomike botërore. Por kuzhina kombëtare bullgare nuk përbëhet vetëm nga këto dy gjellë, qebapët , patatet e skuqura me djathë..

botuar më 24-06-30 10.05.PD
facebook.com/kreposttamogilitsa

Një pamje e re magjike drejt shpateve të Rodopeve Perëndimore

Në kulmin e verës, ne kërkojmë freski në male, dhe muajt korrik dhe gusht janë më të ngarkuarit për hotelet dhe vendet e akomodimit përgjatë rrjedhës së sipërme të Ardës. Një pamje e re panoramike do të tërheqë pushuesit përgjatë shtigjeve të Rodopeve..

botuar më 24-06-29 8.30.PD