Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Legjenda dhe besime për ariun

© Foto: BGNES


Një vajzë e mirë ose e keqe, një djalë i bukur ose një nuse e re – imazhet e ariut në folklorin bullgar janë shumë të ndryshme. Në përfytyrimet e popullit tonë ai ka forcën të shërojë, të ruajë nga sëmundjet dhe të dhurojë pjellori. Njëkohësisht ariu është simbol i fuqisë së madhe fizike. Frika nga sulmet e kafshëve të egra ka formuar një varg praktikash rituale, për të cilat besonin se sigurojnë mbrojtje dhe shëndet.

Më 30 nëntor Kisha ortodokse nderon kujtimin e Shën Apostullit Andrea. Ariu gjithmonë merr pjesë në rite, sepse konsiderohet se shenjtori është sundues i arinjve. Prandaj dita e Shën Andreas quhet akoma dita e arinjve.

Ariu del nga strofka e tij dimërore në ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses (25 mars) dhe më parë bën banjë në lumë. Besohet se pas kësaj uji i lumit “është kthyer”, domethënë temperatura e tij është e mirë për njerëzit. Përveç kësaj uji bëhet shërues, sepse prekja e lëkurës së ariut sjell shëndet. Për po këtë shkak bëhet banja rituale në ditën verore të Shën Andreas (4 korrik). Besohet se në ditën e sunduesit të tij ariu doemos do të hyjë në ujë.

Për këtë si shenjtori e mposhti kafshën e fuqishme tregojnë shumë legjenda. Një histori e përshkruan Andrean si murg, i cili jetonte në një shpellë, afër një manastiri në mal. Në oborrin e manastirit kishte disa koshere bletësh, por ariu gjithmonë e vidhte mjaltin. Më në fund Andrea e kapi dhe i hipi sikur të ishte kalë. Një legjendë tjetër tregon se Shën Andrea kishte një arë të vogël. Kishte dhe buaj, por ariu hëngri njërin prej tyre. Andrea u zemërua shumë, e kapi ariun dhe e vuri në vend të buallit të ngrënë për të lëruar tokën. Sipas shkencëtarëve kuptimi i thellë i këtyre subjekteve është kultivimi i natyrës së egër. Fakti se shenjtori luan rolin e ararit e bënë vetë veprimin magjik dhe simbolik. Vetëm një njëri me forca jotokësore mund të mposhtë natyrën e egër. Dhe ta shfrytëzojë për të krijuar një hapësirë kulturore, e cila jep fryte të mira.

Dikur në Bullgari kishte njerëz që çonin nëpër fshatra arinj të trajnuar. Njerëzit paguanin që të hynin arinjtë në shtëpitë e tyre, sepse besonin se kjo sjell lumturi dhe pjellori. Kishte dhe një rit tjetër për shëndet. Të sëmurët shtriheshin në tokë dhe ariu ecte mbi ta.

Një legjendë e përhapur rrëfen se Shën Andrea i vetmi ndër apostujt nuk kishte festë. Nuk kishte dhe kalë, por i hipi një ariu dhe shkoi te Zoti. Zoti, kur pa se çfarë kafshë të fortë ka mposhtur ai, tha: “Kush nuk të nderon, t’i hipë kali yt.” Prandaj më 30 nëntor njerëzit gatuanin misër – ushqimi i preferuar i arinjve, sipas popullit tonë. Bashkë me misrin, zienin dhe fasule, thjerrëza, qiqër. Në mëngjes familja mblidhej rreth vatrës dhe secili merrte pak farëra, i hidhte dhe thoshte: “Ja, ari, misër të mos hash kafshët dhe njerëzit.” Konsiderohej se nga dita e Shën Andreas e këtej dita fillon të zmadhohet me një farë.

Në vendbanimet bregdetare e nderojnë Shën Andrean bashkë me Shën Nikollën, sepse besojnë se ata janë sundues të stuhive. Në qytetin Petriç thonë se Andrea është ati i Nikollës. Ariu është dhe ndër personazhet e lojërave me maska, si edhe në karnavalet në Bullgarinë Perëndimore. Në këtë krahinë zbatohet një rit interesant para dasmës – nusja vishet si ari dhe hedh valle rituale bashkë me vajzat e tjera. Pa folur, vetëm me gjeste, ajo rikrijon legjendën për një vajzë, të cilën e ndjekin turqit. Për ta shpëtuar, Zoti i jep një lëkurë dhe ajo bëhet ari. Në ditën e Shën Andreas rrëfehen shumë legjenda të tjera për arinjtë. Ja një prej tyre. Dikur në një familje me një vajzë vdiq gruaja. Babai u martua përsëri me një grua, e cila gjithashtu kishte një vajzë. Njerka nuk e donte dhe e torturonte vajzën e gjetur. Një herë gjatë dimrit i dha lesh të zi dhe i tha ta lajë në lumë deri sa të bëhet i bardhë. Vajza shkoi në lumë, por nuk arriti ta zbardhte leshin. Filloi të qante. Atëherë para saj u duk një plak. Kur kuptoi çfarë është puna, ai i tha: “Veshe leshin dhe shko në shtëpi.” Kur hapi derën, njerka me befasi pa një vajzë të artë, e cila shkëlqente si dielli. Atëherë dërgoi në lumë edhe vajzën e saj që ta bëjnë edhe atë të artë. Vajza shkoi dhe u ul në breg. Por askush nuk vinte. Deri sa priste, u ngri dhe filloi të qante. Atëherë u duk plaku. “Pse po qan?” – e pyeti ai. “Të pres ty që të më bësh të artë” – u përgjigj vajza. “Mirë, vishe leshin dhe shko në shtëpi.” Nëna e priste vajzën dhe kur dëgjoi hapat e saj, menjëherë hapi derën. Por edhe më shpejt e mbylli, sepse para saj rrinte një ari i madh. Kështu njerka e keqe dhe vajza e saj u ndëshkuan. Që atëherë në ditën e Shën Andreas e tregojnë këtë përrallë.

Përgatiti në shqip: Ekaterina Tarpomanova
По публикацията работи: Allbena Bezovska


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Aksakovo u krijua grupi i parë i vajzave - gajdexhinj në Bullgari

Në qytetin Aksakovo, rajoni i Varnës, u krijua grupi i parë bullgar i gajdexhinjve vetëm me vajza. Këtë e bëri të ditur Nikolla Georgiev, drejtues i Shkollës së Gajdexhinjve “Trakia”, pranë së cilës u formua grupi. Ivelina, sijana, Sara, Kalina,..

botuar më 24-07-24 10.37.PD

Ribarica pret një festival folklorik

Njohësit e folklorit bullgar u mblodhën në fundjavat e 20 dhe 21 korrikut në fshatin Teteven të Ribaricës për Festivalin e Tretë Kombëtar dhe edicionin e gjashtëmbëdhjetë të "Festivalit të zakoneve popullore dhe kostumit autentik" në zonën e..

botuar më 24-07-21 8.50.PD
Dimka Vlladimirova

Këngëtarja e muzikës popullore Dimka Vlladimirova u largua nga ne

Ajo ka lindur më 28 korrik 1935 në fshatin Bistrec të Stranxhës në Bullgarinë Verilindore. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në një konkurs në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Sofje, ku u miratua për korin “Filip Kutev”...

botuar më 24-07-12 3.36.MD