Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Shpendët dhe shtyllat elektrike – një provë për bashkëjetesë paqësore

Foto: Maria Dimitrova
Foletë e lejlekëve në shtyllat elektrike janë një pamje e zakonshme dhe e këndshme për ne, qytetarët. Mirëpo në fakt ato janë shumë të rrezikshme për shpendët, alarmojnë ekologët. Që nga viti 2005 e këtej Shoqata bullgare për mbrojtje të shpendëve bën përpjekje për zhvendosjen e foleve të shpendëve në platforma të parrezikshme artificiale, larg telave të elektrikut. Por pse përsëri mbi shtyllat elektrike? Del se për shkak të urbanizimit shpendët e mëdhenj nuk kanë mjaftë mundësi për të bërë fole në vendet më të përshtatshme për këtë. Pemët e mëdha po zhduken, ose ndodhen ndër godina të larta, gjë që vështirëson fluturimet e këtyre zogjve të bukur. Është mirë se ekologët janë mirëkuptuar nga profesionistët në biznesin energjetik.


© Foto: Maria Dimitrova

Studimet gjatë vitit 1994 dhe 2004, kur u zhvillua regjistrimi ndërkombëtar i lejlekut të bardh, tregojnë se gjatë vitit 1994 një pjesë e madhe e foleve kanë qenë në pemë, gjersa në vitin 2004 mbizotërojnë foletë në shtyllat elektrike – deklaroi për Radio Bullgarinë Svetosllav Spasov nga Shoqata për mbrojtje të shpendëve. – Për fat të mirë organizata jonë bashkëpunon shumë mirë me shoqëritë elektrike në këtë drejtim. Gjatë disa viteve të fundit kompanitë, të cilat përgjigjen për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve i zhvendosën foletë në platforma të posaçme mbi telat e elektrikut, ku nuk ka rrezik as për shpendët, as për ndërprerjen e rrymës elektrike. Vënia e foleve në këto platforma artificiale është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen e lejlekut të bardh – tha në përfundim eksperti.

© Foto: BGNES

Akoma më i madh është rreziku për shpendët e mëdhenj grabitqarë, sidomos për ata, të cilët janë në proces zhdukjeje. Të tillë janë shkaba dhe shqiponja mbretërore. Programi i madh për ndjekje me anë të satelitit të shqiponjës mbretërore gjatë disa viteve të fundit tregon se shumë prej shpendëve të rinj vdesin që gjatë vitit të parë si rrjedhim i goditjeve nga rryma elektrike – na tregon zoti Spasov.

Linjat e përçimit elektrik përbëjnë rrezik edhe për tufat e mëdha të shpendëve shtegtarë: Problemi është shumë i madh, sidomos në pjesën lindore të vendit, ku kalon rruga e migracionit e shpendëve Via Pontica – nënvizon eksperti. – Dihet se përmes Bullgarisë kalojnë mbi 200 mijë lejlekë në vit dhe shumë prej tyre vdesin pikërisht për shkak të shtyllave të tilla elektrike dhe bëhen shkak për avaritë e shumta, të cilat regjistrohen pikërisht gjatë muajve të migrimit të shpendëve – gushti dhe shtatori. Kështu qe sigurimi i këtyre shtyllave elektrike është në dobi si të shpendëve dhe natyrës, ashtu dhe të njerëzve.


© Foto: BGNES

Bashkëjetesa paqësore e shpendëve me linjat e përçimit elektrik është një problem botëror. Svetosllav Spasov shënoi disa shembuj të mirë në këtë drejtim: Shumë shtete në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore ndërmorën hapa për zgjidhjen e tij afatgjatë, duke bërë disa ndryshime legjislative, sipas të cilave të gjitha pajisjet e rrjetit elektrik, të cilat do të montohen këtej e tutje duhet të jenë të siguruara, kështu qe të mos jenë në dëm të shpendëve të egër dhe të mos ketë ndërprerje të rrjetit elektrik.

Sipas fjalëve të zotit Spasov çështja ka një zgjidhje radikale: Të paktën linjat më të rrezikshme të përçimit elektrik duhet të vihen nën tokë. Kjo do të eliminojë problemin e goditjeve nga rryma elektrike dhe të përplasjeve të shpendëve në fijet e elektrikut. Për fat të keq kjo është një nismë shumë e shtrenjtë dhe nuk ka të ngjarë të ndodhë gjatë disa viteve të ardhshme. Sa për masat e ngutshme, mënyra e vetme e zgjidhjes së shpejtë të problemit është vënia e izolimeve të posaçme prej plastmase rreth përçuesve, të paktën afër shtyllave elektrike, ku është kontakti me shpendët. Vihen gjithashtu të ashtuquajturat “dajvërtor”. Ata e reflektojnë dritën dhe kështu i bëjnë telat të dukshëm për shpendët dhe në rast moti të keq zogjtë nuk përplasen në ta.


© Foto: BGNES

Ekologët bullgarë shpresojnë se qeveria do të marrë masa, me të cilat t’i detyrojë shoqëritë elektrike për të montuar vetëm pajisje të parrezikshme për shpendët. Bullgaria tashmë ka ndërmarrë disa angazhime në kuadrin e Konventës së Bernit për ruajtjen e llojeve të rralla dhe duhet të respektojë rekomandimet e BE-së për kufizimin e konfliktit midis shpendëve dhe rrjetit elektrik. Ky është një problem real, i cili mund të çojë deri në zhdukjen e disa llojeve të shpendëve në territorin e vendit si shkaba egjiptiane, shqiponja mbretërore, fajkua e gjahut etj. Zgjidhja e këtij problemi do të ketë jo vetëm efekt ekologjik, por dhe ekonomik, sepse shumë turistë e vizitojnë Bullgarinë pikërisht që të shohin fluturimin e këtyre shpendëve të bukur, të cilët janë zhdukur në pjesën më të madhe të Evropës.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
По публикацията работи: Maria Dimitrova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Foto: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri

Për të pestin vit radhazi nxënësit e Gorës dhe Gollobordës shënojnë “Festat e fundvitit në mënyrë bullgare"

Me mbështetjen financiare të shtetit bullgar dhe në kuadër të një projekti të realizuar nga shoqata "Bullgarët në Shqipëri", fëmijëve nga Gora dhe Golloborda iu dorëzuan dhurata për festat e fundvitit. Në këto dy rajone jeton një pjesë e madhe e pakicës..

botuar më 24-12-27 11.06.PD

“Krishtlindjet bullgare” mblodhi 2.9 milionë leva (pothuajse 1.5 milionë euro) për fëmijët në nevojë për trajtim

Vazhdon edicioni i 22-të i "Krishtlindjeve bullgare" nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë. Këtë vit, fushata është në mbështetje të fëmijëve me sëmundje dhe gjendje të rëndë kronike. Shuma e mbledhur pas shfaqjes bamirëse të mbajtur..

botuar më 24-12-26 10.24.PD

Magjia e Krishtlindjes - nga bekimi i lashtë deri te shfaqja e plakut të mirë në trojet tona

Në mëngjesin e Krishtlindjes tashmë kudo është përhapur lajmi më i gëzueshëm në Tokë se ka lindur i biri i Zotit, prandaj dita është e veçantë dhe duhet festuar me vëmendje të veçantë dhe me shumë rite festive. Pas natës së qetë dhe të shenjtë, kur..

botuar më 24-12-25 4.45.PD