Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

100 vjetori i Luftërave Ballkanike: Heroizmi i këmbësorisë bullgare

Këmbësoria bullgare në sulm afër Luleburgazit, viti 1912
Foto: lostbulgaria.com

“Almanaku i ushtrive tokësore të Bullgarisë” – ky është titulli i një libri, kushtuar përvjetorit të 100-të të dy Luftërave ballkanike (1912-1913). E para prej tyre zhvillohet nga Bullgaria, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi kundër Perandorisë Osmane për çlirimin e territoreve me popullsi të krishterë. Në luftën e dytë ballkanike vendi ynë lufton kundër Turqisë dhe ish aleatëve të vet, me të cilët bashkohet edhe Rumania. Libri është fryt i punës së përbashkët të tri institucioneve: Muzeu ushtarako-historik kombëtar, Asociacioni i ushtrive tokësore të Bullgarisë dhe Fondacioni “Trashëgimi historike bullgare”. Autorët e tij janë doktorja Sonja Penkova, doktorja Daniella Cankova Gançeva dhe Diana Ivanova nga Muzeu ushtarako-historik kombëtar. Shumica e fotografive në të – rreth 250, janë nga fondi i muzeut. Libri përbëhet prej dy pjesësh. Në njërën prej tyre rrëfehet historia e 12 regjimenteve bullgare të këmbësorisë që nga krijimi i tyre pas Çlirimit të vendit nga pushteti osman në vitin 1878 deri në fund të pjesëmarrjes së tyre në Luftën e dytë botërore. Pjesa tjetër u është kushtuar 22 ushtarakëve, të cilët kanë marrë rangun më të lartë në ushtrinë bullgare gjatë kësaj kohe – gjeneral i këmbësorisë.

Mbreti Ferdinand me repartin e tij kundër trupave ushtarake që janë rrethuar Edrenenë

“Me ta janë lidhur faqet më interesante në libër. Për shumë prej tyre njerëzit kanë lexuar në librat mësimorë, ose kanë dëgjuar diçka rastësisht, por tërë historia e tyre e paraqitur në një libër botohet që tani – tregon doktore Sonja Penkova, drejtoreshë e Muzeut ushtarako-historik kombëtar. – Kjo, që ne kemi përshkruar në libër, janë kryesisht fakte të njohura të jetës së tyre, por ka dhe shumë hollësi, histori, për të cilat kanë dëgjuar vetëm adhuruesit e librave historikë dhe shkencorë. Prandaj ne kishim për qëllim të krijojmë një libër, i cili të lexohet me interes nga njerëzit e zakonshëm. Në të janë paraqitur histori nga jeta e ushtarakëve: ku kanë lindur, cilat janë familjet e tyre, ku kanë marrë arsimin e vet, çfarë është pjesëmarrja e tyre në luftëra, me cilat vështirësi ndeshen... Problemet e tyre nuk ishin më të vegla nga ato të ushtarit të zakonshëm, sepse nga vendimet e tyre varej jeta e mijëra njerëzve në situata ekstreme. Nganjëherë vendimet ishin në kundërshtim me ndërgjegjen e tyre.”

Këmbësori bullgar para sulmit në afërsi të Edrenesë

Ndër gjeneralët e këmbësorisë janë monarkët Aleksandër I, Ferdinand dhe Boris III, Danaill Nikolaev, Radko Dimitriev, Vasill Kutinçev, Nikolla Ivanov, Stilian Kovaçev... Ushtarakët tanë të lartë janë shumë të ndryshëm për nga origjina dhe edukimi i tyre. Disa prej tyre janë nga familje të pasura, si Dimitër Geshov dhe Pantelej Kisellov. Disa të tjerë janë nga familje më të zakonshme si gjenerali Pavell Hristov.
Këmbësori bullgar para sulmit, Çatallxha

Almanaku i është kushtuar heroizmit të këmbësorisë bullgare gjatë Luftërave ballkanike. Nëpërmjet historisë së regjimenteve dhe të gjeneralëve bullgarë janë rikrijuar momente shumë të rëndësishme, si beteja te Luleburgaz, Bunarhisari, Çatallxha, Bulairi, Edreneja, Sharkjoj... Mund të lexojmë se si gjatë vjeshtës së vitit 1912 pas betejave në vijën Ljuleburgas-Bunarhisar vëzhguesit e huaj i admirojnë ushtarët bullgarë, kurse një gazetar perëndimor komenton: “Në Evropën Lindore lindi një fuqi e re ushtarake, të cilën nuk mund ta mundin madje Fuqitë e Mëdha”.

Darkë në pozitë afër Çatallxhasë

“Këto janë faqe të shkruara me gjakun e këmbësorisë bullgare, sepse pikërisht ajo kryen punën më të rëndë si të thuash, sidomos në Luftërat ballkanike – thotë doktorja Sonja Penkova. – Kuptohet, nuk duhet të nënvlerësojmë si pjesëmarrjen e forcave ajrore, ashtu dhe atë të mbrojtjes detare, por betejat kryesore zhvillohen në tokë. Në to kanë marrë pjesë dhe trupa të tjerë si artileria, xhenioja, xhenierët, të cilët gjithashtu kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në fitoret e ushtrisë bullgare. Por me të vërtetë këmbësoria është ajo, e cila sulmonte dhe ishte objektiv i plumbave.”

Në Luftën e parë ballkanike numri i forcave bullgare ishte pothuaj si ai i të gjithë aleatëve të tyre. Fushata e mobilizimit ishte shumë e gjerë. “Armatosja paraprake dhe të gjitha veprimtaritë e tjera nuk i përgjigjeshin numrit të madh të ushtrisë bullgare – shënon Sonja Penkova. - Kishte ushtarakë të armatosur shumë mirë dhe të tillë, të cilët nuk ishin armatosur mirë. Kishte luftëtarë të veshur me uniforma ushtarake dhe të tillë të veshur me rrobat e tyre të zakonshme. Një problem shumë i madh ishte shërbimi sanitar, sidomos në Luftën e parë ballkanike. Vështirësi kishte edhe me komunikacionet dhe me shërbimin në prapavijë. Në qoftë se ushtria nuk është armatosur mirë, nuk është ushqyer mirë, kjo pa dyshim ndikon mbi efikasitetin e saj. Kjo ka ndodhur shumë shpesh në këtë luftë. Por megjithatë, megjithë të vrarët e shumtë, këmbësoria bullgare ka mbetur shembuj të shkëlqyeshëm të artit luftarak. Shumë prej betejave mësohen jo vetëm në shkollat ushtarake bullgare dhe Akademinë Ushtarake, por janë shënuar edhe në librat mësimorë të akademive të huaja ushtarake. E tillë është beteja kundër Kështjellës së Edrenesë gjatë muajit mars të vitit 1913 – një shembull emblematik. Kështu qe heroizmi i këmbësorisë bullgare është i denjë për t’u respektuar dhe për t’u mësuar.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: lostbulgaria.com

По публикацията работи: Veneta Pavllova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Shën Nikollaj Çudibërësi - mishërimi i mëshirës vetëmohuese

Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, ​​sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij..

botuar më 24-12-06 5.45.PD

Enë të gdhendura në mënyrë të shkëlqyer dhe statuja të punuara me imtësi - Tuma Kozareva zbulon sekretet e saj

Gjetjet nga gërmimet arkeologjike të tumës Kozareva u bënë një sensacion i vërtetë në vitin 2014, kur u prezantuan për herë të parë para publikut të gjerë. Ndër eksponatet e shkëlqyera dallohen amuletat e bëra nga kafka njerëzore, enë balte dhe vegla..

botuar më 24-12-01 10.10.PD

Në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, u zbulua koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe

Koka e statujës së perëndeshës së Filipopollit Tjuhe u zbulua në Bazilikën Episkopale në Plovdiv, njoftoi kreu i gërmimeve Ljubomir Merxhanov. Sipas tij, ky është një gjetje jashtëzakonisht e rrallë. Koka ndodhej pranë foltores së tempullit dhe..

botuar më 24-11-29 6.15.PD