Prodhimi i qilimave është një zanat, i cili trashëgohet brez pas brezi dhe në Bullgari ka tradita të vjetra. Në vendin tonë ka disa shkolla, të cilat e përhapin këtë zanat. Më të njohurat prej tyre janë Shkolla e Çiprovos dhe ajo e Kotelit. Pikërisht në këto dy rajone prodhohen qilimat më cilësorë bullgarë, të cilët janë përhapur edhe në tregun botëror. Për fillimin e prodhimit të qilimave në Kotel ekzistojnë dy mendime. I pari është se zanati është transferuar nga Çiprovci pas një ngjarjeje tragjike – shuarja e kryengritjes kundër pushtetit osman në vitin 1688. I dyti është se teknika e prodhimit të qilimave është transferuar nga Gjeorgjia nëpërmjet kontakteve të tregtarëve të Kotelit. Të dhënat për historinë e qilimit të Kotelit janë të pakta për shkak të zjarrit në Kotel në vitin 1894, i cili asgjësoi pothuaj tërë qytetin. Për fat të mirë në fondin e Muzeut Etnografik janë ruajtur 34 qilima. Qilimi më i vjetër prej tyre është nga viti 1860.
© Foto: ranica.eu
“Këta qilima bëjnë përshtypje të madhe me përpunimin e përsosur, me vitalitetin dhe harmoninë e ngjyrave – thotë Stefan Ivanov – drejtori i ekspozitës “Qilimat dhe pëlhurat e vjetra të Kotelit” në Shkollën e vjetër të Gallatanit. Qilimi i Kotelit paraqet shpirtin e pasur të gruas së Kotelit, e cila është njëkohësisht bashkëshorte, nënë dhe krijuese. Qyteti Kotel gjatë Rilindjes ishte qendër e shumë zejeve, të krijuara si rezultat i zhvillimit të rritjes së deleve. Është interesant fakti se meshkujt-çobanë kanë qenë në Dobruxha, gjersa gruaja-nënë ka qëndruar në Kotel. Ndërsa kontaktet e shumta tregtare të Kotelit me Lindjen, me tregjet e mëdha të Perandorisë Osmane kanë çuar në prodhimin e këtij qilimi të njohur. Ai është transferuar pikërisht nga Lindja dhe është një produkt shumë interesant artistik dhe tregtar.”
© Foto: ranica.eu
Kulmi në zhvillimin e prodhimit të qilimave të Kotelit gjatë shekullit të XIX-të janë qilimat “Këdrjavi zvezdi” (“Yje kaçurrele”) dhe “Surovaknicite” (shkop thane, i zbukuruar, i përdorur nga fëmijët për të prekur shpinën e njerëzve, kur dëshirojnë t’ju urojnë Vitin e Ri). Motive shumë të preferuara në qilimat e Kotelit janë fluturat, pulat e vogla, pemët e lulëzuar, të lidhura me pranverën dhe bagëtinë. Të gjitha këto elemente tregojnë nuhatjen estetike të gruas së Kotelit.
“Ka shumë qilima, të cilat janë fryt i dhimbjes, gëzimit, mënyrës së jetesës së gruas së Kotelit – vazhdon tregimin e vet Stefan Ivanov. Në buzët e qilimave ajo ka endur “K” – shkronjën e parë të emrit të Kotelit. Dëshira për çlirimin e Bullgarisë nga zgjedha turke është paraqitur nga gruaja e Kotelit me endjen e shpatave, kurse respekti ndaj krishterimit gratë e Kotelit e shprehin nëpërmjet shtambave të vogla dhe temjanicave, të përdorura në ritualet kishtare.”
© Foto: ranica.eu
Karakteristike për qilimin e Kotelit janë ngjyrat e pastelit, të cilat prodhohen nga bimë të ndryshme në Ballkan: “Në fund të shekullit të XIX gruaja e Kotelit i ka prodhuar vetë bojërat në laboratorin e natyrshëm në këtë krahinë – na tregon Stefan Ivanov. – Kështu për shembull ngjyrën e zezë ajo e ka prodhuar nga lëkura e bredhit, ngjyrën e verdhë – nga rrënjat e pelinit të egër, bojën e gjelbër - nga gjethet e mollës së egër etj. Pas zhvillimit të industrisë në shekullin XIX gratë e Kotelit kanë përdorur bojëra aniline. Është interesant fakti se të gjithë qilimat në fondin e Muzeut Etnografik, të cilët janë ngjyrosur me bojëra të
natyrshme, janë ruajtur, gjersa ata me bojëra aniline janë dëmtuar nga koha dhe po vëzhgohet erozion. Në Muzeun Etnografik ka një qilim “Yje kaçurrele”, i cili është 136 vjeçar dhe u bën përshtypje vizituesve me bukurinë e tij. Gjatë socializmit prodhimi i qilimave në Kotel dhe në fshatrat e afërta u industrializua. Kishte një shkollë, e cila përgatiste endës. Për fat të keq pas mbylljes së Gjimnazit për arte figurative në Kotel në vitin 1980, ky zanat filloi dalëngadalë të harrohet. Ende ka gra – trashëgimtare të endëseve të njohura, të cilët endin në kushte shtëpiake qilima unikalë si ata në të kaluarën. Megjithatë ka rrezik që ky zanat të zhduket dhe të mbetet vetëm një kujtim i bukur për zhvillimin e zanateve gjatë epokës së Rilindjes dhe shekullit të kaluar.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Në qytetin Aksakovo, rajoni i Varnës, u krijua grupi i parë bullgar i gajdexhinjve vetëm me vajza. Këtë e bëri të ditur Nikolla Georgiev, drejtues i Shkollës së Gajdexhinjve “Trakia”, pranë së cilës u formua grupi. Ivelina, sijana, Sara, Kalina,..
Njohësit e folklorit bullgar u mblodhën në fundjavat e 20 dhe 21 korrikut në fshatin Teteven të Ribaricës për Festivalin e Tretë Kombëtar dhe edicionin e gjashtëmbëdhjetë të "Festivalit të zakoneve popullore dhe kostumit autentik" në zonën e..
Ajo ka lindur më 28 korrik 1935 në fshatin Bistrec të Stranxhës në Bullgarinë Verilindore. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë në një konkurs në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Sofje, ku u miratua për korin “Filip Kutev”...