Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Populli bullgar në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë

Foto: EPA/BGNES
Populli bullgar priti me mirëkuptim dhe gëzim shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Siç ka shkruar shtypi bullgar në atë kohë, “nuk mund të mbetet dëshmitar i paanshëm populli ynë, i cili edhe vetë ka vuajtur shekuj të tërë nën pushtetin e huaj dhe ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vet, dhe të mos ndajë gëzimin e popullit shqiptar.”

Në mes të lëvizjes revolucionare-çlirimtare bullgare dhe asaj shqiptare gjithmonë ka pasur marrëdhënie dhe ndihmë reciproke. Dokumenti i parë i manifestimit të ideve iluministe rilindëse, domethënë Apeli i ideologut të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Naum Veqilharxhi, është shtypur falë ndihmës së rilindësit të shquar bullgar Ivan Seliminski. Revolucionarët më të mëdhenj bullgarë, ndër të cilët Georgi Rakovski, Vasil Levski, Hristo Botev etj., në mënyrë të përsëritur kanë shprehur simpati për konsolidimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar.

Në Bullgari emigrantët shqiptarë, duke gjetur një pritje të ngrohtë mes popullit bullgar, kanë zhvilluar një veprimtari të madhe në favor të shqiptarëve. Më 1893 në Sofje u themelua shoqata “Dëshira”, e cila e mori përsipër detyrën të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar dhe ta bashkonte atë në luftën për liri dhe zhvillim kulturor. Më pas, në territorin e Bullgarisë kanë vepruar edhe shoqata të tjera, siç ishin: “Shoqëria ndihmëtare e komitetit të brendshëm”, “Afroi dita”, “Shpresa” etj.

Shtypshkronja “Mbrothësia”, e hapur më 1896 në Sofje, ka shtypur më shumë se 30 libra në gjuhën shqipe me tema patriotike dhe shkencore, letërsi artistike e tekste shkollore. Këto botime u përhapën më sukses si mes shqiptarëve në Bullgari, ashtu edhe në vetë Shqipërinë. Ndër organet përparimtare të emigracionit shqiptar në Bullgari ishte “Kalendari Kombiar” që botohej një herë në vit, si dhe gazetat “Drita”, “Shqypeja e Shqipënisë” dhe “Vetetima”.

Kolonia shqiptare në Bullgari priti mirë rilindësit e shquar Petro Nini Laurasi, Fan Noli etj. Me ndihmën e madhe të shoqërisë bullgare u organizuan mbledhje masive, në të cilat u shqyrtuan çështjet shqiptare për liri dhe pavarësi. Në Bullgari u përgatitën dhe armatosën çetat e Çerçiz Topallit dhe Mihail Gramenos që çeta kanë luftuar heroikisht për çlirimin e Shqipërisë.

Simpati, solidaritet dhe përkrahje ndaj luftës së popullit shqiptar treguan edhe socialistët bullgarë Dimitër Blagoev, Hristo Kabakçiev dhe Georgi Dimitrov. Në fjalimet dhe artikujt të tyre ata e kanë theksuar haptazi të drejtën e shqiptarëve për të pasur shtet të pavarur. Në lidhje me bashkimin e popullit shqiptar në luftë për lirinë, gazeta bullgare “Socialist” ka shkruar: “Edhe një plagë tjetër u hap, këtë herë jo në periferi, por në zemër të Turqisë. Le t’u urojmë shqiptarëve sukses. Kauza e tyre, sadoqë nuk është e plotë, ajo është e drejtë.” Revistat “Novo vreme” (“Koha e re”) dhe “Rabotniçeski vestnik” (“Gazeta e punëtorëve”) kanë sjellë informacion të hollësishëm rreth kryengritjeve të shqiptarëve dhe kanë vënë në dukje heroizmin e tyre, duke komentuar me gëzim çdo fitore.

Kongresi i XIX-të i Partisë Socialdemokrate Bullgare të Punëtorëve, i cili u mbajt më 1912 në qytetin Ruse, Bullgari Verilindore, dënoi borgjezinë ballkanike, si dhe Austro-Hungarinë dhe Italinë, që ta pengojnë luftën e drejtë të popullit shqiptar për pavarësi dhe të pushtojnë territoret shqiptare.

Populli bullgar priti me gëzim lajmin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Bullgaria ishte ndër vendet e para që njohën pavarësinë e shtetit të ri të Ballkanit dhe sot e kësaj dite vazhdon të respektojë sovranitetin e tij. Që më 1913 u hapën Konsullata Bullgare në Tiranë (sot Ambasada e Bullgarisë) dhe Konsullata Shqiptare në Sofje (sot Ambasada e Shqipërisë).

Në momentin kur Shqipëria ishte e kërcënuar me uri për shkak të fluksit të madh të refugjatëve nga trojet e pushtuara shqiptare, Bullgaria i dha edhe një krah tjetër popullit shqiptar. Me kërkesë të qeverisë shqiptare Bullgaria dërgoi në Shqipëri 500 thasë me miell. Anija “Bullgaria” u prit në Vlorë me një solemnitet të veçantë. Në port për herë të parë valëvitën së bashku flamujt kombëtarë të Shqipërisë dhe Bullgarisë. Me këtë rast shtypi shqiptar ka shkruar: “Të gjithë shqiptarët, të mbushur me ndjenja mirënjohjeje, e falënderojnë Bullgarinë për këtë ndihmë.”

Nga ana e saj, qeveria shqiptare e udhëhequr nga atdhetari i madh Ismail Qemali, vazhdimisht ka shprehur simpati ndaj Bullgarisë dhe popullit shqiptar dhe ka treguar gatishmëri për marrëdhënie reciproke miqësore.

Gazeta "Perlindja e Shqipëniës" ka shqyrtuar qëndrimin e Bullgarisë ndaj ngjarjeve te shqiptarët dhe ndihmën që dha populli bullgar në momentin e vështirë të konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Në datën 6 të vjeshtës së tretë 1913 gazeta ka botuar këto fjalë: “Një nga shtetet e Ballkanit që ka dëftyer ndjenja ma miqësore për Shqipërinë, e që pa dyshim, këto ndjenja iu përgjegjën interesit kombëtar të saj dhe do t’i përgjigje përgjithëmonë, ashtë Bullgaria.”

Me të vërtetë, Bullgaria kudo, në konferencën e Londrës, nëpër oborret të qeverive të mëdha, nuk u kursye kurrë për të marrë anën e Shqipërisë e për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar.
По публикацията работи: Elena Atanasova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Në Odesos, u zbulua një statujë e ruajtur plotësisht nga shekulli II - III

Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..

botuar më 24-10-15 6.52.MD

Një lagje e tërë e shekujve XIII-XIV e ngjashme me qytetin Hobbit u zbulua nga arkeologët në Perperikon

Një kompleks prej një duzinë shtëpish të vogla, të vendosura në pjesën jugore të qytetit shkëmbor Perperikon, u zbulua nga arkeologët nën drejtimin e Prof. Nikollaj Ovçarov. Sipas tij, bëhet fjalë për një lagje të tërë që daton nga shekulli XIII-XIV,..

botuar më 24-10-08 6.24.MD
Foto: Muzeu Kombetar i Shkencave Natyrore - Akademia Bullgare e Shkencave

Më shumë se 30 fosile kafshësh nga koha e dinozaurëve u mblodhën nga shkencëtarët pranë Trën

Si dukej bota e kafshëve në zonën e qytetit të sotëm të Trënit (Bullgaria Perëndimore) më shumë se 80 milionë vjet më parë - kësaj pyetjeje po përpiqen t'i përgjigjen paleontologët nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore në Akademinë Bullgare të..

botuar më 24-10-06 11.05.PD