Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ekipi bullgar i Fondacionit “Katër Putrat” shpëtoi 13 arinjtë e murrmë në Kosovë

Foto: Архив

Në fillim të muajt qershor në Kosovë u zhvillua etapa e fundit e misionit të shpëtimit të 13 arinjve të murrmë, të cilët mbaheshin të internuar. Misioni ishte i Fondacionit Ndërkombëtar “Katër Putrat”. Ekipi nga Bullgaria ka merita të mëdha për t’u nxjerrë arinjtë nga restorantet dhe minikopshtet dhe për t’u vendosur në parkun e riadaptimit afër liqenit të Badocit.

“Në Kosovë punojmë gati tre vjet. Fillimisht duhej të shpëtojmë vetëm një ari pasi KFOR-i na lajmëroi për gjendjen e tij shqetësuese, thotë Dimitër Ivanov, menaxher i Parkut për arinjtë kërcimtarë në qytetin Belica (Bullgari Jugperëndimore) dhe anëtar i Fondacionit “Katër Putrat” në Bullgari. – Arusha Kasandra mbahej një kafaz 8-9 metrash katrorë, plotësisht e izoluar në kodër. Pronari i saj nuk e kishte ushqyer shumë kohë. Mirëpo, morëm vesh se ky nuk është rasti i vetëm i internimit të arinjve të murrmë në Kosovë.”

Edhe pse zhvendosja e arinjve në një shtet tjetër nuk ka qenë e lehtë, “Katër Putrat” ka vendosur të ndërtojë një strehimore. Pasi në mars përfundoi faza e parë e ndërtimit, Kasandra u strehua. 12 arinjtë të tjerë duhej të shpëtoheshin urgjentisht. “Brenda dy ditësh shpëtuam 12 arinj të murrmë. Deri tani nuk është kryer një mision shpëtimi në afat kaq të shkurtër”, sqaron Dimitër Ivanov. Shqetësimet e tij se arinjtë mund të fillojnë të shiten jashtë vendit ku do të vazhdojnë në kushte të papërshtatshme, dolën akoma më të këqija. Fillimisht, numri i arinjve të murrmë të identifikuar në Kosovë ishte 15, mirëpo dy arinj të moshës njëvjeçare, të gjinisë mashkull, janë vrarë në mënyrë mizore, transmeton “Telegrafi”.

Një ekip profesionalistësh nga Bullgaria ka marrë pjesë në konfiskimin e arinjve të murrmë. Ekipi ynë përbëhej nga katër veta – veterinar me eksperiencë të madhe, dy kujdestarë që kanë lejë për të transportuar kafshët dhe Dimitër Ivanov.

Çfarë ishte gjendja e arinjve të murrmë gjatë konfiskimit?

“Megjithëse pronarët pohonin se janë kujdesur mirë për arinjtë, disa ishin në gjendje shumë të keqe – thotë Dimitër Ivanov. – Njëri ishte i verbër. Arsyet për t’u mbetur të verbër janë shumë. Zakonisht verbëria ndodh kur ariu nuk ushqehet në mënyrën e drejtë. Doli se arinjtë janë me zgjebe. 5 nga arinjtë i kishin veshkat dhe shpretkat të zhvendosura, sepse nuk janë lëvizur mjaft. Gjendja e tyre psikologjike është akoma me e keqe, sepse nuk janë rritur në habitatet e tyre. Në ditë ariu i murrmë kalon 20 km duke kërkuar ushqim. Në rastin më të mirë kur mbahet në kafaz, ariu kalon vetëm 6 metra. Riadaptimi i arinjve në park është punë e vështirë. Ndonjëherë plagët e tyre nuk mund të shërohen 100%. ”

Si reaguan pronarët e restoranteve dhe minikopshteve gjatë konfiskimit të arinjve?

“Nuk është hera e parë që bëjmë aksione shpëtimi – tregon Dimitër Ivanov. – Gjithmonë ka reagime të ashpra. Protestuan, bile u ngrit një kordon përreth nesh. Thanë se ky është aksion mafioz. “Katër Putrat” është fondacion ndërkombëtar dhe respekton ligjet pavarësisht shtetit. Ka dy vjet që ligji i mbrojtjes së kafshëve ka hyrë në fuqi në Kosovë dhe ai nuk duhet të mbetet vetëm mbi letër. Pronarët janë lajmëruar se mënyra e rritjes së arinjve në restorante dhe minikopshte është e paligjshme. Kështu që nuk ka përse të na fajësojnë. Disa nga pronarët na pritën me mirëkuptim dhe vullnetarisht i dorëzuan arinjtë. Na thanë se pasi Kosova ka miratuar këtë ligj, ata do ta respektojnë. Përveç arinjve të murrmë, në Kosovë mbahen të internuar dhe shumë kafshë të tjera, p.sh, ujq dhe skifterë. Në ditë ujku kalon deri 80 km. Vetëm imagjinoni se si ndihet i mbyllur në kafaz. Jetojmë në shekullin e 21-të dhe ka mënyra të ndryshme për të parë kafshët. Nuk ka nevojë për kopshte zoologjike që fëmijët të njihen me jetën e kafshëve, kur ato mund të vërehen në mjedis natyror. Nuk e kuptoj se si mund të kesh ndjenja normale ndaj një kafshe e cila mbahet e internuar dhe e sheh si vuan.”

Kush i ndihmoi Fondacionit “Katër Putrat” në këtë mision shpëtimi?

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, KFOR-i dhe policia e Kosovës na dhanë përkrahje të plotë gjatë shpëtimit të arinjve të murrmë – shpjegon Dimitër Ivanov. – Misioni ishte eksperiencë e madhe për autoritetet vendase, sepse ishte hera e tyre e parë. Në fakt, puna e vështirë gjatë konfiskimit të arinjve i takonte atyre. Gjithsesi, punën e kryen mirë dhe arritën të evitojnë çdo problem. Kjo më la përshtypje të mirë. Kjo do të thotë se mekanizmat e shtetit fillojnë të funksionojnë në mënyrën e duhur dhe besoj të jenë në dobi si të kafshëve, ashtu dhe të qytetarëve të Kosovës.”

Arinjtë e murrmë u konfiskuan nga restoranti “Te Ariu” në Prishtinë, nga restoranti “Gryka” në afërsi të grykës së Rugovës, nga restoranti “Antika” në Pejë dhe nga minikopshtin e restorantit “Te Ariu” në Veternik. Derisa policia e ka pasur të vështirë qetësimin e pronarëve, puna e vështirë për “Katër Putrat” ka filluar që nga momenti i vendosjes së arinjve në strehimore.

“Aktualisht në park janë vendosur 13 arinj. Deri tani ata kanë qenë të mbyllur në hapësira shumë të vogla – thotë Dimitër Ivanov. – Disa prej tyre kanë pasur mundësinë të komunikojnë me arinj të tjerë, d.m.th. janë rritur bashkë. Ariu i murrmë jeton i vetmuar. D.m.th. kur në mal takohen dy arinj, ata zakonisht fillojnë të luftojnë për territore. Pas konfiskimit të arinjve ata mbahen në kafaz nga 3 deri në 7 ditë që të mos stresohen menjëherë me kushtet e reja. Adaptimi i tyre në park duhet të bëhet dalëngadalë. Shumica e arinjve s’kurrë kanë parë qiell përpara. Ariun e nxjerrim jashtë kafazit, kur e kemi fituar besimin e tij. E ushqejmë në orë të caktuara dhe e mësojmë se në çdo një moment mund të kthehet në kafaz ku ndihet i sigurt. Ariu është një kafshë që frikësohet shpejt por njëkohësisht është shumë kurioz. Parku është rrethuar me një gardh mbrojtjes me korrent. Kështu që ariu kur i afrohet atij mëson të respektojë hapësirat e parkut. Pasi të dalë ariu nga kafazi, ai menjëherë fillon të gërmojë. Vepron me instinkt. I itinerar, ai nuk ka pasur mundësi për të gërmuar, sepse është mbajtur mbi shtresë betoni. Pas kësaj e fusim në pishinë. Ariut shumë i pëlqehet uji. Për herë të parë arinjtë u lanë në pishinën e parkut. Kjo e verbra mbeti 3 orë të tëra në ujë. Rrugën drejt pishinës ia bëmë me fruta dhe mjaltë për të orientuar sipas erës. Herën e parë kur ariu i verbër doli nga kafazi, vërtitej vetëm rreth vetes. Hapa e fundit e adaptimit është kur ariu haset me arinjtë e tjerë në park. Ky moment është shumë i rëndësishëm.”

Për momentin parku pranë liqenit të Badocit shtrihet në 10 akra. Dimitër Ivanov shpreson se me ndihmën e autoriteteve vendase sipërfaqja e tij do të zgjerohet. Fondacioni ka për qëllim që çdo ariu t’i sigurohet nga 5 akra. Është për t’u theksuar se parku u ngrit për një afat shumë të shkurtër dhe në kushte të këqija dimërore. Siç pohon z. Ivanov nisma ia vlente. Për mendimin e tij, po të mos i kishin strehuar aq shpejt arinjtë e murrmë, të gjithë do të ishin shitur.

Ekipi bullgar është kujdesur për arinjtë deri më datën 21 qershor. Tani priten ekspertë nga Austria dhe Anglia. Përveç kësaj një eksperte nga Gjermania i bën vizita rregullisht parkut. “Katër Putrat” nga Rumania gjithashtu do të ndihmojnë. “Besoj se parku do të bëhet shembull për Kosovën në mbrojtjen e faunës së egër. Kontributi ynë megjithëse është i vogël, do të forcojë qëndrimin human ndaj kafshëve”, komenton Dimitër Ivanov.

Çfarë do të ndodhë me kafshët e tjera që mbahen të internuara në Kosovë?

“Shpresoj se departamentet e tjera të “Katër Putrave” do të insistojnë nga qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Mjedisit që të zgjidhin çështjen me shtimin e kopshteve zoologjike – shton Dimitër Ivanov. – Numri i tyre vazhdimisht rritet dhe nëse Kosova nuk vepron së shpjeti, do të bjerë në situatë pa rrugëdalje. Ndërtimi i parkut të riadaptimit të arinjve të murrmë kushton shtrenjtë. Kësaj radhe shteti përfitoi nga ndihma e fondacionit, por çfarë do të bëjë kur fillojnë të vijnë luanë dhe kafshë të tjera ekzotike. Kosova sigurisht synon integrimin në BE, si dhe nënshkrimin e konvencioneve ndërkombëtare si p.sh., CITES për tregtinë me lloje të kërcënuara të florës dhe faunës së egër. Kur të bëhet anëtare e komunitetit ndërkombëtar, Kosova duhet patjetër të respektojë ligjet. Këto të fundit nuk janë të shkruara rastësisht. Ja pse e rekomandoj shtetin më të ri në Ballkan që t’i ndërmarrë masat e duhura ndaj kopshteve zoologjike që tani. Sepse problemet e pazgjidhura sot kushtojnë shumë para në të ardhmen. Më mirë t’i drejtojmë ato për të zgjidhur problemet e njerëzve, sepse ato nuk janë pak.”

Për momentin në park nuk lejohen vizita, sepse ndërtimi i tij nuk ka përfunduar. Z. Ivanov thotë se qytetarët e Kosovës interesohen për parkun dhe fëmijët kanë dëshirë të shohin arinjtë e murrmë. Kjo do të jetë e mundur kur të nderohen zonat e posaçme për vizitorët. Për “Katër Putrat” është e rëndësishme që parku të jetë tërheqës për qytetarët. Ndryshe ka rrezik të shfaqen akoma minikopshte dhe puna e tyre të përsëritet pas 10 vitesh.

Fotografitë janë ofruar nga Fondacioni “Katër Putrat”

По публикацията работи: Anna Kapitanova


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgarët e vetëshpallur në Maqedoninë e Veriut janë shumë më tepër se ata të regjistruar

Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..

botuar më 24-11-05 7.05.PD

Si do të ndikojë në BE rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..

botuar më 24-11-04 10.30.MD
Nënpresidentja Ilijana Jotova

Nënpresidentja Ilijana Jotova hapi një ekspozitë për Trakinë e lashtë në Muzeun Getty

Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..

botuar më 24-11-04 9.46.PD