Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Pasuria e bullgarëve tejkalon 191 mlrd leva (98 mlrd euro)

Foto: arkiv

Bullgarët disponojnë një të gjashtën e pasurisë mesatare të evropianëve dhe dhjetë herë më pak nga vendet më të pasura, si Gjermania dhe Holanda. Kështu vendi ynë radhitet në fund të klasifikimit në Evropë. Mirëpo, le të mos harrojmë se bëhet fjalë për “Klubin e të pasurve”! Për nga pasuria financiare jemi afër rumunëve, por mbetemi prapa në mënyrë të konsiderueshme nga Evropa Qendrore. Sa u përket bankave jemi në polin tjetër. Bullgarët investojnë kursimet e tyre në trezorët bankarë më shumë se vendet e tjera evropiane. Banesat në Bullgari janë më të lirat në BE, prandaj edhe dallimet sa i përket pasurisë sonë të patundshme janë rrjedhim i çmimeve të tyre. Ka dhe akoma një veçori tipike për vendin tonë. Në dallim të evropianëve të tjerë, bullgarët preferojnë të disponojnë shuma të mëdha cash.

Pasuria e bullgarëve – ajo financiare dhe ajo e patundshme, ka tejkaluar 191 mlrd leva (98 mlrd euro), tregon një studim i kompanisë Industry Watch. Shifra është e madhe, sepse mbi dy të tretën e kësaj shume i përket pasurisë së patundshme të familjeve.

Pasuria financiare arriti 53 mlrd leva (27 mlrd euro) në fund të muajit shtator të vitit të kaluar. Pritet që shuma të rritet deri më 54 mlrd leva (28 mlrd euro) pas të dhënave përfundimtare të Bankës Popullore Bullgare për vitin 2013. Pjesa kryesore janë depozita në banka, sepse gjatë krizës njerëzit u kanë besim më shumë pikërisht bankave. Është paradoks se në periudhën e krizës depozitat bankare po rriten, por në fakt këto janë “para të bardha për ditë të zeza”, sepse njerëzit janë pesimistë sa i përket së ardhmes.

10 mlrd leva janë paratë cash të popullsisë, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore Bullgare. Në krahasim me vendet e tjera evropiane, sidomos në Evropën Qendrore dhe Lindore bullgarët janë në krye të klasifikimit sa u përket shumave cash.

“Kjo është rrjedhim i krizës bankare në vitin 1997 – komentoi në një intervistë për Radio Bullgarinë Krasen Jotov nga Industry Watch. – Ka mjaftë bullgarë, të cilët nuk u besojnë bankave dhe preferojnë të kenë para cash. Nuk është regjistruar rritje e pagimeve elektronike te ne. Për shembull në Çeki, Poloni dhe Hungari gjithnjë e më shumë njerëz përdorin karta në vend që të mbajnë me vete para cash.”

Pasuria e patundshme e bullgarëve kap shumën 138 mlrd leva ( 71 mlrd euro). Që nga viti 2008 e këtej çmimet e banesave u ulën, gjë që uli edhe çmimin e pasurisë së patundshme të familjeve. Bullgaria është në vendin e dytë pas Irlandës në BE, për nga ulja e çmimeve të pronësisë së palëvizshme.

E vogël, ose e madhe është pasuria e bullgarëve në “Klubin e të pasurve?”

“Një pjesë e madhe e dallimit është rezultat jo i pasurisë së patundshme, sesa i pasurisë financiare, sepse njerëzit në Bullgari kanë shumë pak kursime – saktëson Krasen Jotov. – Në vendet e zhvilluara evropiane ka më shumë investime në fondet e pensionimit, gjersa në Bullgari ka shumë njerëz, të cilët investojnë paratë e tyre në banka.”

Ku jemi ne ndër vendet e reja anëtare? Në krahasim me rumunët, pothuaj nuk ka dallim në përmasën e pasurisë financiare, por kemi katër herë më pak pasuri në krahasim me Çekinë dhe Poloninë.

“Kjo shpjegohet me dallimet në të ardhurat – na shpjegon Krasen Jotov. – Vendet e tjera, me përjashtim të Rumanisë, nuk kanë pasur një hiperinflacion të tillë, si ai në Bullgari. Shumë njerëz humbën kursimet e tyre personale dhe kjo ndikon mbi pasurinë e tyre financiare.”

Sa i përket pasurisë së patundshme, Bullgaria mbetet prapa në krahasim me vendet e tjera në Evropën Juglindore, sepse çmimet e banesave te ne janë me 20-30 për qind më të ulëta.

“Ndoshta gjëja e vetme pozitive është se në Bullgari shumica e njerëzve kanë banesa të veta – shton Krasen Jotov. – Për shembull në Gjermani vetëm 40 për qind e popullsisë disponojnë banesa të veta.”

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Standard&Poor's konfirmoi vlerësimin e Bullgarisë dhe perspektivën pozitive

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard&Poor's (S&P Global Ratings) konfirmoi vlerësimin afatgjatë dhe afatshkurtër të kreditit të Bullgarisë në monedhë të huaj dhe vendase 'BBB/A-2'. Perspektiva për vlerësimin mbetet pozitive...

botuar më 24-05-26 7.10.PD

Sindikatat kërkojnë rritjen e pagës minimale me 15.7%

Paga minimale nga viti 2025 duhet të jetë 1080 leva (542 euro), tha Ljubosllav Kostov, kryeekonomist i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura në Bullgari. Ai mori pjesë në konferencën "Direktiva evropiane për pagën minimale: mundësitë për sindikatat..

botuar më 24-05-22 12.20.MD
Banka Kombëtare Bullgare

BNB forcon kontrollin mbi dhënien e kredive hipotekare

Bordi Drejtues i Bankës Kombëtare Bullgare (BNB) urdhëroi bankat në vend që të aplikojnë një grup minimal prej 6 treguesish për monitorimin e standardeve të kredisë gjatë dhënies dhe rinegocimit të kredive siguruar me pasuri të paluajtshme banesore...

botuar më 24-05-21 9.43.PD