Një prej thesareve më të njohura, të gjetura në trojet bullgare – Thesari i Panagjurishtes, shton një nuancë të re në historinë e vet. Së shpejti do të zhvillohet një analizë e firmës austriake “Evrotest Kontroll”, të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare. Thesari u zbulua në vitin 1949 nga tre vëllezërit Dejkovi, të cilët ishin duke nxjerrë argjilë. Sot ai është pjesë e trashëgimisë sonë antike dhe kulturore. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita te ne dhe në botë. Nëntë enët e jashtëzakonshme të arta – një amforë, një fiala dhe ritone, janë pronë e Muzeut Arkeologjik në Plovdiv. Në vitin 1974 ai u transportua në Sofje. Sot thesari është pjesë e ekspozitës së Muzeut Historik Kombëtar. Mirëpo nga rreth 20 vjet në hapësirën publike është përhapur mendimi se origjinali i thesarit u ndërrua me një kopje. Shënohen dallime midis peshës së enëve gjatë peshimit të tyre gjatë viteve të kaluara. Sipas doc. dr. Kostadin Kisjov, drejtori i Muzeut Arkeologjik në Plovdiv, ky dallim është normal, sepse enët janë peshuar në kohë të ndryshme nga njerëz të ndryshëm dhe me pajisje të ndryshme.
“Kjo nuk do të thotë se Thesari i Panagjurishtes është ndërruar – pohon doc. dr. Kisjov. – Por në fund të fundit u mor vendim për analizimin e tij, sepse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar prof. Bozhidar Dimitrov madje ishte akuzuar se ai tendenciozisht nuk do që të bëhen analiza të tilla, që të fshihet ky ndërrim. Mirëpo, ai nuk ka interes nga kjo. Për këtë shkak prof. Dimitrov mori vendim që t’u bëhen analiza kimike enëve të veçanta. Dhe me këtë rast unë i drejtova kërkesë, pasi do të zhvillohen analiza të tilla të një thesarit të tërësishëm, të analizohet dhe një krah, që përbën një kanë-riton, me numër inventari 3201.”
Krahu në fjalë që gjatë zbulimit të enëve u shkëput dhe nuk ka dalë kurrë deri tani nga Plovdivi. Ai u soll në Sofje, që të analizohet.
“Së pari desha të theksoj se unë jam specialist, 33 vjet punoj në këtë fushë dhe si specialist po them se tërë thesari nuk është prodhuar njëkohësisht – vazhdon Kostadin Kisjov. – Dy prej enëve të tij janë krijuar në shekullin e katërt dhe në atë të tretë para Krishtit në një atelie tjetër, të ndryshme nga ajo e shtatë enëve të tjera. Vetë ari i tyre ka një ngjyrë tjetër, më të zbehtë. Jam i sigurt se analiza e tyre kimike do të jetë më e ndryshme nga ajo e enëve të tjera, sepse ato janë prodhuar në atelie të ndryshme në të kaluarën e largët me qëllime të ndryshme. Disa prej tyre janë krijuar për tregun, disa të tjera i kanë prodhuar me porosi të ndonjë udhëheqësi. Dhe në këtë aspekt, nga pikëpamja shkencore, analizat kimike vetëm të këtyre enëve nuk do t’i qetësojnë njerëzit, sepse do të ketë dallime. Për ne, specialistët, është e qartë se thesari nuk është prodhuar në një atelie dhe në një kohë. Sa për krahun, pas zbulimit të thesarit në vitin 1949, ai mbeti në muzeun në Plovdiv dhe ishte ruajtur atje nga tri breza punëtorësh. Dhe, në dallim të Thesarit të Panagjurishtes, i cili ka udhëtuar jo një herë në Bullgari dhe jashtë shtetit dhe është paraqitur në muze të ndryshëm, krahu nuk ka dalë kurrë nga Plovdivi. Pra, pasi i bëhet një analizë kimike atij dhe enës përkatëse, nga e cila ai u shkëput, do të bëhet e qartë a ka dallim apo jo. Por që tani, pasi e panë krahun restauruesit në Muzeun Historik Kombëtar, ishin kategorikë se ai i përshtatet krejtësisht vendit, ku ka qenë.”
A ka enë të ngjashme si ato të thesarit në vende të tjera të botës?
Siç vë në dukje Kostadin Kisjov, tani për tani janë gjetur dy enë të ngjashme, të punuara nga floriri, me format dhe dimensionet e njëjta, por me skena të tjera mitologjike. Bëhet fjalë për fialën dhe amforën. Njëra enë u zbulua në qytetin Sinope, në bregun verior të Detit të Zi, tjetra – në Sicili. Por për nga dimensionet e arta me lloje të tilla enësh Thesari i Panagjurishtes është i vetmi në botë.
Rezultatet e analizës së artefakteve të arta do të jenë të qarta deri në fund të muajit. Pritet që përfundimi zyrtar të jetë gati gjatë muajit shtator. Në vitin 2015 Thesari i Panagjurishtes do të marrë pjesë në një ekspozitë të madhe bullgare në Muzeun e Luvrit.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Veneta Pavllova
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës së Djallit ndodhet kodra Srednobërdie. Aty lumi Vedena derdhet në lumin Iskër dhe malet Lozen dhe..
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..