Më 25 mars Agjencia Shtetërore për Bullgarët Jashtë Shtetit për vitin e gjashtë me radhë organizon një ngjarje, ku do të dorëzohet çmimi “Bullgarja e vitit 2014” me emrin e Shën Zllata Mëglenskës.
Në shumë prej pikturave në kishat bullgare ajo është paraqitur me kostum popullor kombëtar. Është vrarë nga turqit gjatë zgjedhës pesëshekullore turke, sepse nuk ka dashur të heqë dorë nga feja e saj. Zllata Mëglenska mbetet në kujtimin e popullit si mbrojtësja e shpirtit dhe dinjitetit bullgar.
Dekorata me emrin e saj përbën një statujë të vogël prej bronzi, që e paraqet shenjtoren. Ajo jepet për kontribut në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar dhe kulturor ndër bashkësitë bullgare përtej kufirit. Nominimet janë si nga Bullgaria, ashtu dhe nga jashtë shtetit. Për çmimin e sivjetshëm ishin ofruar 29 bashkatdhetare bullgare nga 17 shtete. Ja se çfarë na tregoi Anjuta Kaçeva, anëtare e Këshillit Drejtues të Radios Kombëtare Bullgare, përfaqësuese e jurisë:
“Derisa i dëgjoja për herën e radhës nominimet, ndjeva se e gjithë kjo, që bullgaret nëpër botë bëjnë, është lidhur me edukimin se Atdheu nuk është vetëm një nocion gjeografik. Ai përbën shumë vatra të gjalla të krijuara nga të gjitha këta njerëz – bullgarë, të cilët i kushtojnë shumë prej kohës së tyre personale dhe profesionale ruajtjes së trashëgimisë kulturore bullgare, kujtesës historike bullgare, identitetit bullgar dhe traditave bullgare. Në këtë kuptim ata përvijojnë kufijtë më të rëndësishëm të Bullgarisë. Unë jam shumë e emocionuar edhe për faktin se jam grua. Desha të rikujtoj se jashtë Evropës ka shumë pak vende në botë, mendoj se janë jo më shumë se dhjetë, ku gruaja me të vërtetë ka mundësi të jetë një personalitet i vërtetë, të jetë një njeri me të drejtën e jetës së denjë personale, sociale dhe profesionale. Prandaj jam e lumtur se pikërisht bullgarja në botë është ajo, e cila në saje të talentit të saj dhe të përpjekjeve të saj e korrigjon këtë mungesë ekuilibri në botë. Është shumë bukur të jesh grua! Ne pamë 29 gra të tilla. Ishte shumë vështirë të dallonim vetëm një prej tyre.”
Roli i bullgares është edhe më i rëndësishëm, kur të bëhet fjalë për bashkësitë bullgare jashtë kufijve të vendit. Është fakt se gjuha bullgare ruhet atje qindra vite, kryesisht për shkak të përdorimit të saj në shtëpi, ku patjetër rolin kryesor e ka femra. Të folurit bullgar mbetet themeli i ruajtjes së identitetit kulturor bullgar. Nuk ka nevojë për më shumë prova, që të ripohojmë se për ruajtjen e gjuhës, këngëve, përrallave, të dinjitetit bullgar, të fisit, meritën kryesore e ka bullgarja. “Bullgarja e vitit 2014” është përsëri krijuesja e një shkolle bullgare. Kjo është Irina Vlladikova, drejtoreshë e një prej shkollave më të mëdha sot përtej kufirit – “Kirill dhe Metodij” në Vjenë të Austrisë. Irina Vlladikova është edhe zëvendëskryetare e Asociacionit të Shkollave Bullgare Përtej Kufirit. Nuk mund të rikrijojmë emocionin e saj, por vetëm do të paraqesim fjalët e saj gjatë dekorimit:
“Falënderoj për këtë nder të madh, për çmimin “Bullgarja e vitit” – tha ajo. – Akoma jam shumë e emocionuar për nominimet, të cilat i dëgjova dhe i pash, për gjithçka që e bën bullgarja në botë, që të ruajë lidhjen e saj me atdheun. Ndoshta askush prej nesh, themeluesve të Asociacionit të Shkollave Bullgare Përtej Kufirit, para tetë vitesh, kur e themeluam asociacionin, nuk ka ëndërruar se ky çmim do t’i dorëzohet për herën e katërt me radhë një prej nesh, domethënë organizatës sonë, e cila punon me devotshmëri të madhe për ruajtjen e gjuhës bullgare dhe të vetëdijes sonë ndër bashkatdhetarët përtej kufirit. Çmimi “Bullgarja e vitit” është një nder shumë i madh për mua dhe kjo më bën për t’u ndier shumë krenare, krenare për fitoren kundër të gjitha vështirësive, si një provë, se pasuria e një njeriu nuk është gjendja e tij materiale, por dinjiteti i tij kulturor dhe shpirtëror. Ne, mësuesit jashtë shtetit, krijojmë një territor të ri bullgar në botën moderne globale.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Më shumë se 1000 njerëz janë përfshirë në fazën pilot të projektit “Gjenomi i Bullgarisë”, i cili synon të mbledhë dhe analizojë një mostër përfaqësuese të gjenomave të bullgarëve bashkëkohorë. Me iniciativën, vendi ynë do të kontribuojë në një projekt..
Prej më shumë se një jave historia e një familje blegtorësh që rritin raca vendase të deleve ka tërhequr vëmendjen e publikut në Bullgari, por edhe të bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit. Dhe në vend që të ndiqte teatrin në parlament dhe luftërat për..
Kush thotë se bullgarët janë njerëz të vrenjtur dhe pesimistë? Shëtisni nëpër tregjet e Krishtlindjeve të Sofjes dhe do të mbeteni me një përshtypje krejtësisht të ndryshme. Mjaftojnë dekorimet festive, muzika, dëfrimet dhe tezgat e mbushura me ëmbëlsira..
Secila prej tyre sjell ngrohtësi dhe ngjall emocione, sepse është bërë me dorë dhe është e papërsëritshme dhe unike. Dhe shkëlqimet e saj të argjendta..
Plaku i Krishtlindjeve do të shpërndajë dhurata për kafshët në Kopshtin Zoologjik të Burgasit më 25 dhjetor. Planifikohet një turne festiv nëpër..