Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Për një “persona non grata” turke dhe diçka më shumë

Ugur Emiroglu
Foto: arkiv

Shprehja “persona non grata” përdoret në gjuhën e diplomacisë. Thënë me fjalë më të thjeshta kjo do të thotë “ke gabuar dhe duhet të ikësh me shëndet”. Kështu u thuhet diplomatëve në shtetet e huaja, në të cilat ata nuk janë akredituar, kur i kanë shkelur rregullat, përfshi këtu dhe ato të pashkruara, kur ka prova kundër tyre se janë spiunë, ose kur marrëdhëniet midis dy shteteve keqësohen. Shprehja është italiane dhe do të thotë “person i padëshiruar”. Deri në shpalljen e një diplomati “persona non grata” nuk arrihet lehtë. Shkaqet duhet të jenë vërtetë serioze.

Mirëpo kështu ndodhi me diplomatin turk Ugur Emiroglu, atashe i çështjeve sociale në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Burgas. Ministria Bullgare e Punëve të Jashtme nuk bëri të ditur hollësi dhe nuk komentoi ekspulsimin e tij. Kjo është diçka normale, e tillë është praktika e diplomacisë. Mirëpo, diplomacia është e qartë se këtej e tutje fjalën e kanë mediat, të cilat zakonisht citojnë burime anonime diplomatike. Ato kërkuan më shumë informacion dhe hodhën dritë mbi jetën e diplomatit Ugur Emiroglu. Në qoftë se gjithçka që dëgjuam dhe lexuam është e vërtetë, del se ky diplomat në thonjëza është një “persona non grata” klasike.

Sipas burimeve anonime diplomatike, Emiroglu, në vend që të merret me punët e tij diplomatike si konsull, është marr me veprimtari fetare dhe propagandë të lidhura me fenë myslimane në Bullgari, gjë që nuk është në përputhje me statusin e tij. Del se para se të akreditohet si diplomat në Burgas në vitin 2015 Ugur Emiroglu ka qenë myfti i bashkësive myslimane në një sërë qytetesh, ndër të cilat janë Bursa në Turqi dhe Strasburgu në Francë. Pasi ka pasur imunitet diplomatik, ai ka vizituar bashkësitë myslimane në Bullgarinë Lindore, i ka mësuar imamët vendas se si të zhvillojnë më mirë shërbimet e tyre në xhami. Dhe jo vetëm kjo. Ai ka bërë agjitacione në përkrahje të disa personave të veçantë politikë në kontekstin e betejave personale në “Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë” – një parti e paraqitur në Parlament, elektorati i së cilës është kryesisht nga rrethet e myslimanëve në Bullgari. Dhe kjo tashmë konsiderohet si një ndërhyrje “par excellence” në punët e brendshme të një shteti sovran.

“Ugur Emiroglu është nga ata agjentë të hetimit turk, të cilët punojnë në lëmin e veprimtarisë fetare.” Këtë e vuri në dukje haptazi deputeti Valeri Simeonov, bashkëkryetar i Frontit Patriotik. “Biografia e tij tregon saktësinë me të cilën punon zbulimi turk dhe rëndësinë e madhe për palën turke që bashkësia myslimane bullgare të fitohet në anën e tyre”, tha gjithashtu deputeti. Ish nëpunës bullgarë të shërbimeve speciale shtuan para mediave se veprimtaria në Bullgari e Ugur Emiroglut ka pasur qëllim “zhvillimin e mëtejshëm të bazës së agjenturës për përhapjen e neo-otomanizmit në Bullgari.”

Sipas një rregulle tjetër në diplomaci, të quajtur “reciprocitet”, Ankaraja vendosi nga ana e vet të ekspulsojë sekretaren e parë të Konsullatës Bullgare në Stamboll Zornica Apostollova, e cila përgjigjet për lidhjet me Eksarkinë Bullgare në Stamboll. Edhe në këtë rast të veprimeve reciproke vendi nuk është i detyruar të japë shpjegime. Mirëpo, a ka udhëtuar Apostollova në Stamboll, që të predikojë krishterimin ortodoks?

Pra, a ka rrezik për sovranitetin e Bullgarisë? Optimistët përgjigjen me “jo”. Pse atëherë Parlamenti krijoi pak para shpalljes së Ugur Emiroglut “persona non grata” një komision të përkohshëm për studimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave të lidhura me pohimet për ndërhyrje të Turqisë dhe të Rusisë në punët e brendshme të Bullgarisë? Dhe diçka tjetër, në qoftë se ka ndërhyrje të tilla, a vijnë ato vetëm nga Ankaraja dhe Moska ose vijnë edhe nga diku tjetër? Dhe si të kuptojmë deklaratën e kryemyftiut në Bullgari Mustafa Haxhi se 40 për qind e shpenzimeve të fesë myslimane në vendin tonë ortodoks ndërmerren nga Turqia?

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Dimitër Gllavçev

Bullgaria kërkon që Shkupi të respektojë Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017

Diskutuam se si ta bëjmë NATO-n më të fortë, duke u fokusuar në punën kolektive, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e secilit vend anëtar, tha kryeministri në detyrë Dimitër Gllavçev. Ai shtoi se në diskutimet në Uashington në kuadrin e samitit me..

botuar më 24-07-11 9.59.PD
Vjosa Osmani dhe Dimitër Gllavçev

Prishtina ka mbështetje nga Sofja për anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në NATO

Kërkimi i Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetja e Bullgarisë ishin temat e diskutuara në takimin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me kryeministrin në detyrë Dimitër Gllavçev në kuadër të samitit të NATO-s në Uashington, raporton BGNES...

botuar më 24-07-10 12.45.MD

Ngjarjet me adresë ballkanike

Greqia riktheu pjesërisht javën gjashtëditore të punës Greqia ka rikthyer javën gjashtëditore të punës për disa biznese në përpjekje për të rritur produktivitetin dhe punësimin. Rregullorja, e cila hyri në fuqi më 1 korrik, parandalon..

botuar më 24-07-05 2.00.MD