Manastiri i Etropolesë “Sveta Trocia” (“Trinia e Shenjtë”) i quajtur gjithashtu “Varovitec”, ruan faqe të shkruara nga kaligrafët e lashtë dhe të pikturuara nga piktorët e dikurshëm. Në këtë vend para qindra vitesh është zhvilluar dhe lulëzuar një prej shkollave më produktive letrare në tempujt bullgarë. I fshehur në mal, jo larg qytetit Etropole, ai edhe sot e kësaj dite është një qendër tërheqëse për të gjithë besimtarët.
“Manastiret në Bullgari gjatë Mesjetës dhe Rilindjes së hershme kanë luajtur një funksion kulturor dhe iluminist. Ato janë kështjella të shpirtit bullgar dhe të shkollave letrare” – vë në dukje doc. dr. Hristo Temellski nga Instituti Kishtar-Historik dhe Arkivor. Ai na tregoi më shumë hollësi për krijimin e manastirit dhe për shkollën letrare dhe kaligrafike pranë tij.
“Mbizotëron mendimi se Manastiri i Etropolesë është themeluar rreth vitit 1158. Sipas të dhënave të murgut Hrisant, të paraqitura para studiuesit Aleksandër Tacov, gjatë ndërtimit të kishës në vitin 1858 janë gjetur dy pllaka për krijimin e tij para 700 vitesh. Shkolla letrare është themeluar në fund të shekullit të XVI dhe ka arritur lulëzimin e saj më të madhe gjatë gjysmës së parë të shekullit të XVII.
Në atë kohë qyteti i afërt Etropole u bë një vendbanim minatorësh dhe popullsia grumbullonte mjete për manastirin. Në shkollë punonin letrarë, kaligrafë, kopjues, ilustrues, libralidhës. Më i njohuri prej tyre është Danaill Etropollski. Ka 13 dorëshkrime të tij të datuara dhe për mbi 20 të tjera që nuk janë datuar supozohet se janë shkruar nga ai. Një kopjues tjetër i rangut të tij është murgu Rafaill. Janë ruajtur 4-5 dorëshkrime të datuara. Lidhja e librave gjithashtu është një veprimtari artistike – janë bërë mbulesa librash prej druri me zbukurim reliefi.”
Docenti Temellski thotë: “Shkolla Letrare e Etropolesë ka një stil të vet. Atje mbizotëron kryqi, gjarpri, shpendi, fytyra e njeriut, koka e njeriut me flokë të mbledhura lart.”
Për tekstet e shkruara në skriptorium ai shpjegon se këta janë “kryesisht libra teologjikë, të domosdoshëm për kishën. Shumë prej tyre janë humbur, shumë të tjerë janë asgjësuar.” Prapëseprapë më shumë se 80 dorëshkrime janë ruajtur. Ndër to është “një dorëshkrim i vlershëm i Gramatik Joanit, i datuar në vitin në 1658. Ai është i veshur me argjend dhe është me ornamente prej ari. Është interesant një prolog i tij prej vjershash që nga viti 1636, i shkruar nga Gramatik Joani me rastin e kthimit të lipsanave të Shon Joan Rillskit nga Tërnovo në Manastirin e Rillës në vitin 1469.”
Për fatin e Manastirit gjatë zgjedhës turke doc. Temellski thotë:
“Manastiri i Mesjetës që nga viti 1158 u shkatërrua gjatë sundimit të Bullgarisë nga turqit. Siç duket manastiri është rimëkëmbur që gjatë shekullit tjetër me ndihmën e popullsisë. Ka pasur probleme edhe gjatë sulmeve të kërxhallinjve, kur u sulmua dhe u grabit. Në përgjithësi manastiri është ruajtur dhe është rimëkëmbur disa herë, në saje të banorëve më të pasur të Etropolesë me ndikim më të madh.”
Kisha e sotme është nga viti 1858. Si në kushtet e sundimit osman u ndërtua një tempull kaq madhështor?
“Pas Traktatit të Paqes të Edrenesë që nga viti 1829 filloi era e Tanzimatit, domethënë e reformave në Perandorinë Osmane. U lëshuan dy akte të mëdha reformuese. Njëri është Hatisherifi i Gjulhanit. Ai i jep të drejta të mjaftueshme popullsisë së krishterë dhe ajo merr leje për t’i rimëkëmbur kishat dhe manastiret. E tillë është situata edhe sa i përket Manastirit të Etropolesë, që u rimëkëmb në vitin 1858. Igumeni, ati Emill, gjeti dy dokumente osmane. Njëri është një ferman osman nga viti 1858, me të cilin jepet leje që popullsia e Etropolesë ta rimëkëmbë manastirin. Në dokumentin tjetër janë shënuar tri leje për rimëkëmbjen e pjesshme gjatë vitit 1832 – 33.”
Doc. Temellski vazhdon me disa hollësi për enët e ndryshme kishtare, të cilat ruhen edhe sot e kësaj dite:
“Nga kisha e vjetër, për të cilën supozohet se është nga viti 1158, kur u themelua manastiri, ka dy kryqe të argjendta me mbishkrime të dhuruesve të panjohur. I pari është punuar në vitin 1492 në Vraca nga mjeshtri Ivan Janov dhe i është dhuruar manastirit nga priti Stojan nga fshati Hërlec. I dyti është bërë në fund të shekullit të XVI dhe është si ai i parë nga mjeshtri Mavrodia Dragolinov nga fshati Kameno Pole. Ruhet gjithashtu një hirore e bërë nga mjeshtri Bojço nga Etropole në vitin 1753. Ajo është lyer me ar nga esnafi vendas dhe e ka mbishkrimin “Në arkivol ruhen lipsanat e Shenjtorëve Kozma dhe Damjan”. Nuk përmendet asgjë për potirin e ruajtur prej argjendi. Ai është nga viti 1786 dhe është vepër e një mjeshtri të panjohur. Është ruajtur dera e altarit të ikonostasit të vjetër dhe ikona e tempullit “Trinia e Dhiatës së Vjetër” që nga viti 1538. Zografi është Nedjallko nga Lloveçi. Ajo ruhet në ekspozitën e Muzeut Qendror Historik-Arkeologjik në Sofje. Kisha nga viti 1858 nuk ka pasur mbishkrime murale. Në vitin 2007 manastiri u meremetua krejtësisht. Tempulli u pikturua sipas projektit të doc. Sasho Rangellov nga Fakulteti i Artit Figurativ i Universitetit të Veliko Tërnovos.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Svetllana Dimitrova dhe etropolskimanastir.etropolebg.com
Mbi një shkëmb të madh mbi lumin Asenica ngrihet një kështjellë e paarritshme për armiqtë. Aje lartë mbi shkëmbinjtë e shqiponjave, fortesat e veta i kanë ngritur trakët, romakët, bizantinët, njerëzit e ardhur nga pjesa perëndimore e Evropës,..
Pranë njërit prej burimeve karstike të Devnjes në provincën romake Mizia e Poshtme (Moesia inferior) është ndalur perandori Trajan (Marcus Ulpius Trajanus, 98- 117г.) me ushtrinë e tij. Motra e tij Marcija ka dërguar shërbyesen të sjellë ujë , por..
Gjatë vitit 2000 arkeologu dr. Georgi Kitov dhe ekipi i tij zbuluan kodërvarrin Roshava Çuka afër fshatit Aleksandrovsko të rrethit të Haskovos, një varrezë trake nga shekulli i V para Krishtit, e cila bën përshtypje me arkitekturën e jashtëzakonshme..