Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Sofja – një qendër e gjallëruar tregtare që nga Antikiteti deri më sot

БНР Новини

Në Muzeun Historik Regjional në Sofje deri në fund të shkurtit mund të shihet ekspozita “Nën shenjën e Merkurit”. Ajo i është kushtuar zhvillimit të marrëdhënieve tregtare të qytetit dhe regjionit që nga Antikiteti deri në fund të shekullit të XX dhe kjo nuk është e rastit, sepse që nga viti 106 Serdika Romake, si një qytet me udhëheqje autonome, i ka prerë vetë monedhat për 17 perandorë. Në mitologjinë romake Merkuri është perëndia e tregtarëve dhe udhëtarëve, mbrojtësi i mjeshtërisë.

Kujdestarja e ekspozitës është Mariana Marinova – udhëheqëse e veprimtarisë shkencore, ekspozuese dhe të fondeve pranë muzeut, na tregoi:

Deshëm të rregullojmë një ekspozitë, e cila të paraqesë një periudhë më të gjatë të historisë së qytetit tonë. Ky ishte një prej shkaqeve për t’u ndaluar te kjo temë, kurse tjetri është se tregtia është veprimtaria kryesore e njeriut, e cila është lidhur drejtpërsëdrejti me ekonominë dhe pa të cilën bota moderne nuk mund të ekzistojë. Kështu qe kjo është një temë interesante dhe aktuale. Janë paraqitur fakte më pak të njohura, të cilat na japin informacion për tregtinë në të kaluarën. Ekspozita paraqet një periudhë shumë të gjerë – që nga shekulli II deri në fund të viteve 80 të shekullit XX. Tema nuk mund të shterohet pasi bëhet fjalë për një periudhë kaq të gjerë, por na jep përfytyrim se çfarë qendër tregtare ka qenë Sofja.

Mariana Marinova na shpjegoi se çfarë ka qenë rëndësia e Sofjes jo vetëm si qendër tregtare, por edhe si seli e zhvillimit të zanateve:

Sofja ndodhet në rrugën që nga Evropa Perëndimore drejt Lindjes së Mesme dhe asaj të Largët, nga Veriu i ftohtë drejt Mesdheut të ngrohtë, në rrugën e lashtë Via Diagonalis. Ky ishte një kusht i favorshëm për zhvillimin e tregtisë. Krahas kësaj në Fushën e Sofjes praktikoheshin zanate të veçanta. Atje lindnin fruta, perime, drithëra, rriteshin shumë kafshë bujqësore. Nga ana tjetër afërsia e masiveve pyjore siguronte material drusor dhe krijonte premisa për fillimin e veprimtarive të ndryshme të lidhura me prodhimin e drurit. Relativisht afër Sofjes gjendet Samokov, ku prodhohet mineral, gjë që kontribuon për krijimin e zejeve të lidhura me përpunimin e hekurit dhe përdorimin e tij në jetën e përditshme. Për shembull në Mesdhe Sofja ishte e njohur për prodhimin e topuzëve – një lloj arme, që përdorej në atë kohë. Ajo ishte qendra, ku tregtarët grumbullonin mallra nga të gjitha rajonet e vendit, të cilat pas kësaj i dërgonin në Mesdhe dhe në Evropën Perëndimore, kurse në epokat më të vonshme – drejt Perandorisë Osmane. Ekzistenca e zanateve dhe e lëndëve të para të llojeve të ndryshme është një prej kushteve për krijimin në këtë vend të Kolonisë së Dubrovnikut, e cila ekzistoi më se dy shekuj. Në atë epokë zhvillohej tregti e gjallëruar mes trojeve tona dhe Evropës Perëndimore me ndërmjetësinë e Raguzës, domethënë – me sekserinë e banorëve të Kolonisë së Dubrovnikut.

Снимка

Shumë janë eksponatet, të cilat mund të shihen në ekspozitë: monedhat e para të prera, me të cilat zhvillohej veprimtari tregtare, pajisje të ndryshme për matje, monedha e parë e argjendtë me nominal prej 2 levash, e prerë në Shën Petersburg në vitin 1882, me mbishkrimin “O Zot, ruaje Bullgarinë” dhe shumë sende të tjera të lidhura me zhvillimin e Tregtisë. Një interes të madh përbën një tryezë shkrimi që nga epoka e Rilindjes, me një mekanizëm për kopjim të dokumenteve. Çfarë tjetër? Ja se çfarë shtoi kujdestarja e ekspozitës Mariana Marinova:

Personalisht unë do t’i këshilloja vizituesit për t’i lexuar tekstet. Atje do të gjejnë shumë të dhëna interesante, për shembull për pagën në Perandorinë Romake dhe çfarë mund të blihej me të, çfarë kanë qenë njësitë prej metali dhe cilat janë ekuivalentet e tyre. Nga eksponatet pa dyshim shumë origjinale është ena, ku shitej salepi – pije orientale e përgatitur nga zhardhokët e bluar të orkidesë. Ajo ishte shumë e preferuar te ne në të kaluarën, ajo përdoret në botën arabe edhe sot e kësaj dite.

Vizituesit mund të njihen edhe me tregtinë ambulante, që ekzistonte që nga Çlirimi deri në fund të viteve 40 të shekullit XX. Do të lexojnë se ligji i parë për tregtinë në Bullgari është që nga viti 1880, se Ministria e Tregtisë është themeluar në vitin 1893, kurse Dhoma Industriale Tregtare – në vitin 1898. Prapa materialit të pasur të ekspozitës është studimi i gjerë i ekspertëve të muzeut, të cilët në vitin 2018 do të festojnë përvjetorin e 90-të të krijimit të Muzeut të Qytetit. Partneri në organizimin e ekspozitës është Muzeu Politeknik Kombëtar. Ekspozita është shfaqja e parë e të gjitha veprimtarive të Muzeut Historik Regjional të Sofjes, kushtuar Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Fotografi: sofiahistorymuseum.bg



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në kinematografi

Një marrëveshje për bashkëprodhime në kinematografi u nënshkrua në Prishtinë ndërmjet ministrit bullgar të kulturës Najden Todorov dhe homologut të tij kosovar Hajrulla Çeku, njoftoi KosovaPress konkretisht për BTA. Në ceremoni u vu në dukje, se ky..

botuar më 24-10-22 9.21.PD

Ekspozita “Artizanët e Sofjes” zbulon vende të papara në kryeqytet

Cikli “Sofja e padukshme” për këtë vit do të mbyllet me ekspozitën “Artizanët e Sofjes”, kushtuar trashëgimisë kulturore të luajtshme. Ekspozita do të hapet sot, 21 tetor, në hapësirën e Sallave të rinovuara Qendrore të Tregut në kryeqytet...

botuar më 24-10-21 9.25.PD

Një valë kulturore franceze po përfshin Sofjen në javët e ardhshme

Deri në fund të vitit bullgarët do të takohen me kulturën franceze në formën e një sërë shfaqjesh filmash, leximesh letrare, konferencash, ekspozitash etj . Rasti  është 145 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe..

botuar më 24-10-16 7.20.PD