Ndryshimet legjislative në pakon “Mobiliteti” të Komisionit Evropian do të parashtrohen javën tjetër në komisionet e Parlamentit Evropian dhe do të votohen më 24 maj. Ndryshimet u përkasin drejtpërsëdrejti firmave bullgare të transportit, që merren me transport rrugor ndërkombëtar, të cilat nuk i pranojnë kategorikisht. Diçka më tepër, mosmiratimi i tyre përkrahet njëzëri nga të gjitha forcat politike, përfshi këtu qeverinë dhe vetë Kryeministrin Bojko Borisov. Ai madje udhëtoi posaçërisht për qytetin gjerman Aahen të enjten e kaluar, ku u takuan liderët e Gjermanisë dhe të Francës Angela Merkel dhe Emmanuel Macron me rastin e dekorimit të Presidencës së Francës me çmimin “Karli i Madh”. Atje në nivelin më të lartë z. Borisov u përpoq t’i bindë autorët e amendamenteve të parashikuara legjislative për t’i përshtatur me vendet me ekonomi më të dobët të BE-së dhe më konkretisht me Bullgarinë. Z. Macron propozoi që problemet të diskutohen në një bisedë telefonike, ndërsa Merkel tha në mënyrë diplomatike “Do të shohim”. Në Sofje ditën e hënë mbërriti urgjentisht për të biseduar për këtë temë me Kryeministrin Borisov Komisionarja evropiane për Transportin Violeta Bulc. Bisedimet ishin të rënda dhe të vazhdueshme, por pas tyre eurokomisionarja deklaroi se po pret oferta konkrete për ndryshimin e dispozitave të pakos “Mobiliteti” deri në fund të Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së. Nga ana e vet Kryeministri Borisov ripohoi pozitën e tij të qartë se pakoja e tanishme “Mobiliteti” “do të vrasë biznesin e transportit”.
Për se bëhet fjalë më konkretisht? Flitet se kjo pako “Mobiliteti” e Komisionit Evropian është ndikuar fort nga kauza personale e Presidentit të Francës Emmanuel Macron për nëpunësit e dërguar me shërbim dhe kundër dumpingut social nga ana e Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila është më e dobët ekonomikisht. Në shikim të parë këto janë ambicie dhe masa të denjë, që meritojnë respekt. Mirëpo, praktikisht ato kërcënojnë qindra qytetarë dhe firma nga pjesa lindore e kontinentit me ndërprerjen e veprimtarisë, me falimentime dhe papunësi, sepse imponojnë kërkesa ndaj firmave të transportit, të cilat ato nuk mund t’i zbatojnë, sepse nuk u përgjigjen xhepit të shumicës së eksportuesve në Evropën Lindore. Sipas disa prej kushteve shoferët duhet të kthehen në shtëpi në çdo tri javë , pas ditës së tretë të qëndrimit të shoferit në BE ai duhet të marrë pagim sipas normave të pagimit të nëpunësve të dërguar me shërbim të shtetit, ku shoferi ka hyrë, ai nuk duhet të flejë në kabinat e kamionëve, por në hotel. Parashikohen gjithashtu ndryshime edhe në rregullat për kabotazhin rrugor, i cili praktikisht do të anulohet. E gjithë kjo për mijëra kamionët bullgarë, polakë, hungarezë dhe rumunë – pronësi e firmave të vogla dhe familjare, është një luks që kushton shumë.
Vetëm në Bullgari biznesi i transportit i siguron Produktit të Brendshëm Bruto 15 për qind. Në këtë sferë punojnë rreth 200 mijë veta, të cilët i zhvillojnë edhe sot e kësaj dite traditat e mira të vendit tonë që nga koha e komunizmit, kur firma SOMAT dispononte disa mijë kamionë dhe ishte kompania më e madhe e transportit në Evropë. Në degën e transportit të gjithë mendojnë se masat e reja do ta asgjësojnë këtë biznes. Ky është një prej rasteve të pakta, kur edhe pushtetarët, edhe opozita ishin unanimë në Parlament, duke miratuar një deklaratë, ku kërkohet që qeveria të ndërmarrë masa në mbrojtje të transportuesve bullgarë. Ky është gjithashtu një prej rasteve të pakta, kur Sofja i kundërshton vendimet e Brukselit.
Vetë transportuesit janë të mendimit se nuk do të jetë mirë që fati i tyre të varet vetëm nga vullneti i mirë i autoriteteve zyrtare. Prandaj ata morën vendim që të organizojnë protesta me 1000 kamionë dhe autobusë gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor këtë të enjte në Sofje. Nuk përjashtohet bllokim i kufijve tokësorë të vendit.
Çfarë do të jetë rezultati përfundimtar i veprimeve të autoriteteve dhe transportuesve bullgarë: Kjo nuk është shumë e qartë dhe gjithçka varet nga të mëdhenjtë në BE dhe nga gatishmëria e tyre për t’i respektuar interesat e më të dobëtëve dhe më të vegjëlve. Sipas disa ekspertëve shanset bullgare nuk janë të mëdha. Mirëpo është fakt se të gjithë në vend u bashkuan në mbrojtje të biznesit bullgar të transportit, duke i lënë në plan të dytë kundërshtimet e ashpra politike dhe ekonomike. Kjo tregon se kur janë prekur interesat kombëtare mund të ketë unitet. Nuk është e rastit se motoja e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së është pikërisht “Bashkimi e bën forcën”. Kjo është shkruar edhe në godinën e Kuvendit Popullor në Sofje, e cila ndoshta do të bllokohet ditën e enjte nga qindra kamionë dhe autobusë në protestën e organizuar para syve të liderëve evropianë .
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në qytet vazhdon të funksionojë, pavarësisht fshirjes nga regjistri qendror, njoftoi BTA, duke iu..
Polemika në Kroaci për dërgimin e personelit ushtarak në misionin e NATO-s në mbështetje të Ukrainës Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Boris Ruge vizitoi Kroacinë për t'u shpjeguar deputetëve vendas rreth misionit të Aleancës në..
"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët". Kështu thuhet në një raport për zgjerimin e BE-së, të prezantuar nga..
Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në..